Partia Demokratike dënon me ashpërsi dhunën e orkestruar  që u ushtrua në nisje të aktivitetit për prezantimin e kandidatit të opozitës  në Kolonjë, ku një person i njohur për lidhjet e tij me pushtetin,  hodhi një karrige në drejtim të qytetarëve të mbledhur në aktivitet duke plagosur zotin  Fuat Ndini 65 vjeç. Z. Ndini u shoqërua menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjeksore për shkak të plagëve të rënda në kokë.

Mos distancimi ndaj këtij sulmi nxjerr zbuluar autorët dhe porositësit që janë të njëjtët që kanë frymëzuar akte dhune edhe në qytete të tjera kundër opozitës. Ky është tregues i panikut dhe frikës që ka kapur dyshen Rama-Meta nga gjykimi popullor me votë në 21 qershor.

Partia Demokratike shpreh mirënjohjen ndaj anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve shqiptarë që kanë vërshuar masivisht  në takimet prezantuese të kandidatëve tanë. Ne i sigurojmë ata dhe mbarë qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike  do të vazhdojë dhe intensifikojë fushatën e saj dinjitoze, qytetare dhe demokratike.

Partia Demokratike paralajmëron dyshen Rama-Meta se çdo përpjekje  apo presion kriminal i frymëzuar dhe i paguar nga kjo dyshe,  nuk do të arrijë kurrë të  mposhtë vendosmërinë plebishitare të qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë gjykimin e merituar, por  vetëm do ta shtojë padurimin e shqiptarëve të bashkuar për të  larguar një orë e më parë oligarkinë  Rama-Meta nga keqqeverisja shkatërrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Maj 2015