Të nderuar kolegë deputetë,

 

Do të kërkoja vëmendjen tuaj që këtë interpelancë të mos e konsideronit si një rutinë të praktikave parlamentare. Sot, kjo interpelancë ka për qëllim të vejë para përgjegjësisë së llogaridhënies ndaj sovranit një ministër, i cili ka abuzuar me fondet publike dhe vazhdon të jetë në detyrë. Parlamenti nuk mund të bëjë indiferentin, kur vidhet buxheti i shtetit, dedikuar për kujdesin shëndetësor të popullatës.

 

Ne, si opozitë kemi shprehur shpesh herë shqetësimin për atë çfarë po ndodh në një prej shërbimeve jetike, atë të shëndetësisë. Shqetësim që rritej edhe më shumë për shkak të lidhjeve të ministrit në detyrë me histori të abuzimit me fondet publike. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, dorëzoi mandatin e deputetit, pasi kishte përfituar fonde publike në Bashkinë Durrës, si favor i fushatave elektorale.

 

Por deputeti i riardhur në Parlament nga kjo e shkuar që cënon integritetin e tij u promovua në detyrë si Ministër Shëndetësie dhe u rifut sërish në lojën e fondeve publike, por më fuqishëm se kurrë.

 

Skandali i denoncuar jo më larg se para një jave pikërisht në këtë aulë ishte shtysa kryesore që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi këtë seancë urgjente për interpelancë. Kemi marrë këto ditë me dhjetëra mesazhe në telefon, FaceBook, apo email, ku shprehej shqetësimi i madh për nivelin e korrupsionit dhe të grabitjes së fondeve publike pikërisht nga ky sistemi oligarkik qeverisës. Sot, shëndetësia është nën thundrën e mafies së klaneve pranë qeverisë, që i ka lënë spitalet në mëshirë të fatit pa alkool, barna, age, fasho, dizinfektues, doreza, sapun, ujë, e plot materiale të tjera bazike.

 

Besoj që tashmë të gjithë qytetarët shqiptarë e kanë të qartë që Ministri dhe zyrtarët e shëndetësisë u kapën duke vjedhur dhe ende janë në detyrë. Banda  e falsifikatorëve të recetave të ilaçeve të rimbursueshme shëtit sa në një institucion në një tjetër për të kryer operacionin korruptiv të radhës. Presioni ka mbërritur madje deri në Prokurorinë e Përgjithshme.

DËRGIMI I ÇËSHTJES NË PROKURORI

Së pari, dua të ndalem në faktin që Ministri Beqaj gënjeu në Parlament që ende nuk ka raport final. Ja ku është versioni final i raportit, jua vë në dispozicion të gjithë deputetëve të maxhorancës.Ministri gënjeu për dorëzimin në Prokurori të akt – kontrollit të Njësisë së Kontrollit të Brendshëm në Kryeministri për skandalin e recetave. Burime në prokurori konfirmojnë se kallëzimi i dorëzuar nga Fondi është një kallëzim i shoqëruar mbi një relacion shpjegues dhe ku janë paditur 4 farmaci (sigurisht të përzgjedhura që mos të prishnin shumë punë). Në prokurori nuk është dorëzuar, ashtu siç u pretendua kaq ditë nga ministri, AUDITI I KM, që është dhe pikënisja e skandalit dhe që është auditi që ka zbuluar shkelje të rënda edhe implikime të zyrtarëve të lartë në Fond. Prokuroria, vetëm dje ka kërkuar tërheqjen e auditit të plotë. Pra ALIBIA Juaj z. Ministër bije poshtë.

Nga sa më sipër:

Edhe sikur vetë ministri Beqja të mos jetë i implikuar në skemë, ai është automatikisht përgjegjës për manipulimin e provave dhe fshehjen e së vërtetës. Ministri nuk mund të thotë se hetimin e ka bërë Fondi dhe se nuk di gjë për kallëzimin, sepse është AUDITI I KM ai që ka zbuluar shkeljet dhe implikimin e zyrtarëve të lartë të Fondit. Pra, Proçedurialisht është e pamundur që Ministri të mos jetë njohur me këtë AUDIT. Beqaj as nuk mund të pretendojë se nuk ka pasur dijeni për AUDITIN E KM, pasi atëherë kemi të bëjmë me një skandal më të madh, ose Kryeministri i ka fshehur auditin ministrit, ose Kryeministria ka pasur dhe Ministrin nën hetim administrativ për këtë skemë. Ministri ta zgjedhë vetë cila prej këtyre dy opsioneve është.

