Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Halim Kosova u takua me tregtarët e tregut Çam të cilët po vuajnë rënien e fuqisë blerëse. Problemeve të tyre u shtohen dhe taksat e rritura nga qeveria dhe tarifat e larta të energjisë. “Vazhdon prapë historia e mbifaturimit të korentit mbi biznesin. Po e mori Erjon Veliaj do t’i rrisë çmimet e taksat, si Edi Rama. Tani shpresojmë të jesh ti në krye”, u shpreh një tregtar.

Halim Kosova e ka parim që sa më shumë para t’u mbeten tregtarëve të vegjel, aq më shumë mundësi do të kenë ata të zgjerohen e të krijojnë vende pune.

“Sa më shumë lekë të kesh në xhep aq më shumë do mendosh të përmirësosh gjërat, për të marrë ndonjë njeri në punë. Gjithë çelsi aty është”, tha Kosova.

Kandidati Kosova u takua edhe me fermerë të Kasharit të cilët ankohen për taksat e larta.

“Taksa është aq shifër e madhe sa prodhuesit nuk arrijnë dot ta paguajnë taksën se është shumë e lartë”, tha një fermer.

Kosova thotë se ai do të angazhohet që mundësitë e fermerëve të shtohen, ç’ka do të ndihmojë në rritjen e tyre nga ku do të përfitojnë gjithë qytetarët.

“Ky prodhim i shkëlqyer që ti dhe shumë të tjerë përreth bëni, si t’ju shkoj në treg me qëllim që të justifikojë djersën tënde por edhe mos rëndojë qytetarët. Të justifikohet djersa juaj familjarisht. Qëllimi im nuk është që ty të të justifikohet, që ti të rish gjithë ditën në diell për të larë ato që ti ke investuar. Problemi është që ty të të ngelen sa më shumë lekë sepse sa më shumë lekë do të thotë më shumë mekanizim, më shumë zgjerim, më shumë mundësi për qytetin”, tha Kosova.

Kandidati për kryebashkiak, gjatë takimeve në Kashar u takua edhe me disa vizitorë italianë pranë liqenit në fshatin Kus, destinacion që me vëmendjen e bashkisë do kthehet në atraksion të mirëfilltë turistik.


Njoftim për shtyp e Partisë Demokratike, 3 Maj 2015