Kandidati për kryetar i bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hila, përmes një deklarate për shtyp, i kërkon Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme dhe të largojnë banditët me uniformë nga Vau i Dejës.

 “Shpreh keqardhjen për mos reagimin e Policisë së Shtetit  pas denoncimeve të njëpasnjëshme që unë personalisht kam bërë për  dhunën dhe terrorin që militantë e banditë të veshur me  uniformën e Policisë së Shtetit ushtrojnë në zonën e Vaut të Dejës.  Edhe pse unë e kam denoncuar për javë të tëra dhunën dhe terrorin policor, nuk është  marrë asnjë masë deri mbrëmë kur u qëllua në drejtim të vëllait tim. Ky akt i rëndë dhe i paprecedent, kur një punonjës me uniformë policie përdor armën kundër vëllait të një kandidati, është rezultat i drejtpërdrejtë i qëllimit dhe misionit që i është ngarkuar policisë nga kjo qeveri.

Mosmarrja e masave në kohë rëndon më shumë situatën dhe e bën transparente në sytë e kujtdo se ky nuk është një rast i izoluar, por një porosi e qartë politike. Dua dhe njëherë sot t’i kërkoj Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe kryeministrit të tërheqë nga Vau i Dejës banditët e veshur me uniforma policie dhe të mos provokojë qytetarët. Shqiptarët e kanë larguar frikën 24 vjet më parë, sot dhuna dhe terrori tregojnë vetëm dëshpërim dhe mjerimin e atyre që e urdhërojnë.”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 23  Maj 2015