Mazhoranca Rama-Meta apo Meta-Rama nuk po ndalet  përpara as një akti të jashtëligjshëm dhe kriminal në funksion të dhunimit të vullnetit të qytetarëve që kanë vendosur të votojnë kandidatët e opozitës në zgjedhjet e 21 qershorit.

Aktet e fundit në Vorë ku policia e shtetit është vënë tërësisht në shërbim e në urdhrat e Ilir Metës dhe LSI-së tregojnë qartazi që kjo mazhorancë, Meta por edhe bashkëpunëtori i tij Rama, janë gati të çojnë demokracinë drejt shkatërrimit dhe vendin drejt stabilizimit për interesat e tyre mafioze.

Në Vorë policia e drejtuar prej Bujar Lazes nga Skrapari dhunon çdo ditë mbështetësit e opozitës, i ndalon, i keqtrajton dhe i kërcënon që të mos mbështesin kandidatin e djathtë Fiqiri Ismaili.

Dhunë direkte ka patur gjatë gjithë kësaj kohe edhe ndaj biznesit të kandidatit Ismaili.

Iu bllokua malli nga ministri i LSI-së.

Iu bllokuan mjetet e punës dhe nga dje prej mëse 14 orësh policia në mënyrë të paligjshme ka bllokuar tërësisht biznesin e tij.

Me metoda tipike të sigurimit të shtetit kërcënohen dhe detyrohen qytetarët të bëjnë dëshmi të rreme në zyrat e komisariatit të LSI-së se gjoja kandidati i së djathtës ka kërkuar tu blejë votën.

Për të gjitha këto Partia Demokratike po bën gati denoncimin për ndjekje penale ndaj shefit të komisariatti vorë.

Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush e përfaqëson mafien sot në pushtet.

Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush me paratë që u grabit ditë, kërkon tu blejë votat natën dhe nuk mund të mashtrohen as nga spotet cinike të LSI-së as nga metodat e sigurimit të shtetit.

Shqiptarët po shohin përditë qartazi impenjimin me të gjitha format e Metës dhe Ramës në Vorë dhe në të gjithë zonat e tjera ku mazhoranca ndjen humbjen.

Partia Demokratike u bën thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare që merren me monitorimin e zgjedhjeve të impenjohen seriozisht për evidentimin dhe denoncimin e akteve të tilla kriminale ku e gjithë struktura e shtetit duke filluar nga policia përdoren si organizata kriminale dhe mafioze për të grabitur votën e shqiptarëve.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015