Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorë të njësisë 8 në Tiranë dhe në rrugën Riza Cerova dhe dëgjoi shqetësimet e tyre të jetës së përditshme. Kosova u angazhua për ngritjen e një sistemi efikas që do të bëjë të mundur ndalimin e burokracive dhe abuzimeve.

“Do të ndërtojmë një sistem, që të mos lejojë sorollatjet e qytetarëve. Kjo është më e rëndësishmja, më e rëndësishme se vullneti im”, u shpreh Kosova.

Kandidati për kryebashkiak hyri dhe në shtëpinë e një qytetari për të parë nga afër kushtet e tij dhe për të dëgjuar kërkesat.

Më tej, Halim Kosova e mbylli ditën në një festë të organizuar në bllok nga të rinjtë e degës numër 5 të Partisë Demokratike në Tiranë.


Njoftim për shtyp e Partisë Demokratike, 2 Maj 2015