Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma prezantoi programin me banorët e lagjes nr 11. Duma tha se investimet dhe projektet e bashkisë do të hapin 15 mijë vende pune me një objektiv që çdo familje të ketë të paktën një të punësuar.
“Kam thënë që premtimi i parë është 15 mijë vende pune duke thënë që sot që programet e zhvillimit dhe gjitha format e investimit do na çojnë drejt punësimit, që çdo familje e bashkisë së Durrësit të ketë të paktën një të punësuar”, tha Duma.
Takimi më banorët u zhvillua pranë ish lulishtes 1 Maji, atje ku zbulimi arkeologjik u muros me beton.
“Vazhdoj ta them që Durrësi është roma e Shqipërisë. Kodrat që ka rreth e qark janë Toskana e Shqipërisë. Por këtu mund të kishim Pompein e Shqipërisë. Kjo është ajo që është gjetur dhe po ta kishim sot do të kishte qënë një nga pasaportat më të rëndësishme të turizmit”, shtoi Duma.
Kandidatja e djathtë foli mbi proramin e saj për rivitalizimin e lagjeve me gjelbërim dhe të gjithë standardin e duhur.
“Në një vit e 8 muaj do të mbarojmë të gjithë sistemin e kanalizimeve, do ndajmë ujërat e zeza nga ujërat e bardha dhe do mbyllim 3 kanalet që sot janë gangrenë dhe një situatë infeksioni dhe sëmundjesh. Në një vit e 8 muaj ne do të mbarojmë me gangrenën që ka mbi 20 vjet që vazhdon. Në çdo lagje do kthejmë standardin e lagjes tip ku mes pallateve nëse është nga 500 në 800 metra katrorë ne do të kemi minimalisht 400 metra katrorë gjelbërim pa u frikësuar fare si do ta bësh këtë se nuk ka njeri që nuk e di që një metër katrorë beton apo pllakë është 7 fishi i një metri katrori gjelbërim dhe bar. Pa u shqetësuar se si do të bëjmë ne që në çdo lagje të ketë një minipark lojërash ku të ketë një shilarëse siç kanë qënë në situatat e qyteteve normale me stola ku të kemi mundësinë të kemi edhe ndriçimin e përhershëm. Çdo rrugicë e bashkisë së Durrësit do jetë e ndriçuar”, tha Duma.
Ajo u shpreh se do të ndryshohet marrëdhënia me biznesin duke marrë si shembull gjobitjen nga ana e bashkisë aktuale.
“E dini kush është zëri në buxhet që e parashikojnë dhe e planifikojnë më mirë se sa të gjitha ?! Është zëri të ardhurat nga gjobat. Të ardhurat nga gjobat ishin 120 milionë lekë dhe ishte i vetmi zë që ishtë plotësuar i gjithi. Kishin marrë 120 milionë lekë gjoba aq sa e kishin parashikuar se do të kishin qënë gjobitjet që në fillim të vitit. Kjo është sjellja me biznesin dhe pastaj thonë se me çfarë do ti hapë vendet e punës. Grida Duma thotë 15 mijë vende pune ku 30 % e taksave do të ulen në momentin e parë në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak. Që taksa e pasurisë do zbresë deri në nivelin mundësisht të 150 lekëve. Kur të hapim vende pune, të gjitha nënat që janë kryefamiljare që për një arsye apo një tjetër disa nuk jetojnë me parnerët e tyre, disave u kanë vdekur e disa rrisin fëmijë jetimë, e disa që janë të punësuara të vetme në jë familje, të gjitha ato që punojnë në ndërmarrjet fason, bashkia do të ketë fondin e subvencionimit të sigurimeve”, tha Duma.
Në lidhje me me transportin publik, Duma tha se menjëherë do të shtohet fluksi i autobuzëve për të plotësuar nevojat në bashkinë e re të Durrësit.
“Është super e nevojshme që qytetit t’i trefishohen linjat e autobuzëve por edhe t’’ trefishohen oraret. Premtimi tjetër për shkollën është që atje ku shkolla është e paarritshme, për shkollën transporti publik do jetë falas për ato shkolla që janë larg, për të cilat ne e kemi detyrim bëjmë shkollën afër fëmijëve dhe afër komunitetit. Ajo që ju siguroj nga sot e tutje është; stop absolut betonizimit agresiv të qytetit dhe bregdetit”, tha Duma.
Kandidatja mori mbështetjen e banorëve në veçanti të një nëne e cila tha se:”Kam 20 vite që familjarisht jetoj në Greqi. Erdha vetëm për ti dhënë votën Gridës”.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015