Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Halim Kosova, ishte sot në tregun e fruta perimeve në Qytetin e Nxënësve ku dëgjoi ankesat e tregtarëve për rënien e fuqisë blerëse dhe takoi gjithashtu qytetarë që nuk kanë mundësi të blejnë për shkak të varfërisë. Kriza është evidente dhe z.Kosova i ftoi tregtarët dhe banorët e kësaj zone të bashkohen në projektin e tij për të krijuar vende pune, mirëqënie e zhvillim.
“Hajde të bëjmë diçka bashkë. A ke besim tek ndershmëria dhe përvoja? A ke besim? Ja tek i kam me vete dhe hajde”, i tha Kosova një qytetari.
“Unë kam tre çuna pa punë, fare, me zanat e me të tëra. Vetëm këtë, po na dhe këtë, me gjithë shpirt”, i drejtohet Kosovës një nënë.
Kandidati dëgjon nga afër të gjithë ankesat e banorëve.
“Më i rëndësishëm se poçi dhe se rruga, po ta them siç e mendoj unë, është ekonomia në shtëpinë tënde brenda, se ti po e pate asfaltin xixë fare, po pate shtylla e po pate lule në rrugë, po që s’ke asnjë në punë, po që je në kulmin e varfërisë, nuk e shijon as rrugën, as poçin, asgjë”, tha Kosova.
Z.Kosova i shpjegon qytetarëve për projektin e tij për qeverisjen e qytetit.
“Sot po shoh ku janë hallet e qytetit. Ideja ime është që t’i ndaj pjesë-pjesë, dhe të fillojmë me radhët zgjidhjen e tyre në çdo zonë. Unë kështu kam punuar gjithmonë”, shprehet Halim Kosova.
Gjatë gjithë takimeve qytetarët shprehen entuziastë për idetë dhe tregojnë besim tek përvoja menaxheriale dhe integriteti i z.Kosova.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Maj 2015