Takimin elektoral të Vlorës, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka konsideruar paralajmërimin e fitores, të pavarësisë së dytë të Vlorës.
“Të pavarësisë nga mashtrimi, të pavarësisë nga varfëria dhe mjerimi, të pavarësisë nga injoranca dhe abuzimi me pushtetin, të vetëvendosjes së vlonjatëve për vlonjatët të Vlorës, për vlonjatët”,- theksoi zoti Basha.
Ne dy vjet Edi Rama jo vetëm nuk mbajti asnjë premtim qe iu dha vlonjatëve si deputet i tyre, por i zhyti qyetarët në varfëri, mjerim dhe pasiguri. Edi Rama dhe Koço Kokëdhima, tha zoti Basha, e duan Vlorën për interesat e tyre siç e kanë dëshmuar në këto dy vjet qeverisje dhe jo për t’u shërbyer qytetarëve.
“Shikojeni Kryeministrin, asnjë ditë në detyrë, asnjë ditë në krye të punës dhe ditë për ditë në tribuna, duke bërë çfarë? Duke sharë, duke kërcënuar, duke fyer, duke ofenduar e së fundi edhe duke mallkuar opozitën e vendit dhe qytetarët e vet. Po pse vallë, pse vallë, pse nuk vjen e t’i shohë vlonjatët në sy e t’ju thotë, shikoni si jua kam zbukuruar Vlorën, qindra vende pune për ju vlonjatë. Taksat ja u ula, çmimin e energjisë ja u ula, naftën ja u bëra thuajse falas, ilaçet i merrni falas edhe ne të vallëzojmë e të këndojmë për Vlorën e lumtur? Sepse nuk munden, sepse kjo është një gënjeshtër e madhe televizive, sepse e vërteta është fare ndryshe, e vërteta është jeta e vështirë që Edi Rama, Ilir Meta dhe Koço Kokëdhima e kanë bërë akoma më të vështirë për Vlorën dhe vlonjatët, duke rritur taksat kur premtuan uljen e tyre, duke rritur çmimin e energjisë kur premtuan uljen e tij, duke shpunësuar me mijëra vlonjate e vlonjatë përmes politikave të kërbaçit dhe gjobave, kjo është e vërteta e dhimbshme”,- u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.
Bilanci i mazhorancës më 21 qershor është vetëm mashtrimi me çdo premtim që bënë më 23 qershor, përkeqësimin ekonomik dhe social. Nuk përballen dot me të vërtetat e hidhura që vetë krijuan, tha zoti Basha, prandaj gjithë ditën merren vetëm duke sharë opozitën, e duke mallkuar popullin.
“Po t’i bëjmë një pyetje, ti që thua se ndjen dhimbjen e Vlorës. Pse nuk i ul taksat, ti që thua se e kupton varfërinë pse nuk eul çmimin e energjisë po e ke çuar në stratosferë, ti që thua se e kupton që ka mijëra familje që mezi e mbyllin muajin, pse nuk mban premtimin tënd more që bëre para vlonjatëve për të ulur me 20%, për të ulur përmes eliminimit te TVSH-së çmimet e produkteve bazë. Pse ti nuk i bën, nuk i bën dhe nuk jep përgjigje. Ne u përpoqëm por nuk ksihim kartonat, në 21 qershor Edi Rama, Ilir Meta, Koço Kokëdhima, kartonat i ka Vlora kartonat i ka Selenica, kartonat i ka Himara dhe gjithë Shqipëria dhe do t’i ngrejë këto kartona për të mirën e vetë e të familjeve të veta do të votojë për platformën e shpëtimit, paketën e emergjencës të Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare, për të ulur taksat, për të ulur çmimet, për të hapur punë dhe vende të sigurta pune”,- theksoi zoti Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka kthyer përgjigje sulmeve që Edi Rama i bën kandidatëve të opozitës duke i kujtuar se një pjesë e kandidatëve të mazhorancës janë me rekorde kriminale dhe e vetmja shkolle e tyre është ajo e burgut.
“E ka tmerruar kandidatura e Gencit dhe ka filluar shpifjet, ka filluar thotë andej-këndej të flasë për arsimin e kandidatëve tanë. E kush, ky që një të katërtën e kandidatëve i ka me shkollën e burgut, njerëz të dënuar për krime e trafiqe. Po me kë krahason ti? Krahason profesorin e mjekësisë, Halim Kosovën, njeriun e shërbimit, me një njëri me diplomë falso si Erion Veliaj. Krahason Gjush Betonin me profesor, doktor, Grida Dumën? Krahason kumbarin e Elbasanit me profesor Ardian Turkun? Apo Filo Kullën, me rektorin e universitetit të Korçës profesor Gjergji Meron? E kështu me rradhë, për të përfunduar këtu në Vlorë, ku zgjedhja s’ka ku të jetë më e qartë. Një njeri që e kanë sjellë me zorr, e që duan ta mbajnë me zorr, për veten e tyre dhe aferat e tyre, apo Gencin e Vlorës, për Vlorën”,- deklaroi nga Vlora zoti Basha.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Qershor 2015