Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal në Fier në vijim të turit elektoral. Kur kanë mbetur vetëm pesë ditë nga zgjedhjet e 21 qershorit, zoti Basha shprehu bindjen në një fitore të madhe të ofertës së Partisë Demokratike në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë, pasi qytetarët sot e kanë më të nevojshme se asnjëherë zgjidhjen e problemeve te tyre.

“Na ka bashkuar një kohë e vështirë. Varfëri, mjerim, papunësi, taksa të larta, çmime të larta, fatura të larta, lista që dyfishohen e trefishohen nga njëra anë, e nga ana tjetër qeveritarë të verbër për hallet tuaja. Të shurdhër për problemet tuaja, pa zemër, pa ofertë, pa zgjidhje që mendojnë vetëm e vetëm për pushtetin e tyre. Mendojnë vetëm e vetëm për sundimin e tyre. Mendojnë vetëm e vetëm për pasurimin e tyre në kurrizin tuaj dhe taksave që paguani çdo ditë, çdo javë, e çdo muaj”,- theksoi zoti Basha.

Në afro dy muaj fushatë Rama-Meta nuk kanë paraqitur asnjë ofertë, asnjë zgjidhje për qytetarët, nuk i shohin dot në sy qytetarët  sepse tjetër gjë premtuan e tjetër gjë bënë, tha zoti Basha, duke renditur se premtuan 300 mijë vende pune por nuk hapën asnjë vend pune, por mbyllën me mijëra, me gjoba, me taksa të larta, me fatura të pamundura, me abuzime afrofe.

“Po çfarë shpjegimi do t’i japësh Edi Rama qytetarëve të Fierit, që pasi i gënjeve për dy vjet, pasi jetën e vështirë jua bëre edhe më të vështirë. Në vend që t’ua bëje më të lehtë, i propozon të votojnë një njeri që ngriti kartonin në parlament për të ngritur çmimin e naftës, që ngriti kartonin në parlament për të rritur çmimin e energjisë, që ngriti kartonin në parlament për të burgosur 38 mijë qytetarë tanët anë e mbanë vendit, sepse s’paguanin dot fatura nga 10 deri në 30 mijë lek të vjetra, kur deputetët e oligarkisë kanë miliona e miliona borxh.

Subashi nuk u mjaftua me kokën ulur e sytë mbyllur të votonte ligjet antipopullore të dyshes Rama-Meta. Kur ne, opozita, i çuam në parlament amendamentet tona, për të hequr lakun nga fyti familjeve pasi bashkëbiseduam me ju, amendamentet tuaja pra, interesat tuaja për të hequr TVSH nga ushqimet e shportës. Subashi votoi kundër, por kurrë nuk tha përse. Për të hequr taksën mbi energjinë, ai votoi kundër, por kurrë nuk e argumentoi përse.

Subashi që nuk la gjë pa argumentuar, kurrë nuk u tha fierakëve përse votoi kundër bukës së fëmijëve tuaj, kundër punësimit tuaj. Përgjigjen ju e dini, sepse Subashi nuk është këtu për të përfaqësuar fierakët, nuk është këtu për të përfaqësuar ju, të rinjtë e Fierit, rinia e mrekullueshme e Fierit, nuk është këtu për të përfaqësuar orthodoksët, nuk është këtu për të përfaqësuar muslimanët, nuk është këtu për të përfaqësuar fierakët denbabaden, as kosovarët, as çamët, as mallakastriotët, por vetëm oligarkinë. Vjen të marrë atë që ka mbetur e ta ndajë me padronët e tij në Tiranë. Ndaj s’ju shohin dot në sy. Ndaj merren gjithë ditën me fjalë e me opozitën. Por imagjinoni se si do të ishte Fieri, nëse këto dy vite në vend që të bënit gërr-mërr me opozitën, në vend që të baltosnin e të shanin kundërshtarët politik, në vend që të kërcënonin me kërbaç qytetarët, të punonin për të zgjidhur hallet dhe problemet tuaja. Nuk e kanë bërë sepse s’e kanë prioritet dhe thonë se ky qenka drejtimi i duhur”,- nënvizoi zoti Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ftuar qytetarët e Fierit, të majtë e të djathtë të bashkohen më 21 qershor për t’i dhënë jetë ofertës së Partisë Demokratike të uljes së taksave, uljes së çmimeve, mbështetjes për biznesin që hap vende pune.

“Ndaj, ju shohim në sy, siç shohim në sy mbështetësit tanë , e ju themi , siç u kemi thënë para një muaji mbështetësve tanë, ngrijeni kokën vëllezër dhe motra, ngrijeni kokën zonja dhe zotërinj, ka shpresë, ka shpëtim, ka zhvillim.

Me votën tuaj do ti ulim taksat , me votën tuaj do ta ulim çmimin e energjisë e do të falim kamatë-vonesat. Me votën tuaj do të heqim TVSH-në për ushqimet e shportës dhe për lëndët e para bujqësore. Me votën tuaj do të hapim perspektiva të reja për punë, punësim dhe paga dinjitoze. Ky është zotimi im, ky është betimi ynë para jush.

Ndaj, provojeni forcën e fuqisë të bashkimit, bashkojini votat, shikoni ofertën më të mirë, e konsiderojmë Fierin një serbator dhe jo një qytet. Vinë me arrogancë  e thonë juve ju kemi në xhep, bëjmë si duam e prapë se prapë juve ju kemi në xhep. Ky është poshtërim dhe Fieri nuk e pranon, ky është dhunim dhe Fieri është poshtë, kjo është braktisje dhe Fieri do t’i përgjigjet me votë me 21 qershor,. 21 qershori është dita  juaj  ju vendosni.

Shikoni njeriun, shikoni ofertën më të mirë, atë që funksionon për ju dhe familjet tuaja dhe mbani vesh vetëm kandidatët tanë kanë një platformë për uljen e taksave, vetëm kandidatët tanë janë zotuar për punësim, vetëm kandidatët tanë s’kanë pardon tjetër përveç popullit të Fierit, Roskovecit dhe Patosit”,- theksoi zoti Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Qershor 2015