Partia Demokratike denoncon para opinionit publik dhe institucioneve ndërkombëtare përdorimin nga Edi Rama për qëllime elektorale të institucioneve qeveritare, fondeve dhe administratës publike.
Pas urdhërit ndaj drejtorëve të administratës publike për të mbushur kutitë e votimit, Edi Rama ka urdhëruar vënien e institucioneve publike në dispozicion të fushatës së kandidatit për Tiranën.
Në dy ditët e para të nisjes zyrtare të fushatës elektorale të dy aktiviteteve të zhvilluara nga kandidati i Edi Ramës, janë në dhunim të hapur të nenit 3 të Kodit Zgjedhor duke përdorur institucionet publike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ALUIZNI-t.
Ministria e Shëndetësisë u vu në shërbim të kandidatit të Ramës duke dezinfektuar për interes të fushatës, por në fakt duke ndotur rëndë standardet e këtyre zgjedhjeve.
ALUIZN-i, së bashku me drejtorin e kësaj agjencie, janë kthyer në zyrë partiake ne dispozicion të kandidatit të Edi Ramës për Tiranën. Sot kandidati i Edi Ramës, një qytetar privat pa asnjë atribut publik, shpërndau leje elektorale dhe kjo është hera e tretë brenda pak ditësh.
Përdorimi i institucioneve, fondeve dhe administratës publike, është shkelje e rëndë dhe flagrante e nenit 3 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e aseteve publike në fushatën elektorale dhe konkretisht në pikën 7 dhe të 8 të këtij neni thuhet :
Neni 7. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli.
Neni 8. Institucionet e administratës publike, të çdo niveli, me veprimtarinë e tyre nuk duhet të cënojnë zhvillimin e zgjedhjeve.
Partia Demokratike i bën thirrje misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR, dhe përfaqësive diplomatike të BE-së dhe SHBA-së të monitorojnë nga afër këto shkelje të ligjit dhe cënimin e standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal dhe të vërë para ligjit autorët dhe përgjegjësit e kësaj shkelje të hapur dhe të rëndë të Kodit Zgjedhor.
Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, 23 Maj 2015