Periferia e Fierit e diskriminuar nga pushteti vendor, investimet bëhen nga vetë banorët

Janë zhvendosur në Fier për një jetë më të mirë, por nuk e gjetën. Banorët e lagjes Mbrostar Ferko , Celigrad  dhe Afrim i ri jetojnë të diskriminuar për shkak të vendodhjes në periferi të qytetit. Ata kanë shprehur indinjatë për dhjetëra vite harresë nga pushteti vendor gjatë një vizite që Enkelejd Alibeaj bëri në këto lagje.

Përmasat e neglizhencës së pushtetit vendor i kanë detyruar banorët të propozojnë investime me të ardhurat e veta duke kërkuar vetëm mjete në dispozicion për shtrimin e rrugëve, por as kjo nuk u është ofruar.

Enkelejd Alibeaj u ka konfirmuar banorëve të këtyre zonave se nën drejtimin e tij bashkia do të përgjysmojë çmimin e ujit të pijshëm ndërsa investimet për rrugë do të garantohen nga taksat e vetë qytetarëve ku secilit komunitet do t’i kthehen për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve dhe sistemit të kanalizimeve.

Bulevardi i Fierit, jofunksional, shkaktar i ngarkesës së qarkullimit rrugor

Investimi për bulevardin kryesor të Fierit ka rezultuar jo funksional për një qytet me karakter tregtar si Fieri. Qindra tregtarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë bulevardit e ngritën këtë shqetësim në një takim me kandidiatin e opozitës. Ata ankohen për izolim dhe bllokim të aktivitetit pas investimit që e shndërroi bulevardin  në Pedonale. Shkak është bërë konceptimi i këtij të fundit si shëtitore ku vetëm një korsi është e disponueshme për automjetet dhe pa hapësira parkimi.

9 muaj qëndruam të izoluar për shkak të punimeve se nuk kalohej me makinë këtu. Tani shohim që makinat  nuk kanë mundësi të parkojnë por vetëm të kalojnë dhe thonë që edhe kjo do të jetë me orar të kufizuar, thotë një tregtar.
Një tjetër tregtar thotë se kjo nuk është rastësi, por bashkia e ka bërë qëllimisht këtë për të bllokuar xhiron e tregtarëve këtu me qëllim që diku tjetër të ketë përfitime. Nuk na pyetën fare dhe nuk e dinim se do bëhej kështu thotë një pronar butiku. Po ta dinim nuk do lejonim që të merrte këtë formë rruga.

Enkelejd Alibeaj u tha tregtarëve se në krye të bashkisë së Fierit do të ulë taksa për biznesin dhe do vendosë bashkërisht me tregtarët për mënyrën se si do të funksionojë qarkullimi i automjeteve në bulevardin kryesor.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015