Në të dyja rastet, dorëheqja e Ministrit bëhet e padiskutueshme. Tashmë Ministri nuk mund të jetë përgjegjës politik për aplikimin e skemës që është shndërruar në më abuziven që ka implikuar edhe zyrtarët më të lartë.

Ministri tashmë dyshohet se ka dashur të manipulojë hetimet duke orientuar përgjegjësinë tek disa koka turku, për të mbrojtur në mënyrë arbitrare veten dhe vartësit.

Ministri tashmë kthehet në të dyshuarin kryesor pasi përndryshe nuk do të lejonte tentativën për manipulimin e hetimeve duke orientuar prokurorinë tek disa farmaci koka-turku dhe duke mbajtur të fshehur AUDITIN E KM për prokurorinë.

Të nderuar kolegë,

Dokumenti sekret u mbajt fshehur prej gati një muaj e kushedi do të ishte varrosur në arkivat e kushedi kujt institucioni apo edhe mund të ishte zhdukur fare, dhe vetëm denoncimi që ne i bëmë në këtë sallë, bëri që ky megaskandal të zbulohej.

Raporti mban fakte tronditëse për skemën e manipulimit, krimi është mirëorganizuar nga autoritetet shëndetësore: Ministri i Shëndetësisë dhe drejtuesit e fondit të Sigurimeve të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor.

Por unë sot nuk do të ndalem në ato që thash javën e shkuar, e as në ato që janë qartësisht të evidentueshme në raportin e auditit të KM.

Shumë shkurt Problemet e kapura nga Njesia e Kontrollit te Brendshëm dhe Antikorrupsion në KM janë:

1-    Fondi (Drejtori i Përgjithshëm dhe Zv. Drejtori) kanë qenë në dijeni të abuzimit që po ndodhte (fq 44).

Pra, është shkruar e zezë mbi të bardhë. Të gjithë zyrtarët e lartë e dinin çfarë po ndodhte. Kjo fjali i bën fajtorë dhe përgjegjës për ngritjen e skemës e në të njëjtën kohë për fshehjen e saj.

2-    Në raportin e kontrollit nga Kryeministri i vihet faj Këshillit Administrativ për mosmarrjen e masave dhe mekanizmave për parandalimin e korrupsionit – Ministri është Kryetari i Këshillit Administrativ.

3-    Pothuajse të gjitha kontratat e lidhura në 2014 dhe 2015 kanë mangësi dokumentacioni: mungesë autorizimesh për tregtim barnash, mungesë autorizimesh kompanish importuese, mungesë të listave të barnave, proces verbale të pafirmosura, mungojnë kontratat, autorizime të pavlefshme, mungesë dokumentat nga QKR, farmaci pa licensë (Hysni Roci, Lundër) etj. Të gjitha kontratat kalojnë në Këshillin Administrativ – dhe vetë Ministri i ka lejuar dhe miratuar.

4-    ‎Fondi nuk kreu asnjë herë kontroll për barnat e shtrenjta të rimbursueshme që jepen në QSUT e cila ka një shumë totale rimbursimi 18 mln dollarë (farmacia qarkullon numër më të madh të barnave të rimbursueshme)‎.

5-    Kontroll abuziv farmacive pa kryer analizën e riskut, përzgjedhja është bërë në mënyrë selektive, subjektive, jo transparente dhe lë vend për abuzim (siç evidenton raporti)‎.

6-    Janë kontrolluar subjektet më 6 ose 7 barna të rimbursueshme, ndërkohë që subjektet me mbi 200 barna nuk janë kontrolluar asnjëherë.

7-    As nuk është marrë parasysh luhatja e nivelit të rimbursimit. Janë kontrolluar subjektet pa asnjë luhatje, dhe nuk janë kontrolluar asnjëherë subjektet që kishin luhatje shumë të mëdha: (shembujt faqe 13 raporti farmacitë “Lundër”, “Adelina”, “Nutrimed 2012”, “Sara Joni”, “Expres”, “Plus 1” etj). Rimbursimi i tyre luhatet nga 0 për një muaj në 3,5 mln muajin tjetër.

8-    Në kundërshtim me çdo rregull bazë, janë zgjidhur në mënyrë të njëanshme (për të fshirë gjurmët e abuzimeve) dhe rilidhur kontrata me disa subjekte, brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërkohë që kontrata nuk e lejon këtë gjë për të paktën një vit edhe në mungesë të plotë dokumentacioni.

