Partia Demokratike, dega Berat, reagon me shqetësim lidhur me punësimet e paligjshme që po kryen Lëvizja Socialiste për Integrim në Berat në institucionet që ajo drejton.

Kështu, ditën e sotme vetëm në drejtorinë e Tatim-Taksave në Berat janë punësuar mbi 15 punonjës me kontrata 3-mujore.

Një gjë e tillë vjen vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve lokale në vend dhe është një mjet i hapur dhe i dukshëm i tentativave për të manipuluar dhe influencuar votën e zgjedhësve në bashkinë e Beratit.

Ky nuk është institucioni i vetëm në Berat që ndodhë një gjë e tillë.

Po ashtu, edhe në Spitalin Rajonal të Beratit janë marrë gjatë fushatës elektorale punonjës me kontrata provizore ose pa të tilla fare, vetëm e vetëm për qëllime elektorale.

Rasti më ekstrem i këtij manipulimi është ai i Paraburgimit të Beratit, i cili, edhe pse ka 7 muaj që është inauguruar, ende nuk ka filluar funksionimin normal,  duke mbajtur peng të gjithë aplikantët, numri i të cilëve shkon deri në një mijë, vetëm për 74 vende pune.

Partia Demokratike, dega Berat, e denoncon këtë metodë të jashtëligjshme dhe i bën thirrje qytetarëve të Beratit të mos bien pre e manipulimeve për qëllime elektorale.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 19 Qershor 2015