Me një pjesëmarrje masive të mijëra qytetarëve të Shkodrës, Voltana Ademi, kandidate e Partisë Demokratike për kryetare Bashkie, hapi mbrëmjen e 24 majit fushatën elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit 2015 me një miting madhështor në sheshin “Nenë Tereza”.
Gjatë fjalës së saj, Voltana Ademi është ndalur tek situata e rendë ekonomike që ka pllakosur Shkodrën nga qeverisja e majtë. Ajo ka kërkuar mbështetjen e banorëve të Shkodrës duke premtuar më shumë punë, dinjitet dhe mirëqenie.
“Të gjithë bashkë jemi të ndërgjegjshëm që situata ekonomike në vend por sidomos ajo në Shkodër ka pësuar një rënie dramatike përgjatë 2 viteve të fundit të qeverisjes Rama-Meta. Koalicioni majtë PS-LSI, ka mbjellur varfëri, varfëri ekstreme, papunësi,pasiguri për jetën, pa pasur një rrugë shpëtimi, shkodranët gjithnjë e më shumë po largohen nga Shqipëri pasivisht me gra dhe fëmijë si në fillim të viteve ’90. Qeveria thotë se këta njerëz ikin të mashtruar nga krimi i organizuar por i vetmi organizator dhe nxitës i kësaj të keqeje të madhe është dyshja Rama – Meta. Jemi këtu për të treguar vendosmërinë tonë për të rikthyer dinjitetin njerëzor nëpërmjet punës dhe përgjegjshmërisë. Ne duhet të bëjmë më shumë për Shkodrën tonë, Shkodrën e kulturës dhe traditës”, tha Ademi.
Kandidatja e së djathtës për Shkodrën Voltana Ademi theksoi se do t’i shërbeëj të gjithë qytetarëve në të njëjtën mënyrë, pa marrë parasysh nëse janë nga Bashkia apo Komuna, nëse vijnë nga një parti tjetër politike apo nga asnjë parti politike.
“Unë do të jem atje për t’ju shërbyer ju”, theksoi znj.Ademi.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 25 Maj 2015