9-    Konflikt i pastër interesi: Nëndrejtori i Fondit (I cili ka nën varësi të tij kontrollin e farmacive) rimburson farmacitë në pronësi të tijën dhe të vëllait të tij. Ky nëndrejtor i plotfuqishëm mbi çdo ligj, gjatë tërë këtyre muajve ka pranuar recetat që i ka fallsifikuar vetë (edhe në mungesë të kontratës me DRFSKSH Tiranë – Geni&Lori, farmaci e vëllait të Sokol Skurës). Por Sokoli i Rilindjes jo vetëm që nuk u pezullua, ndëshkua, përkundrazi, kjo i dha atributet e duhura për të qenë edhe i pari në listën e Këshillit Bashkiak në Librazhd. A kanë arsye votuesit librazhdiotë ta votojnë këtë këshill që kryesohet nga njeriu që ka qenë pas një skeme abusive me përmasa të paimagjunueshme??? Jam e sigurt që librazhdionët e kanë kuptuar tashmë që vota për përfaqësuesin e Ramës është drejtimi më i gabuar pasi edhe bashkia Librazhd do të përfundojë e falimentuar shumë shpejt siç po falimenton Fondi i sigurimeve

10-Rimbursim në farmaci të rrjetit të hapur të barnave që duhet të jepen vetëm në farmacinë e QSUT (ketosteril)

PSE JEMI KËTU SOT?

Si mundet që Fondi i cili u kthye në një institucion model për nga kontrolli që ushtronte në qeverinë Berisha, tani ka humbur të vetmin funksion që duhet të kishte? Pikërisht KONTROLLIN!

Skema ka qenë e mirëmenduar nga nëndrejtori aktual edhe para se kjo qeveri të hipte në pushtet, me farmacinë e tij në Shëngjergj, e denoncuar nga Partia Demokratike para disa muajsh dhe nuk pati asnjë reagim nga Ministri aktual.

Çdo ndërhyrje e bërë në legjislacion nga ana e Ministrit ka pasur një qëllim të vetëm: Përvetësimin e fondeve publike, parave të taksapaguesve shqiptarë. Pse e them këtë?

1-    Por a ju kujtohen ndryshimet që Beqaj i bëri Ligjit 10383 të cilat bënë që:

  1. Drejtori të mos zgjidhej me konkurim te hapur por me propozim te mbyllur nga anëtarët e qeverisë në Këshillin Administrativ.
  2. Këshilli Administrativ u vu nën tutelën e Qeverisë duke hequr përfaqësuesin e pacientëve dhe të palëve të interesit.
  3. I dha kompetenca të rëndësishme Këshillit Administrativ duke shmangur miratimin në Këshillin e Ministrave me qëllim bërjen fshehurazi të pazareve për klientët e tyre përmes paketave të rimbursuara nga Fondi (lista e barnave te rimbursueshme më kryesorja)

SHMANGIET E RAPORTIT

Gjithkush në këtë sallë, por edhe jashtë saj, do të mendonte që minimalisht, Kryeministri e ka bërë detyrën e tij. Këtë tha Ministri javën që shkoi në seancë, këtë tha edhe në Komision, këtë tha edhe sot. Por, fatkeqësisht, e vërteta e hidhur është krejt ndryshe. Së pari, qëllimi i porositjes dhe urdhërimit të këtij auditi, nuk është ai i pastri, i drejti, dhe i duhuri në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Përkundrazi, të gjithë e dinë që raporti u kërkua dhe inicua thjesht si një luftë mes klanesh të fuqishme që ky Kryeministër dhe Ministër i ringritën dhe i forcuan. Pra, skema është e thjeshtë: njëri që nuk e kanë përfshirë në rrjetin mafioz dhe nuk e kanë bërë pjesë të fitimeve marramendëse, ka spiunuar tjetrin që po i fuste në xhepa këto fitime, hajt ta heqim qafe njërin që torta të mbetet vetëm për ne. Qytetarët tashmë e kuptojnë që s’ka asgjë parimore apo ligjore në tërë këtë historinë e raportit të famshëm.

Së dyti, edhe sikur për një çast të mendojmë që qëllimi ishte ai i drejti dhe parimori, pyetja ime është: A ja arriti qëllimit raporti? A e zbuloi të tërë skemën para organeve kompetentë dhe para publikut? Përgjigja është: JO, pasi edhe ky raport është i manipuluar, i orientuar, e që çon ujë vetëm në një drejtim.

