Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim me banorë të Shijakut. Zoti Basha tha se hallet dhe shqetësimet e qytetarëve nuk mund të injorohen me barsaleta e tallje siç po bëjnë çdo ditë Rama – Meta. Papunësia, varfëria, pamundësia për të mbyllur muajin janë shqetësime që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, tha zoti Basha dhe nuk mund të fshihen me propagandë qeveritare.
“Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë bërë llogaritë gabim, mendojnë se duke bërë estrada të përditshme, ku shqiptarët vuajnë çdo ditë e më shumë do ta heqin vëmendjen tuaj nga hallet tuaja, nga zgjidhjet imediate që ju kërkoni. Papunësia, varfëria, pamundësia për të mbyllur muajin, rënia e fuqisë blerëse, këto janë problemet që kërkojnë zgjidhje imediate. Të tjerat janë llafe kazani”
Rritja e taksave dhe çmimit të energjisë, largimi i të pamundurve nga skema e ndihmës ekonomike, rënia e fuqisë blerëse kanë qenë shqetësimet që banorë dhe tregtarë i kanë shprehur zotit Basha në Shijak. Krahas identifikimit të problemeve, detyra është të japim zgjidhje, tha zoti Basha dhe zgjidhje u jep oferta e Partisë Demokratike, e hartuar dhe bazuar mbi hallet, problemet dhe shqetësimet e qytetarëve.
Banor: Para dy vjetësh Edi Rama na tha, jo po dritat, jo po naftën, jo më larg se sot ishte bërë 1850 lekë nafta. Kam edhe një biznes të vogël. Nga 165 mijë lekë paguaja në tre muaj, tani paguaj 215 mijë lek.
Banor: S’ka familje shqiptare që nuk është e prekur nga taksat, nga tatimet, energjia.
Basha: Sa u vjen fatura e energjisë?
Banor: Diku nga 20-30 përqind më shumë.
Shitëse: Më erdhi njëra më tha dua bukë, domate, djathë, pa lekë e shkreta. Nuk mund ta lejë, sepse ajo s’ka përkrahje , s’ka mbështetje, se ia kanë heq. Kam një tjetër që ka nja dy milionë e gjysmë lekë aty dhe prapë vjen edhe merr.
Basha: Çfarë është, kryefamiljare?
Shitëse: Ajo është kryefamiljare, me dy të paralizuar në shtëpi, nuk ka asgjë. Me pa fletoren dhe regjistrat tona, ti habitesh. Mua mund t’më kenë mbi 15 milionë lekë borxhe njerëzit që marrin me listë.
Basha: Detyra që kemi është jo vetëm të themi që kështu është, por ta zgjidhim. Si ta zgjidhim? Të ulim taksat, të heqim TVSH për mallrat e shportës, të paktën për bukën, miellin, orizin, sheqerin, vajin, të ulim çmimin e energjisë, t’u vijmë në ndihmë këtyre familjeve që s’kanë një lek për të blerë bukën e jo t’i heqim nga lista e ndihmës ekonomike, të hapim vende pune!
Shitëse: Me thënë të drejtën, popullin në Shijak, unë sikur po e mbaj në krah. Të gjithë vetëm për bukë dhe djathë.
Basha: Kështu që, në 21 qershor kërkoj votën tuaj e të gjithë qytetarëve të Shijakut, sepse zgjidhjet që ofrojmë, janë zgjidhje reale të problemeve reale të problemeve tuaja.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 4 Qershor 2015