Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma ka vijuar takimet me banorët të shumtë në lagje të ndryshme të qytetit për të bashkëbiseduar për problemet ekonomike dhe sociale të tyre. Banorët vuajnë mungesën e perspektivës dhe shanseve për tu punësuar.
“U bënë 8 vjet që punohet majtas. Unë jam socialist dhe kam votuar familjarisht por nuk shoh që të ecë diçka që të punësohen njerëzit. Unë kam 8 vjet pa punë”, u shpreh një banor.
“Ky popull thotë gjithë ditën që do e çojë votën djathtas por kush shkon të votojë i prishet mendja për një thes miell”, tha një qytetar tjetër. Zonja Duma u shpreh e bindur se qytetarët durrsakë në katër anët e bashkisë së re e kanë kuptuar rëndësinë e votës dhe nuk kanë për të shitur shansin për një projekt ndryshe. “Unë besoj se njerëzit e kanë kuptuar që ai thesi i mjellit nuk u ndryshon më asgjë”, tha Duma.
Në lagjet e qytetit pranë plazhit dhe në afërsi të Shkozetit, kandidatja Duma u njoh me vështirësitë e banorëve dhe lënien në harresë nga bashkia.
“Kam shkuar tek Vangjush Dako dhe më ka thënë që nuk ka punë. I thashë po votat a i do? Nuk foli më Vangush Dako. Të lutem shumë, ne duam punë. Edhe unë, edhe djali edhe vajza 19 vjeçe. Nuk kam as shtëpi dhe jetoj në çadra”, tha një qytetare.
“Sa herë bie shi ne do mbushim thasët me rërë për ti vënë tek dera. Këkrojmë që të na bëhet një kanalizim vetëm për qëllimin e ujërave. Kërkojmë që edhe plehrat të hiqen sepse kemi të gjithë infeksionet në shtëpi”, u shpreh një tjetër ndërsa familje të shumta ankohen edhe për faturat e kripura të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.
Komuniteti i një prej lagjeve më të mëdha në qytet kërkoi nga kandidatja mundësinë e ndërtimit të një shkolle të re pasi fëmijët bëjnë mësim me turne. “I kam shkuar kryetarit për shkollën “Bajram Curri” numër 2. A është normale që vajza ime në klasën e 9-të të vijë në orën 8 të darkës në shtëpi?! Sepse rruga nuk ka drita. Po ju pyes si nënë”, i kërkoi kandidates një banore. Znj Duma u shpreh se ndërtimi i një shkolle të re në këtë zonë do të jetë pjesë e planit të saj për këtë lagje të qytetit.
“Nuk është vështirë një shkollë më shumë për një komunitet të madh si ju këtu sepse është kjo zona këtu që jep dyfishin e të ardhurave se një zonë tjetër. Unë e di që kjo është sakrificë e madhe. Ajo që duhet të bëhet është shkollë brenda standardeve dhe nuk është as e shtrenjtë dhe as e pamundur. Duhet vetëm ta ndjesh brenda vetës. Unë jam nënë, jam pedagoge dhe e di shumë mirë një gjë të parë”, tha Duma.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Maj 2015