Njësia e Kontrollit të brendshëm në Kryeministri, u urdhërua të fshijë nga akt kontrolli, emrat e personave të lidhur ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë, pronarë të farmacive fantazmë, komshinj të ministrit të shëndetësisë, të kuotuar edhe si donatorë të fushatave  elektorale. Njësia ekontrollit u urdhërua që të fshinte nga raporti emra drejtuesish aktualë, të cilët janë pjesë e përgjegjësive. Dhe për këtë ka qenë ndërhyrja direkte e ministrit dhe kabinetit të tij që ato emra të mos përfshiheshin. Ftoj organet kompetente të verifikojnë të gjitha draftet e raportit më atë finalin dhe të kërkojnë në arsyet e fshirjes së këtyre emrave.

Po ju tregoj disa tabela dhe grafike:

Rimbursimet per 2014 të farmacive të S. Skurajt (portokalli), mikut dhe sponsorit të Beqes (jeshile) dhe farmacitë e audituara nga Kontroli i Kryeministrisë (kuqe). Rimbursimi total:

– për farmacitë e nëndrejtorit është 1,411,003,990 lekë;

– për farmacitë e mikut dhe sponsorit të Ministrit është 1,824,571,620 lekë

– për farmacitë e kontrolluara nga Njësia ë Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsion në Kryeministri është 888,524,430

Siç shihet qartë, 7 farmaci të pasqyruara në raport zënë një vend fare të vogël në skemën e rimbursimit fiktiv në Fondi e Sigurimeve të Detyrueshme. Vihet re qe raporti i urdhëruar ka lënë pa përmendur pikërisht ata që kanë marrë pjesën më të madhe në këtë skandal. Kush i ka urdhëruar inspektorët e njësisë së auditit?

Me skemën që ne lamë, Formalisht është e pamundur në kushte normale pune të ndodhë një dukuri e tillë, sepse sistemi që ne ngritëm dhe ju lamë është aq i sofistikuar dhe i sistemuar që nuk e lejon një gjë të tillë. Ky sistem monitorimi dhe kontrolli ka disa hallka funksionimi të cilat në rastin më të parë që ka luhatjen më të vogël në rimbursim të farmacive apo të mjekëve sinjalizon me njollë të kuqe disa sektorë.

Në drejtorinë rajonale është sektori i pranimit, pastaj sektori i informacionit dhe në fund sektori i mjekut të cilët e përcjellin recetën në disa duar derisa hidhen recetat në sistem online dhe përgatiten tabelat e detajuara për çdo mjek dhe farmaci. Por dyshohet që ju qëllimisht keni shmangur kontrollin e brendshëm të recetave që rimbursohen. Juj qëllimisht keni shmangur dy hallka të rëndësishme duke e kaluar këtë proces vetëm në dy duar duke eleminuar punën e dy sektorëve të rëndësishëm, që do të kapnin këto vjedhje që për ju nuk duhet të kapej, por duhet të kalonte pa u shqetësuar nga askush.

  • Gjithashtu informacion i përditësuar i shkon edhe Drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të fondit;
  • Çdo muaj i dërgohet realizimi i planit të rimbursimit cdo mjeku dhe çdo qëndre shëndetesore. Ka dyshime që raportet të kenë qenë të dubluara dhe të tjerë raporte janë dërguar në Qendrat Shëndetësore/mjekët e familjes dhe krejt të tjerë raporte janë dorëzuar në Fond për rimbursim, në mënyrë që skema të mos zbulohej nga mjekët të cilëve ju falsifikohej vula. Nëse kjo rezulton e vërtetë, kjo do të përbënte skandalin më të madh të dëgjuar ndonjëherë. Ftoj prokurorinë ta hetojë këtë hallkë kaq të rëndësishme e të kërkojë raportet mujore të dërguara në QSH si dhe raportet mujorë të dërguara për rimbursim në Fond.
  • Skema ka qenë shumë e thjeshtë për të funksionuar:
  1. a) Krijimi i disa farmacive fantazmë dhe përfitimi i parave të rimbursimit të tyre nga funksionarët e fondit dhe ministrisë. Nga tabelat duket qarte qe ne muajt qe janë mbyllur disa farmaci, janë hapur farmaci te reja (me të njëjtin pronar);
  2. b) Krijimi i mundësisë së recetave fiktive për Zv. Drejtorin e Përgjithshëm dhe të vëllain nëpërmjet 5 farmacive të tyre. Krijimi i kësaj mundësie është bërë në mënyrë që të pezullohet funksionimi i strukturave kontrolluese, vartëse të Zv. Drejtorit të Përgjithshëm.
  3. c) Krijimi i mundësisë për Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, për të qenë pjesë e kësaj skeme mashtrimi nëpërmjet farmacive të mikut dhe sponsorizuesit të tij. Kontrolli për këto farmaci nuk është bërë pjese e raportit – me urdher direct prej tij;
  4. d) Pikërisht, është kjo dhe shume afera te tjera korruptive ne shëndetësi arsyet qe gjatë kësaj periudhe Beqaj u mor me poshtërimin dhe trembjen e mjekëve nëpërmjet konkursit të famshëm që te mos kishte mundësi të zbulohej skema mafioze.

