Kandidati Gjergj Mero zhvilloi një takim me banorët e lagjes së francezëve, ku problemet më të spikatura janë papunësia, varfëria dhe banesat sociale.
Në hapje të takimit kandidati Mero vuri në dukje se korçarët ashtu sikurse çdo shqiptar, vuankrizën e madhe për shkak të keqqeverisjes qëndrore dhe braktisjes së Bashkisë. Investimet në infrastrukturë në qendër për të tërhequr vëmendjen, janë kryer për interesa abuzive të pushtetit dhe jo për të zgjidhur hallet dhe problemet e komunitetit. Kandidati Mero tha se premtimet boshe të qeverisë dhe kandidatëve të majtë, vijojnë ende të mashtrojnë publikun, i cili kësaj radhe nuk mund të manipulohet më.
Kandidati Mero duke trajtuar një nga pikat kryesore të programit sikurse është çështja e transportit publik tha se, do të ngrihet një shërbim urban me cilësi.
“Do të ngremë një transport urban model, duke respektuar oraret e pritjes, si dhe do të rehabilitohen stacionet e qëndrimit. Në standardet cilësore të transportit, do të gjejnë veten pensionistët, shtresat në nevojë dhe çdo njeri që shfrytëzon këtë shërbim. Njëherësh, tha kandidati Mero, do të mundësojmë zgjidhje për uljen e çmimit të aboneve, për shtresat në nevojë, si dhe për të rinjtë në kuadrin e zbatimit të Kartës së Studentëve.
Duke vijuar me shtjellimin e programit, kandidati Mero iu përgjigj dhe pyetjeve specifike të pjesëmarrësve të cilët më së shumti këmbëngulën në zgjidhjen e mungesës së punësimit. Një temë e mprehtë sociale e qytetit është dhe trajtimi i të moshuarve të vetmuar çështje për të cilën, kandidati Mero tha se do të mendohet ngritja e një azili social me mbështetjen nga të ardhurat e bashkisë, por dhe projekteve sociale të shoqatave joqeveritare.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015