Kryetari i Partisë Demokratike është ndalur në Korçë në përmbyllje të turit elektoral për zgjedhjet e 21 qershorit. Zoti Basha tha ne fjalën e tij se 21 qershori është dita kur populli vendos me votë për mënyrën e qeverisjes, por edhe ofertën që është më e mira, për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre. Edi Rama dhe Ilir Meta kanë të tjera prioritete, tha zoti Basha, ata synojnë kontroll absolut, pushtet absolut që t’u shërbejë atyre dhe jo qytetarëve.

“I janë vërsulur në këto zgjedhje lokale opozitës, kryetarit të opozitës, kandidatëve tanë, qytetarëve me kërcënime, me shantazhe, me presione, me diversione, me gjithçka për t’i mashtruar, për t’i kërcënuar, që të mos e kthejnë 21 qershorin në atë që është, duhet të jetë dhe do të jetë, dita e gjykimit popullur me votë, sepse këta erdhën në pushtet duke premtuar ulje taksash, kur i rritën taksat, askush nuk i ka harruar, korçarët i vuajnë ditë për ditë në shtëpi, shqiptarët i vuajnë ditë për ditë në shtëpi. Sepse këta erdhën në pushtet duke premtuar 300 mijë vende pune. Nuk hapën asnjë vend të ri pune, as nuk u munduan të hapnin vende pune, në fakt jua bënë jetën tuaj më të vështirë sepse me taksat e larta me rritjen e çmimit të energjisë dhe të naftës mbyllën me qindra sipërmarrje të vogla e të mesme, mbyllën dhe vështirësuan mundësitë e biznesit të madh për të marrë njerëz në punë, e në fakt i detyruan ata për të nxjerrë njerëz nga puna. Nxorrën në mënyrë arbitrare kundër ligjit mijëra nëpunës të ndershëm të shtetit, askush se ka harruar Brunilda Mekën e nuk do ta harrojë. Në këto kohë të vështira, jua kanë bërë njerëzve edhe më të vështirë jetën. Edi Rama sillet sot si vëllai binjak i Sudes, në një piramidë të stërmadhe mashtrimesh. Edi Sudja premtoi punësim dhe solli shpunësim, premtoi taksa të ulëta dhe solli taksa të larta, premtoi ulje të çmimit të energjisë dhe solli rritje të çmimit të energjisë”.

Deri më sot, tha zoti Basha, nuk kemi parë asnjë zgjidhje nga dyshja Rama-Meta, asnjë ofertë. Janë munduar ta fshehin me propagandë realitetin dhe të mos japin zgjidhje per të.

“Kemi parë rënien e konsumit, varfërinë e papunësinë, u kemi thënë jepju zgjidhje qytetarëve. Interesi i oligarkisë janë vilat, interesi i oligarkisë janë hotelet, interesi i oligarkisë janë fundjavat e luksit në Europë, në të njëjtën Europë që ku kanë nisur si refugjatë qytetarët e vet. Interesi i oligarkisë është kulla e korrupsionit që është bërë me lekët tuaja, me djersën tuaj, me gjakun tuaj.Sa probleme mund të zgjidheshin me paratë që hodhi në këtë kullë? Sa probleme mund të zgjidheshin, sa familje mund të ndihmoheshin, sa njerëzve mund t’u vihej në ndihmë, por jo, vendosi të bëjë kullën, dyfish më shtrenjtë, sepse gjysma e parave zhduket në xhepat korruptivë. Kjo pra është e vërteta. Nuk e sheh popullin e vet, nuk e dëgjon popullin e vet. Ne i themi ku i ke taksat e ulura, ky thotë kam mbjellë palma, ne i themi ku e ke energjinë e ulur, ky thotë kam bërë kullën, ne i themi ku ke 300 mijë vendet e punës. Vlonjatët nuk guxoi t’i shohë në sy e mos t’i thoshte të vërtetën. E tha më në fund mbrëmë, e pranoi më në fund papunësinë. E pranoi varfërinë, e pranoi mjerimin, s’ka nga të shkojë. Populli e ka rrethuar, hallet tuaja, problemet tuaja, nuk mund të injorohen.  E pranoi, por çfarë bëri këto dy vite për t’i zgjidhur këto probleme?”

Nuk ka emergjencë më të madhe se lufta ndaj papunësisë, varfërisë, pasigurisë sot, prandaj, tha zoti Basha, oferta e Partisë Demokratike është ngritur pikërisht mbi këtë emergjencë.

“Dita e sovranit në demokraci vonon por nuk mungon, 21 qershori është dita e sovranit, 21 qershori është dita juaj, është dita kur kartonat i keni ju, vendimin e keni ju me votë. Me votë vendosim së bashku një paketë shpëtimi për Shqipërinë për të ulur me 25% çmimin e energjisë, për të vendosur taksën e sheshtë më të ulët në Ballkan, për rrogat dhe të ardhurat dhe për taksat e biznesit në mënyrë që paratë të mos shkojnë në xhepat e oligarkisë, siç janë zhdukur 150 mln dollarë nga doganat shqiptare, në këto 5 muaj 150 milion dollar që duhet të ishin në xhepat tuaja, në tavolinat e fëmijëve tuaj dhe që sot janë konta të majmura të oligarkisë dhe të bandës, të votojmë pra për uljen e taksave, të votojmë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, të votojmë paketën tonë për të ulur me 20% çmimet e miellit, sheqerit, orizit, vajit, qumështit, mishit, vezës sepse ky është një problem i madh, mbyllja e muajit, blerja e ushqimeve që këta nuk e shohin dot, të heqin TVSH-në për ushqimet. Vota juaj është ligj i ligjeve, nuk ka emergjencë më të madhe se gjendja ekonomike dhe ne ofrojmë shpëtimin, ofrojmë rrugëdaljen, ofrojmë shpresën. Nuk ka emergjencë më të madhe se lufta ndaj papunësisë, ndryshe do të kishtë qënë Shqipëria nësë të gjithë energjinë që e përqëndron kundër opozitës, kundër kandidatëve tanë me kërcënime dhe mashtrime do ta kishte investuar për të luftuar papunësinë”,- përfundoi zoti Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 15 Qershor 2015