 

Të zbuluar në këtë vjedhje, autoritetet e fondit të rimbusimeve janë këshilluar të përdorin manovrën e denoncimit në prokurori të disa farmacive, por e vërteta e madhe  e vjedhjes së miliarda lekëve përmes fondit të rimbursimit të  ilaçeve  është mbajtur e fshehur. Në këtë rrjet hajdutësh janë përfshirë mbi 40 farmaci fantazmë.

Akt –kontrolli nuk e shpëton dot ministrin nga përgjegjësia në këtë skemë mafioze të vjedhjes së parave publike përmes ilaçeve të rimbursueshme.

Me lejen e ministrit janë falsifikuar vulat e mjekëve dhe janë rimbursuar me miliona euro receta false me medikamente të dedikuara për njerëzit në nevojë, pensionistë, për personat e diagnostikuar me kancer dhe për pacientët në kujdes paliativ.

Shifrat bërtasin dhe ulërasin!!!

Dhe Beqaj është përgjegjësi kryesor!!!

 

Ministri duhet të japë llogari për këtë vjedhje me vulë dhe firmë të tij.

Ministri i vonuar në dorëheqje, duhet të japë llogari për këtë krim të organizuar në shëndetësi, duke ju mohuar shërbimin jetik mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët sorollaten dyerve të spitaleve për të marrë trajtim mjekësor. Ministri nuk mund të fshihet pas Kryeministrit. Janë vjedhur me receta false 3 miliardë lekë nga fondi për rimbursimin  e ilaceve.

“Ali Beqaj me 40 hajdutët e recetave” duhet t’i dorëzohet drejtësisë !

Të nderuar kolegë,

Misioni dhe produktiviteti I punës parlamentare do e kërkonte domosdshmërisht thellimin  e hetimit parlamentar në këtë skandal të madh shtetëror e pse jo dhe parlamentar derisa krerët  organizatorë janë këtu në Parlament. Nuk mund të funksionojmë  si shtet me natyrshmërinë organike të këtij sistemi korrupsioni që ka gërryes institucionet, zyrtarët dhe qeveritarët, që po pasurohen në mënyrë të paimagjinueshme nga lekët e bukës së shqiptarëve. Kjo mënyrë e të funksionuarit të Parlamentit dhe të qeverisjes nuk ka lidhje me demokracinë parlamentare, ku të të dobtit dhe të cënuarit duhet të jenë zë i ngritur në vendimmarrje dhe jot ë shtypurit e të padëgjuarit nga oligarkia e krimit dhe korrupsionit shtetëror.

 

Dhe sot të cënuarit janë shqiptarët, janë pacientët me kartelë mjekësore, janë mjekët e ndershëm që punojnë e jetojnë me rroga, janë me qindra e qindra farmacistë të moralshëm që nuk u del të shtyjnë muajin e jo të bëjnë fundjava turistike  sikurse bëjnë ato kompani  që janë në krah të ministrit e kryeministrit.

 

Pra sot parlamenti duhet të zgjohet nga nënshtrimi I mafies dhe të fillojë ti japë frymë e inkurajim hetimeve të lira e të paanshme politikisht të këtij skandali. Nuk duhet kurrsesi zoti Beqja dhe shefi juaj të intimidojë e të shantazhojë prokurorinë, organizatat kombëtare e ndërkombëtare të hedhin dritë mbi këtë gropë të hellë abuzimi dhe shkelje të rëndë të ligjit dhe posteve shtetërore.

 

Nga ana tjetër ka një kosto minimale që ju duhet të paguani politikisht , dorëheqjen si një akt përgjegjshmërie, vullneti  dhe pavarësie që kërkojnë hetimet specifike të këtij precedent të rrezikshëm shtetëror.

 

Kurrsesi nuk është rasti që skandali të zhvendoset nga sensacioni  tjetër i radhës prodhuar  nga makineria e lajmeve dhe edicioneve të propagandës suaj, pasi në të kundërt ju do të hyni në histori si ministri më kampion i korrupsionit dhe i mosndëshkimit të abuzimit me fondet publike.


Fjala e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi, gjatë interperlancës në Parlament, 28 Maj 2015