Koalicioni i majtë në pushtet po e kërkon shpëtimin nga humbja e sigurt që pret në Bashkinë e Vorës tek reprezaljet policore, presioni shtetëror dhe tek dhuna e falangave të krimit. Ndonëse fushata elektorale nuk ka nisur ende zyrtarisht, sipas Kodit Zgjedhor, në territorin e kësaj bashkie janë shtuar me ritme të shpejta rastet e incidenteve dhe të dhunës për motive të qarta politike.
Vëllai i kryetarit të Partisë Socialiste të Prezës, Agim Kajmaku, goditi në një ambient publik shefin e kabinetit të kryetarit aktual të bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i cili kandidon për zgjedhjet e 21 qershorit nën siglën e Partisë Demokratike. Zoti Subi Përzhilla u sulmua në mënyrë të papritur nga agresori i dhunshëm, sepse, sipas këtij të fundit, tani pushtetin e kishte e majta dhe askush tjetër nuk mund të guxonte të fitonte përveç saj dhe se Partia Demokratike as fushatë nuk duhet të bënte.
Vetëm dy netë më parë një punonjës i policisë bashkiake u shoqërua pa asnjë shkak nga forcat e komisariatit 6 dhe u mbajt disa orë pa asnjë arsye bindëse, me pretekstin absurd që përdoret rëndom nga policia, “për disa verifikime”. Kjo ishte hera e tretë që ai ndalohej dhe shoqërohej në polici në harkun e pak ditëve. Ngjarje të tilla po bëhen të shpeshta edhe në fshatrat e tjera që përfshihen në territorin e kësaj bashkie, sidmos në Prezë, ku spikat zelli i shefit të krimeve, Përparim Zenuni, që më shumë se punonjës i policisë së shtetit, duket se është një militant i thekur partie.
Ndërkohë, gjatë gjithë këtyre ditëve në zonën e Vorës, Prezës dhe Bërxullit, ka një prani të shtuar nëpunësish të administratës shtetërore, që nga ministra të kabinetit të Edi Ramës, kryesisht të LSI-së, e deri tek drejtorë të rëndësishëm, që u bëjnë presion të hapur arsimtarëve, mjekëve, bizneseve dhe subjekteve të tjera private.
Partia Demokratike siguron mbështetësit e saj në territorin e bashkisë së Vorës se nuk ka asgjë në botë që të ndalë fitoren tonë në këtë njësi administrative dhe se ajo do të qëndrojë fort pas çdo rasti dhune dhe presioni për të deformuar vullnetin e zgjedhësve të kësaj qeverie në panik. Ndërkohë, ajo i kujton çdo nëpunësi “cub” të administratës dhe çdo polici “të fortë” se do të mbajnë përgjegjësi personale sipas ligjit, për çdo akt të paligjshëm që cënon zgjedhjet e lira e të ndershme. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Vorën, por për gjithë Shqipërinë.
Dhe një kujtesë të fundit për Ilir Metën, i cili me sa duket qëndron në hije të gjithë kësaj që po ndodh në Vorë, pasi e ka zgjedhur vetë kandidatin e humbur të së majtës atje. Nuk do të arrish kurrë të kthesh kohën e zgjedhjeve më të këqija që janë mbajtur ndonjëherë në Shqipëri, ato të vitit 2001, kohën kur ti ishe kryeministër.
Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, 17 Maj 2015