Sot do ju njohim me një tjetër skandal të Rilindjes por në dallim nga skandalet e tjera përsëritet vetëm kur ka zgjedhje.

Partia Demokratike prej disa muajsh po ndjek me vëmendje se si Vangjush Dako me larot e tij po përgatisin skemën për të deformuar vullnetin e qytetarëve durrsakë.

Mekanizmi për ta bërë këtë është regjistrimi në listat e zgjedhësve të Bashkisë Durrës, i njerëzve me bindje të majta, që aktualisht banojnë në territorin e bashkive të tjera, duke u ndryshuar në mënyrë fiktive regjistrin e gjendjes civile dhe konvertuar ata në banorë të Bashkisë së Durrësit.

Skema ka filluar të zbatohet në muajin mars kur Vangjush Dako u garantua që do të jetë ai kandidati i Partisë Socialiste pë Bashkinë Durrës.

Sikurse shikoni në grafik, hyrjet e banorëve të rinj në territorin e Bashkisë së Durrësit nga muaji Qershor 2013 deri në janar 2015 janë mesatarisht 183 persona në muaj. Ky trend me rritje të lehte vazhdon edhe në janar dhe Shkurt me rreth 250 persona në muaj.

Në muajin mars kur u vendos që Vangjushi të kandidojë për Partinë Socialiste, skema fillon të zbatohet dhe hyrjet rriten në 774, në dy javët e fundit të prillit në 1412 dhe në total janar – prill janë 2702 persona. Ata kanë ardhur nga Vora, Preza, minibashkitë e Tiranës, Kavaja, Sukthi dhe rrethe të tjera.

Për të bërë levizjen e vendbanimit duhet që të kesh një banese së paku të marrë me qera. Këtu hyn në skeme Drejtori i Ndërmarrjes së Plazhit në Bashkinë e Durrësit, Alfred Dhuli, vartës i Vangjush Dakos i cili u ofron atyre strehim provizor në pronat e Bashkisë Durrës në Plazh dhe Currila, me kontrata provizore, pa pagesë, dhe pa vendim të Këshillit Bashkiak. Ai ka bërë kontrata ku ka sistemuar edhe dy familje me 8 anëtarë në 15 metra katror sipërfaqje banimi.

Krahas tij, strehim provizor ofron ortaku në biznesin e ndërtimit i Vangjush Dakos, anëtar i Këshillit Bashkiak, i cili u “shet” të ardhurve të rinj apartamente ende të pandërtuara dhe këto kontrata shërbejnë për të realizuar ndryshimin e vendbanimit.

Noterizimi bëhet kryesisht në dy notere besnike emrat e të cilave i disponojmë.

Asnjë prej të ardhurve rishtas në Durrës për të votuar në zgjedhjet e 21 qershorit nuk banon në vendbanimin e ri në Durrës sikurse do ta shihni edhe në regjistrimet filmike që kemi bërë.

Si ka vepruar Partia Demokratike?

Auditi i saj në KQZ, inspektoi zyrat e gjendjes civile në Durrës dhe verifikoi të gjitha këto fakte të cilat sot po i bëjmë publike dhe përgatiti një raport të cilin KQZ e shqyrtoi ditën e hënë pasdite. KQZ vendosi që raportin t’ia kalojë Prokurorisë së Përgjithshme për ndjekje të mëtejshme mbi bazën e të dhënave të qarta për skemë për manipulimin e zgjedhjeve.

Partia Demokratike po bën kallëzim penal për autorët dhe ekzekutorët e kësaj skeme përfshirë çdo individ në listën e deritanishme që ne disponojmë me emër dhe mbiemër, nga kanë ardhur dhe ku janë regjistruar në Durrës.

Dje informuam dhe ju vumë në dispozicion një kopje të materialeve Ambasadorit Amerikan, Ambasadores së BE-së dhe Ambasadorit të OSBE-së. Jemi në proces për të informuar Këshillin e Ministrave të BE-së, Parlamentin Europian, OSBE-në dhe ODHiR-in në Vjenë, Këshillin e Evropës, dhe Kongresin e autoriteteve lokale.

Askush të mos shohë ëndrra se mund të vjedhë zgjedhjet në 21 Qershor. Sikurse e shihni edhe nga ky njoftim publik që po bëjmë, ne jemi plotësisht të informuar për hapat e tyre dhe i kemi të gjitha mjetet që ta pengojmë atë.

Qytetarëve të Durrësit duam t’u themi se Vangjush Dako i cili e përdori pushtetin për 8 vite për të ndërtuar perandorinë e bizneseve të tij, sot e ndjen urrejtjen e zgjedhësve për gjithë çka abuzuar dhe përpiqet të deformojë vullnetin tuaj me votues të importuar nga rrethe të tjera të vendit por nuk do ta arrijë atë. Dërrmojeni me votë.

Një paralajmërim dëshirojmë t’i bëjmë edhe një individi, hajdutit të tenderave në OSHEE, i cili ka marrë përsipër organizimin dhe ekzekutimin e skemës për të sjellë votuesit e importuar në Durrës në 21 Qershor për të votuar.

Do të kesh një llogari të hapur me Partinë Demokratike nëse fut duart në zgjedhje. Hajdutët e zgjedhjeve do kenë të njëjtin fund si kudo.


 

Deklaratë e n/kryetarit të Partisë Demokratike Edmond Spaho, 6 Maj 2015