Fjalimi i z.Kosova në mitingun përmbyllës të fushatës në zonën e Brrylit
Eshtë kënaqësi që jemi mbledhur sëbashku kaq shumë sot në këtë shesh. Vijmë sot pas një fushate intensive, për të lënë një tjetër takim të rëndësishëm.
Takimin e datës 21 qershor, ku ju dhe mbarë qytetarët e Tiranës do të vendosni për drejtimin që duhet të marrë Bashkia.
Kemi përballë dy modele.
Unë jam futur në këtë garë, me garancitë e përvojës time. Nuk kam dashur për asnjë sekond të dukem, apo të bëj shfaqje, kur kam deklaruar se po ofroj integritetin tim. Po kjo është e vërteta. Unë po flas me ju për atë çfarë jam. Qytetarët e Tiranës kanë mundësinë të zgjedhin në krye të Bashkisë një person që kurrë në jetën e tij, siç ka ndodhur me mua me 35 vite takime të përditshme me njerëzit në hall, të kem kërkuar diçka në këmbim të shërbimit.
Pra po kërkoj të shërbej, pa kërkuar asgjë në këmbim. Anjë favor.
Eshtë koha të vendosim për një kryebashkiak menaxher të fortë, që ruan me fanatizëm taksat e qytetarëve, që u qëndron mbi krye punëve e kontrollon syçelët çdo proces derisa shërbimi, rruga, uji, pastrimi të mbërrijë tek qytetari.
Eshtë koha për të zgjedhur një kryebashkiak që nuk ka ndërmend të harxhojë asnjë sekond kohë me politikë boshe e replika që ngrenë stuhi të kota e të dëmshme, që nuk sjellin asnjë të mirë në familjet e në tryezat tuaja.
Ne e kemi parë se çfarë ka bërë politika në këto 25 vite. Ka luajtur shumë për interesat e saj, ka shkuar deri aty sa të mbajë edhe peng qytetin, të ardhmen tuaj, të ardhmen e fëmijëve tanë. Ndaj nuk e teproj aspak, dhe me bindje e them se ky është një moment historik për tu shkëputur nga ky model. Për ti dhënë madje një leksion politikës se ne qytetarët e Tiranës, të djahtë të majtë e të paparti, duam të zgjedhim vetë, dimë të zgjedhim vetë, duam të sjellim në krye të Bashkisë një nga ne, që nuk ka axhendë tjetër përpos asaj që duan çdo ditë qytetarët në jetën e tyre, që nis nga dera e shtëpisë, në rrugë, në shkollë, në ambjentin ku punojnë apo kalojnë kohën e lirë. Ta bëjmë të shenjtë e ta mbrojmë interesin e qytetit ku lindim, rritemi e projektojmë ëndrrat tona.
Unë them se ka ardhur koha të vendosim për Tiranën duke u nisur nga një interes i vetëm, interesi i qytetarëve.
Kemi ndërkohë përballë një model që për ti rënë shkurt ofron konflikt politik, axhendë personale, dëshirë të pafre për karrierë e ambicie, abuzim në kurriz të qytetarëve, mashtrim, mosmbajtje premtimesh, dhe sigurisht shumë fjalë.
Tirana sot po vuan. E kam parë nga afër se kriza ekonomike është prezente, se ka shumë punë për të bërë.
Kam një projekt konkret për të çliruar e për ti dhënë krahë energjisë që ky qytet punëtor e ka në genin e tij, me të gjithë banorët e tij, nga Zall-Bastari në Pezë, nga Kodër Kamza në Krrabë, nga Shëngjergji në Ndroq.
Do të ul me 30 përqind taksat. Biznesi i vogël që është motorri i zhvillimit do të marrë frymë, do të dalë nga gropa ku gjendet, do të rritet e do të krijojë vende pune.
Projekti im për infrastrukturën shkon lagje më lagje, aty ku ti banon. Unë e di se Tirana nuk është një koncept abstrakt, por është qyteti që fillon në derën tënde. Aty do të më gjeni mua, mos kujtoni se jam njeri zyre që bëj kalkulime për interesat e grupeve e klaneve, apo që bëj aritmetikën e karrierës.
E kam prezantuar në publik, do të sjell ujë 24 orë në Tiranë. Me ekspertët më të mirë që kam në krah, kemi vlerësuar se ekzistojnë të gjitha mundësitë teknike. Duhet vullnet. Unë e kam vullnetin, do të nis punën menjëherë pas 21 qershorit.
Arsim më të mirë, shkolla të reja e rikonstruksion të atyre ekzistuese. Nuk ka investim më të mirë për qytetin se sa tek dija, dhe ky është prioriteti im.
Po nuk mund tia nisim këtyre punëve pa pastruar qytetin tonë. Tirana do të jetë e pastër dhe higjenike, do të jetë e shëndetshme.
Kam ndërmend të mos ndalem për asnjë moment, e të krijoj vende të reja pune kudo ku është e mundur. Me lehtësitë ndaj biznesit dhe 3 fishimin e fondit të garancisë për të stimuluar sipërmarrjet e reja.
Dëgjojeni mirë këtë miqtë e mi. Paratë e fondet e Bashkisë, do të jenë pasuria juaj. Mbajeni mend mirë, se do ta shihni vetë me sytë tuaj se ku shkojnë ato, si do të përdoren, sa do të shpenzohen, sa do kursehen, e cili do të jetë destinacioni i tyre.
Unë i kam ftuar qytetarët e Tiranës që të bashkëqeverisim. Mezi pres të nis një punë e cila do të mbikqyret nga 1 milionë banorë. Mos hezitoni në asnjë moment të reagoni, të sillni mendimin tuaj, kërkesën tuaj, pse jo protestën tuaj. Asgjë nuk ka vlerë nëse bie ndesh me interesin tuaj. Dera ime është dera juaj. I hapur për këdo, 24 orë në ditë.
Jam i lumtur që ka nisur bashkimi i madh për fitoren e 21 qershorit, që është fitorja juaj, fitorja e qytetarëve dhe e qytetit.
Për taksa të ulëta
Për rrugë e trotuare
Për një Tiranë të pastër e higjenike
Për më shumë shkolla
Për më shumë vende pune
Për ndershmëri e transparencë.
Për punë e jo fjalë
Ju faleminderit
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 14 Qershor 2015