Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vizituar në spitalin e traumës dy efektivet e policisë të plagosur në Lazarat. Lideri i opozitës u ka uruar të plagosurve shërim të shpejtë sikundër ka shprehur dhimbjen dhe hidhërimin për efektivin e policisë së RENEA-s Ibrahim Basha, i cili humbi jetën, dhe u ka shprehur ngushëllime familjareve, miqve dhe kolegeve të tij.
Prononcimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha
Në orët e para të mëngjesit kemi ndjekur nga raportimet e mediave zhvillimet në Lazarat, si rezultat i së cilave ka humbur jetën një efektiv i forcave speciale të policisë RENEA, Ibrahim Basha, një efektiv i ri në moshë dhe i ri në repartin e RENEA, një humbje për të cilën dua të shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet e mia familjarëve të Ibrahimit, kolegëve e shokëve të tij. Jemi thellësisht të shokuar nga kjo humbje. Vizituam dy kolegët e tij, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj të cilët janë me plagë të lehta fatmirësisht dhe jashtë rrezikut. U uroj shërim të shpejtë të dy efektivëve.
Kemi kërkuar që në orët e para, minutat e para kur ngjarja është bërë publike nga mediat, nga policia të marrë të gjithë masat, për të mos pasur cënimin e jetëve të efektivëve të policisë së shtetit dhe popullsisë civile. Kemi kërkuar që autorët të ndalen me forcën e ligjit, kemi kërkuar atë që mungonte deri tani, transparencën për çfarë ndodhi e çfarë po ndodh.
Një fakt shqetësues që sapo morëm vesh nga dy të shtruarit është që i gjithë grupi i efektivëve që është goditur nga kriminelët ka qenë në skenën e operacionit me një automjet të papërshtatshëm, wolsvagen
Ky nuk është momenti për t’u ndalur këtu por një analizë e plotë dhe e gjithanshme për humbjen e jetës, plagosjen e vënien në rrezik të efektivëve të policisë por ajo duhet bërë patjetër me objektivitet, pa politizim.
Shpreh keqardhjen e thellë që me një qëndrim totalisht të papranueshëm, kryeministri i vendit, njeriu që duhet të marrë përgjegjësi të bëjë transparencë për këtë ngjarje gjeti rastin ta përdorë këtu tek dera e spitalit për të bërë politikë e për të sulmuar opozitën, me një frymë.
Është një deklaratë e papërgjegjshme, diabolike që unë e hedh poshtë me neveri. Nuk ka asgjë të dykuptimtë në dënimin që i bëjmë me ashpërsi këtij akti kriminal të goditjes së efektivëve të policisë së shtetit. Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi qenë, jemi e do të jemi gjithmonë në krahun e çdo efektivi të policisë së shtetit në detyrë dhe në zbatim të ligjit.
Nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh mbrojtjen e jetëve të efektivëve të policisë së shtetit, jetëve të popullsisë civile, nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh transparencën që mungon në këtë çast, ndaj është një deklaratë e papërgjegjshme, diabolike e me motive të errëta
Edhe njëherë, shpreh ngushëllimet e mia për familjen e Ibrahim Bashës, kolegët e tij dhe u uroj shërim të shpejtë të dy efektivëve të policisë së shtetit.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 24 Qershor 2015