Jam sot këtu për të përshëndetur në emër të Partisë Demokratike, mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori Donald Lu, si dhe partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë i japin procesit të dekriminalizimit të politikës në tërësi dhe zgjedhjeve vendore në veçanti.

Partia Demokratike ka denoncuar me fakte të pakundërshtueshme se në këto zgjedhje garojnë kandidatë me rekorde të tmerrshme kriminale dhe ka kërkuar e kërkon prej dy muajsh nga dyshja Rama Meta zbatimin e rezolutës së 24 dhjetorit për dekriminalizimin e kandidaturave të 21 qershorit dhe të politikës në përgjithësi.

Siç informuam opinionin publik pak ditë më parë, Partia Demokratike i ka propozuar zyrtarisht përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nënshkrimin e një marrëveshje politike që do të mundësonte mosgarimin në zgjedhjet e 21 qershorit të personave me rekorde të tmerrshme kriminale.

Kjo marrëveshje mundëson verifikimin e kandidatëve të dyshuar, dhe nëse rezultojnë me rekorde të rënda kriminale apo refuzojnë të verifikohen, përjashtimin e këtyre kandidatëve nga kandidimi.

Ripërsërisim sot thirrjen ndaj përfaqësuesve të qeverisë që të demonstrojnë vullnet‎ politik dhe t’i hapim rrugën dekriminalizimit të zgjedhjeve vendore. Është në interesin e çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike që persona me rekorde kriminale të mos garojnë për funksionet e larta publike të të zgjedhurve vendorë.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, 7 Qershor 2015