Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma iu bashkua një grupi organizatash rinore të cilët propozuan një kontratë sociale mbi nevojat e të rinjve në qytet. Duma tha se projekti i saj do të kthejë statusin e studentit për të gjallëruar jetën e qytetit. Programi i saj parashikon shërbime për studentët nepërmjet kartës së studentët duke filuar nga shërbime të çmim të reduktuar, transport falas për studentët, ndërtimin e biblotekës dhe një qendër bashkiake për ta.

“Po çfarë kanë nevojë studentët që domosdoshmërisht duhet t’ua japim, përpara se të flasim për tregun e punës; kanë nevojë për statusin e studentit. Është status dinjitoz të jesh student dhe jeta e një qyteti varet nga jeta e studentit. Karta e studentit duhet të ketë një paketë shërbimesh siç i ka në gjithë botën. Duhet të ketë 30 % ulje në disa bare dhe restorante që duhet të shkoni, që bashkia e ka shumë të thjeshtë ta bëjë. Duhet të keni gjithmonë hyrje falas në të gjithë  institucionet publike të artit dhe kulturës. Do bëjmë dhe kinema dimërore, por edhe kinema verore do kemi 7 nëpër qytet. Karta e studentit do ketë 4 shërbime ekonomike. Mencën tuaj që do të hyni me gjysëm çmimi, për ambjentet sportive dhe patjetër transportin publik sepse sot është turp që keni vështirësi të merrni një abone. Të ndërtojmë afër korpusit biblotekën e madhe që do të jetë online dhe hard. Kemi sot një ide për një godinë katër katëshe ku në katin e fundit të jetë pikërisht agjencia e kërkimit dhe në 3 katet e para të jenë klubet rinore”, tha Duma.

Në fund të takimit, Duma firmosi konkratën sociale të propozuar nga organizatatat rinore që ishin pjesë e projektit “POP 2015 – Përballja e Ofertave Politike”, ku prej disa muajsh me anë të fokus grupeve vetë të rinjtë propozuan prioritetet e tyre.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Qershor 2015