Kandidati për kryetar bashkie i Partisë Demokratike në Elbasan Ardjan Turku, zhvilloi një takim me banorë të lagjes 5 maji të qytetit.

Një qytetar, anëtar i shoqatës së invalidëve të punës, shprehu shqetësimin e heqjes në masë të mbështetjes financiare për këtë kategori, duke akuzuar për këtë fakt bashkinë e Elbasanit.

“Kanë hequr 3250 veta, nga invaliditeti. Në lagjen Shënkoll 14 veta janë me karrocë. I është hequr e drejta, nuk njihen. Kemi vajtur, kemi trokitur tek të gjithë, na thonë dil përjashta çfarë je ti, kush je ti, nuk të njohim fare. Unë jam një qytetar i thashë, zonjë, dhe urdhëro dokumentin. Ik or vlla thotë nuk të njoh fare, dil përjashta, tha. Prandaj të lutem shumë në qoftë se në datë 21 fiton, do të bësh pastrim të gjithë, ti zhdukësh ata se këtu nuk çahet më, tha qytetari.

Turku gjatë fjalës së tij theksoi faktin se bashkia e Elbasanit gjatë këtyre viteve është keqmenaxhuar. Sipas tij me mbi 80 miliardë lekë në dispozicion gjatë këtyre 8 viteve, Elbasani duhet të ishte një qytet me infrastrukturë të përfunduar në të gjithë territorin e tij dhe jo vetëm në qendër.

“Kur unë menaxhoj një gjë përpiqem ti çoj paratë tek nevojat më bazike. Dhe unë e di që nevojat më bazike janë për rrugë dhe për sheshe, janë për pemë dhe për gjelbërim, këtu ku keni ju pallatet, vendet tuaja. Janë për hapjen e rrugëve të reja që lirojnë trafikun. Nuk ka mundësi që të jetohet këtu, kur 500 metra më poshtë ka një tjetër situatë. Nuk mund të zhvillohet qyteti kështu dhe nuk mund të përdoren paratë e taksapaguesve kështu. Të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe në 8 vite më besoni që me ato dhjetëra e dhjetëra miliardë lekë që janë harxhuar, në qoftë se ne do i harxhonim ashtu siç e patëm nisur, sot ne do të kishim pothuajse të gjithë sheshet e asfaltuara, nëpër këto lagje që nuk janë lagje të reja, sepse janë lagje që prej 30 vjetësh, dhe nuk do të ishin në këtë gjendje sikur sapo sot është ndërtuar këtu. Pra politikat që duhet të ndiqen në qytet, për ndërtime, investime, për krijime kushtet komode që ju ta ndieni veten se vërtet banonin në qytet, që fëmijët tuaj ta ndiejnë veten të barabartë me to, paratë duhet të menxhohen me një tjetër mentalitet.

Duke folur në këtë takim kreu i Partisë Demokratike në Elbasan Aurel Bylykbashi, duke iu përgjigjur deklaratave të deputetit Taulant Balla ka theksuar faktin se gjatë mandatit të z. Turku në Elbasan 2003-2006, qyteti ndryshoi pamje, ku u investua në të gjitha hyrje daljet e tij, si dhe u realizuan mbi 20 projekte çdo vit, në rrugë e sheshe pallatesh, me anë të buxhetimit me pjesëmarrje. Ndërkohë z. Bylykbashi i ka kërkuar kreut aktual Qazim Sejdini të japë llogari për premtimet e bëra në fushatat e kaluara dhe mosrealizimin e tyre.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 15 Qershor 2015