Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma iu përgjigj pozitivisht ftesës së Forumit të Durrsakëve për debat me kandidatin e maxhorancës i cili refuzoi të marrë pjesë. Duma tha se duhet të kishte një debat civil për alternativat e tyre por që fatkeqësisht kandidati tjetër iu shmang për herë të gjashtë debatit.

“Sot do të ishte mirë që ne ta kishim edhe kandidatin tjetër. Do të ishte mirë që ti ishte përgjigjur pozitivisht këtij debati sepse në ndryshim nga ai unë nuk besoj se kemi një debat me qytetarët. Ne mund të kemi një debat alternativash. Ne mund të kemi një debat si e mendojmë që gjërat duhen rregulluar për më mirë. Dhe nëse ende ka sot një gjë që duhet thënë fort është debati civil për gjërat, jo debate politike për personat”, tha Duma.

E pyetur nga anëtarët e Forumit mbi masat e saj për të ulur korrupsionin, Duma tha se projekti i saj do të jetë planifikimi i çdo zëri në buxhet me komunitetin.

“Pikat në të cilat bashkia e Durrësit ia jep menjëherë impaktin korruptiv kanë qënë banesat sociale, kanë qënë tenderimi i drejtpërdrejtë dhe buxhetimi. Do të bëhen transparente investimet në komunitet. E kam thënë dhe për çështjen e zgjidhjes së pronave. Por mbi të gjitha, i gjithë planifikimi i zërave të buxhetit, i zërave financiarë do të jetë një proces negociate dhe konsultimi zë për zë për çdo investim në komunitet”, tha Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 14 Qershor 2015