Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e takimeve elektorale në Vorë dhe në Paskuqan. Shqiptarët, tha zoti Basha po presin me një padurim të madh për të shkuar drejt 21 qershorit dhe me votën e tyre, për të vendosur një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e tyre e për t’i dhënë një mësim të madh për mashtrimet e 23 qershorit dyshes Rama –Meta.

Premtuan 300 mijë vende pune e në fakt mbyllën mijëra vende pune, premtuan ulje të çmimit të energjisë por e rritën atë, premtuan ulje taksash por i rritën ato, premtuan ulje të çmimit të naftës por e rritën atë.

“21 qershori është dita e llogarive, është dita për të kërkuar llogari me votën tuaj për premtimet e pambajtura, është dita për të vendosur me votë një mësim ndaj pushtetarëve që mashtruan, gënjyen e ju kthyen shpinën. Detyra jonë është t’u ofrojmë shqiptarëve rrugën e daljes, të shpëtimit, rrugët e zgjidhjes të këtyre problemeve përmes uljes së taksave kombëtare në nivelin më të ulët në Ballkan, ulja me 25% e çmimit të energjisë, falja e kamatë-vonesave, rritja e rrogave e pensioneve, rifutja në listën e ndihmës ekonomike të çdo familje, të hequr me të padrejtë dhe çdokujt tjetër që e meriton, krijimi i kushteve për blegtorinë e bujqësinë dhe sipërmarrjen në tërësi që të ndihet e sigurt, të punojë e qetë, që me punë të sigurojë të ardhmen e familjes së vet dhe të sigurojë edhe më shumë punësim, punë me paga dinjitoze për rininë e papunë dhe kryefamiljarët e papunë të Vorës e Shqipërisë”.

Kryetari i PD Lulzim Basha ka pëcjellë nga Vora një mesazh edhe për dyshen Rama-Meta.

“I them sot nga ky shesh i Vorës, zëri i bashkuar i shqiptarëve në 21 qershor është ligji i ligjeve, do të detyroheni ta respektoni ose ju ka ardhur koha të largoheni! Le t’i japim me votën tonë fund këtij dy vjeçari të tkurrjes, falimentimit, rënies ekonomike dhe shpirtërore për shkak të taksave të larta, papërgjegjshmërisë, hipokrizisë, poshtërimit që solli dyshja Rama-Meta, me papërgjegjësinë e saj. 

Askush nuk ka të drejtë të vendosë me dhunën  e krimit dhe krimin e dhunshëm. Ju keni të drejtën, ju keni fuqinë, ju do të vendosni me votën tuaj, për veten tuaj dhe familjet tuaja. Ndaj, i pashmangshëm është verdikti juaj. 

As mos t’i shkojë në mendje askujt se mund të blejë apo kërcënojë votuesit këtu në Vorë! Sot, dua t’i paralajmëroj nga Vora ata që më kot u përpoqën të zhbëjnë fitoren e thellë të Fiqiri Ismailit, se janë në vëzhgimin tonë të përhershëm, se i njohim kokërr për kokërr, me emër e mbiemër. U themi, lidhini zagarët, hiqini duart nga vota e lirë e qytetarëve! Ora e gjykimit me votë nuk ndalohet, gjykimit të popullit t’i bindeni të gjithë, gjykimi po afron, fitorja po afron. Fitore, fitore, fitore!”

Në vijim të turit elektoral, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal edhe në Paskuqan. Zoti Basha tha se  po vidhen paratë e shqiptarëve me tenderë korruptivë, pa minimumin e transparencës. 130 milionë dollarë në më pak se 5 muaj i mungojnë arkës së shtetit, – tha zoti Basha, ndërsa qytetaret vuajnë për bukën e gojës.

135 milionë dollarë i mungojnë arkës së shtetit. Banda e doganave dhe Tatimeve, në bashkëpunim me dyshen Rama-Meta dhe klientelën e tyre jo vetëm që fusin duart thellë në xhepat tanë, në xhepat tuaj por asnjë qindarkë nuk e kthejnë në punë, punësim dhe në investime për ju. Projekte luksi po, me fatura korrupsioni, projekte ku një palmë kushton sa një pyll por asgjë të pritshme për ju, asnjë vend të ri pune për ju, asnjë ulje taksash për ju, asnjë respekt, asnjë ndjeshmëri  për dhimbjen tuaj”.

Mazhoranca nuk ka ofertë, – tha zoti Basha, ndërsa shpalosi platformën e demokratëve e cila do të mundësojë hapjen e vendeve të reja te punës, rritjen e mirëqenies dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve.

“Vota juaj për PD, ju premtoj sot këtu nga ky shesh, vëllezër e motra, duke ju parë në sy, se do të jetë për mua, Lulzim Bashën, një kushtrim beteje pa kthim deri në imponimin e taksës më ulët në Ballkan, uljen me 25% të çmimit të energjisë, falje të të gjithë kamatë-vonesave  të energjisë e të ujit, rritjen e rrogave dhe pensioneve, kthimin ne skemën e ndihmës ekonomike të të gjithë atyre që janë larguar me të padrejtë dhe futjen në të të atyre që janë në nevojë” – theksoi zoti Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 9 Qershor 2015