Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, vazhdon turneun e takimeve në zonën e pallatit me shigjeta, Medresesë dhe Laprakës.

Kandidati për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova, dëgjoi nga afër një ndër problematikat më të mëdha të komunitetit rom në zonën e pallatit me shigjeta, siç është edhe strehimi, duke sqaruar se si konflikti politik në Tiranë ka lënë pa banesa qindra qytetarë. Në këtë komunitet Halim Kosova u angazhua se do t’i japë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje që vijon tashmë prej vitesh.

Kosova u shpreh se: “Ne do bëjmë një Bashki që mos ndikohet nga politika, por të ndikohet nga halli i qytetarëve. Shembulli më i qartë se si politika mund të dëmtojë qytetarin e vetë, se si politika mund të bëhet pengesë, është mosmbledhja e Këshillit Bashkiak për t’u dhënë sipas listës apartamentet falas”.

‘’Kush do na qajë hallin neve? Të na hapin rrugët të ikim në vend tjetër, të na hapin rrugën, mos rrimë ne këtu. Gjithë romët janë pa shtëpi. Ato kasollet që i kanë do prishen, ku do shkojmë neve, ku të mbytemi ne?’’, shprehet më tej një qytetar.

Kandidati Kosova nga ana tjetër u shpreh se ky komunitet duhet të organizohet dhe kërkojnë të drejtat e tyre.

Në zonën e Medresesë ndihet rënia e konsumit dhe varfëria.

Tregtarja: ‘’Ne si tregtarë themi që ka rënë leku edhe nuk ka punë. Kjo është. Dhe kemi shpresuar shumë që çdo gjë do bëhet më mirë por kjo qeveria që erdhi më keq e bëri’’. 

Kosova vijon më tej: ”Ky vend nuk është se është i mallkuar, por njeriu i duhur në vendin e duhur”.

Ndërkohë gjatë takimit të tij me banorët e zonës së Laprakës ai u shpreh se: ”Qyteti i Tiranës ka nevojë për ndeshje të bukura, ka nevojë për ballafaqime frytdhënëse, ka nevojë për të prekur jetën e çdo qytetari dhe mos ndahesh nga problemet që ka ai.”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7  Maj 2015