Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e bashkëbisedimit me qytetarët në Maliq, Korçë, Devoll, Ersekë. Zoti Basha është njohur me shqetësimet e tregtarëve dhe banorëve të cilët sot nuk sigurojnë dot as bukën e gojës. Zoti Basha duke shpalosur platformën e  tij tha se hapja e vendeve te reja te punës, me qëllim rritjen e konsumit dhe ulja e taksave janë prioritete të tij.

Tregtar: S’kemi punë fare, fare.

Tregtare: Jam vetë i nëntë në shtëpi, me një kuti banane, nuk kam as punë, asgjë, duam punë, jemi futur në borxhe ku nuk dalim dot.

Tregtar:  Për bukë, ujë drita, këto lekë kemi, pa punë jemi.

Tregtar: Deri në datën 20 do paguajmë tatimet, 250 mijë lekë.

Basha: Ne do i ulim taksat, nuk ka rrugë tjetër. Nëpërmjet uljes së taksave, duhet të hapim punë për njerëzit.

Banore: Dy fëmijë kam, me gjakun e trupit i kam mbajtur deri tani, nuk jam e zonja të paguaj as vendin, asgjë, as drita, asgjë s’paguaj se s’kam.

Basha: Këtyre familjeve do u vihet në ndihmë, familjes tënde që s’ke njeri të punësuar duhet patjetër të merrni ndihmën ekonomike.

Tregtare: Që në mëngjes një njeri qarkullon. Të tërë ruajmë me sy se ku do venë. Çfarë i bëhet kësaj, ku të vejë më parë?

Basha: Që të ndryshojë duhet të ulim taksat, çmimin e energjisë, çmimin e naftës se në kohë krize janë rritur të treja këto dhe e kanë pamundësuar biznesin që të punësojë njerëz.

Basha: Uljen e çmimit të energjisë me 25%, uljen e çmimit të naftës me 200…

Tregtar: Këto dy vitet e fundit, jemi …zero!

Nga Devolli, kryetari i PD Lulzim Basha i ka kërkuar kryeministrit të dekriminalizojë politikën dhe administratën, ndërsa i ka adresuar disa pyetje për kandidatin e mazhorancës në Devoll.

“Po i them kryeministrit, ore këtë kandidatin tënd di gjë se çfarë e ke!? Po si e ka emrin njëherë, Beni apo Koço? Po babai si e ka, Panajot apo Xhek? A ka pyetur pse e ka ndërruar emrin? Me gënjeshtra e trafiqe do ecë përpara ky vend? Ky vend do ecë përpara me Bledionin, me rininë, me të vërtetën” – theksoi Basha .

Në Ersekë, kryetari i Partisë Demokratike ka denoncuar presionin mafioz që po i bëhet kandidatit të opozitës. Pasi ka bashkëbiseduar me qytetarët e Kolonjës, zoti Basha tha se sjellja e mazhorancës tregon panikun që i ka kapur nga llogaridhënia në 21 qershor dhe humbja e thellë e zgjedhjeve.

Tregtar: Për fuqinë blerëse…nuk bëhet hiç asgjë, kemi bërë , edhe bashkia…

Tregtare: Përfunduam me qira, burrin çoban në Greqi.

Banor: Dhe vijnë i regjistrojnë bagëtitë natën.

Tregtar: Një vit e gjysmë pa punë.

Basha: Pse e ke kyçur?

Tregtar:  Sigurim i lartë, taksa e lartë, dritat të larta, të gjitha të larta. Më mirë e kyç edhe mbledh trutë, iki andej nga mali.

Rrobaqepës: Xhiro na ka rënë, para s’ka, taksat janë një çik të larta.

Basha: Po vjen ora e llogarive me popullin. Ku i kanë vendet e punës? Ku i kanë taksat e ulura? Ku i kanë çmimet e ulura? Me stilin e tyre tipik të një organizate kriminale kishin çuar para dy ditësh edhe ministrin të na kërcënonte kandidatin tonë, për një arsye të vetme. Sepse e dinë që Viktor Duro është fitues me votën e të djathtëve e të majtëve.

Në qytetin e Pogradecit, zoti Basha mori pjesë në prezantimin e platformës së kandidatit për kryetar bashkie Eduart Kapri. Ulja e taksave, rritja e mundësive për punësim dhe investimet në funksion të turizmit ishin disa nga pikat e platformës së zotit Kapri. Zoti Basha tha se kanë mbetur edhe dy javë për të kthyer shpresën tek qytetarët e majtë e të djathtë që sot vuajnë nga keqqeverisja.

“Për punësimin nuk flasin, për varfërinë nuk flasin, mendojnë se do ia hedhin, se në 21 qershor ju do të harroni që premtuan punësim e nuk sollën punësim por hoqën njerëz nga puna; që premtuan luftë ndaj varfërisë por sot mjerimi është pesëfishuar sipas vetë statistikave të qeverisë; që premtuan se do të ishin në krah të biznesit duke ua ulur taksat dhe sot ia kanë dyfishuar; se premtuan shëndetësi falas por sot na kanë sjellë korrupsionin me ilaçet. Edhe dy javë për të kthyer shpresën rikthyer vendin në rrugën e një të ardhmeje të sigurt, një ekonomie të fortë për të gjithë ju” – theksoi zoti Basha .


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Qershor 2015