Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma prezantoi programin në lagjen 15 të qytetit në Spitallë. Duma tha se do t’i jepet zgjidhje emergjente problemit të kanalizimeve dhe ujit të pijshëm ku brenda 6 muajve do të ketë të paktën 3 herë më shumë ujë të pijshëm dhe zgjidhje problemit të kanalizimeve brenda një viti e 8 muaj.

“Përveç kanalizimeve dhe ujërave, problemin e mbeturinave që ju e keni shumë afër, është një problem emergjent për shëndetin, për turizmin dhe qytetin. Është e pafalshme që të konceptohet që një qytet turistik t’i djegë plehrat.  Është e pafalshme që të konceptohet që një qytet turistik të ketë Porto Romanon pjesë të mrekullueshme të bregdetit ta ketë zonë plehrash. Është shumë e rëndësishme që të fillojmë projektin tonë të pastrimit të mbeturinave dhe riciklimit të tyre. Sistemi pas 21 Qershorit do të jetë; në çdo 150 metra do të kemi 3 kosha plehrash me 3 ngjyra të ndryshme ku do të ndajmë plastikën, nga qelqi dhe kartoni”, tha Duma.

Ajo më tej tha se do të ndalet masakra ndaj objekteve historike dhe ka një projekt për rivitalizimin e siteve arkeologjike.

“Ajo që do të bëjmë bashkë përveçse do të ndalojmë këtë masakër është të rizgjojmë qytetin antik. Të gjitha të tjerat do të jenë në planin tim të dorës së parë për ti pastruar, rrethuar dhe ndriçuar. Do kemi një pedonale të madhe që do të ndjekë gjithë murin e vjetër dhe do të shkojë drejt markatës antike dhe drejt 18 siteve arkeologjike që ka qendra e Durrësit”, tha Duma.

Një shqetësim për banorët ishte edhe siguria në shkolla, ku kandidatja Duma tha se projekti i saj përmban ngritjen e një grupi special të Policisë Bashkiake për të ruajtur shkollat. Ajo tha më tej se pas 21 Qershorit, qyteti do të çlirohet dhe do të ketë dinjitet për të gjithë qytetarët.

“Do të ndërtojmë një grup special të Policisë Bashkiake që do të sigurohet se kush i shkon rreth e qark oborrit të shkollës që jo rrallë herë në gjimnaze është problem për narkotrafikun. Kjo dhunë që ushtrohet tek të gjithë banorët dhe qytetarët e Durrësit është një dhunë e cila nuk do të egzistojë më, një dhunë e cila pas 21 Qershorit do të jetë një çlirim absolut dhe do të jetë dinjitet për secilin që shikon punën e vetë”, tha Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 15 Qershor 2015