Në fshatin turistik të Qerretit, kandidati i djathtë Engjëll Cara, deklaroi para banorëve, se prioritet në këtë zonë do të jetë turizmi. Premtimi i parë i z. Cara është spastrimi i bregdetit të Qerretit nga vilat dhe gardhet qeveritare, që kanë uzurpuar plazhin e Qerretit.

” Në mënyrë të vendosur, do të largojmë gardhet qeveritare. Territori i plazhit është për banorët e këtij fshati në rradhë të parë”, tha Cara.

Më tej z. Cara u ndal tek një tjetër tematikë shqetësuese për banorët e këtij, siç është përroi i Leshniqes, i cili është i bllokuar dhe shpesh mbyt tokat e fermerëve.

“Gangrenë është bërë përroi. Në vitin e parë do të pastrojmë përroin e Leshniqes”.

Duke qenë që kjo zonë jeton me bujqësinë dhe turizmin, z. Cara, deklaroi se gërshetimi i këtyre dy elementëve do të sillte zhvillim për zonën.

“Sigurisht që kjo zonë, krahas bujqësisë ka dhe turizmin. Të dyja bashkë, gërshetimi i bujqësisë dhe turizmit. Infrastruktura për turizmin. Sistemimi dhe kontrolli i territorit janë dy gjëra shumë të rëndësishme për këtë komunitet këtu dhe për komunitetin e pjesës bregdetare që përfshin Bashkia e re e Kavajës, nga Përroi Agait deri tek Plazhi i Gjeneralit”

Në mbyllje të fjalës së tij z. Engjëll Cara, i bëri thirrje kundërshtarit të tij politik, që të mos provokojë dhe dhunojë pronën e qytetarëve të Kavajës.

“Gjej rastin këtu, Ervin Rroshit, Enver Rroshit, Artur Rroshit, Elvis Rroshit, Gent Dajës apo dajës së Gentit, ta mendojnë mirë, në momentin që bën më të voglin provokim apo dhunon pronën e çdo qytetari dhe banori të Bashkisë së re të Kavajës ta dijë mirë se më 22 drejtësia do të merret me ta”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 14 Qershor 2015