Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie në qytetin e Elbasanit Ardjan Turku, takoi tregtarë të vegjël si edhe banorë të një pjese të lagjes 5 maji.

Shumë prej banorëve u shprehën të indinjuar në lidhje me kushtet e rënda ekonomike dhe sociale.

Banor: Unë pas katër ditësh dal në gjyq. Duan të më fusin në burg se nuk kam mundësi të paguaj dritat. Grua dhe burrë pa punë. Kam një vajzë studente nuk kam mundësi t’i blej një stilolaps, e çoj pa pukë në shkollë. Thonë nuk ke shkollë, s’ka punë për ty. Po ne që nuk kemi shkollë, do vdesim?

Banor: Asnjë ditë nuk kam marrë përkrahje. Me çfarë të laj dritat dhe ujin.

Banore: Unë jam e sëmurë me ilaçe, jam me 5 fëmijë, dalim shesim për 2 mijë lek të vjetra.

Kandidati i së djathtës z.Turku tha se oferta e Partisë Demokratike është për uljen e taksave në bashki si prioritet numër një. Kjo sipas tij do të krijonte lehtësira si tek tregtarët por edhe tek blerësit, fuqia ekonomike e të cilëve ka rënë në mënyrë drastike këto dy vite.

Gjithashtu z. Turku tha se hapësirat publike në Elbasan, sidomos në blloqe pallatesh janë të pashtruara, me pellgje uji në të cilat luajnë dhe jetojnë fëmijët. Është një situatë e mjeruar krahasuar me miliardat e lekëve që janë hedhur për zbukurime në zona të cilat nuk sjellin të ardhura, tha z. Turku.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 24  Maj 2015