Një takim produktiv me kryetaren e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Shqetësimet e prekura në raportin paraprak për shkatërrimin e standardeve zgjedhore janë dokumentuar nga vëzhguesit në terren. Ndërkohë, Partia Demokratike është në procesin hartimit të një raporti të detajuar të shkatërrimit të standardeve zgjedhore që kulmuan në ditën e zgjedhjeve por që nisëm që me fushatën elektorale. Shqetësimet tona dhe të ODIHR-it kanë pika të përbashkëta siç është shitblerja masive e votës, kandidimi i personave me rekorde kriminale, përdorimi i bandave nga pushteti për të kërcënuar votuesit dhe aktivistët e opozitës, presioni mbi median e lirë, shitblerja, mbledhja, falsifikimi i kartave të identitetit, presioni mbi administratën publike dhe përdorimi i saj për të ushtruar presion tek zgjedhësit, tek të afërmit e anëtarëve të administratës publike ose jo. Politizimi i institucioneve zgjedhore dhe vendosjen e dy standardeve të vendimeve të këtyre institucioneve. Presion i hapur mbi këto institucione.
Këto shqetësime dhe shqetësime të tjera tashmë janë bërë publike, siç u pa qartë edhe në takimin e djeshëm të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Shkatërrimi i zgjedhjeve të 21 Qershorit është tashmë i dokumentuar. Ne do të bashkëpunojmë me OSBE-në, ODIHR-in, Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian që çmojnë standardet demokratike dhe progresin demokratik të 25 viteve të Shqipërisë për të ndalur këtë gremisje të demokracisë shqiptare, për të dalë nga ky udhëkryq i rrezikshëm i zhbërjes së demokracisë ku e futën vendin Edi Rama me Ilir Meta me shkatërrimin e zgjedhjeve të 21 Qershorit. Por, natyrisht kjo është një betejë në të cilën Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi misionin dhe detyrën të qëndrojmë në ballë të gjithë qytetarëve të lirë shqiptarë, të cilët duhet të kenë besim të plotë se e drejta e tyre themelore për të dhënë votën e tyre të lirë nga presionet, nga kërcënimet, nga frika, nga shantazhi, nga blerja e votës, për kandidatë të denjë për votën e tyre, kjo e drejtë themelore do të mbrohet deri në fund nga Partia Demokratike dhe nga unë personalisht dhe se jemi të vendosur që me gjithë forcën tonë si opozitës, si Parti Demokratike të nisim një betejë pa kthim për rivendosjen e standardeve të zhbëra demokratike në zgjedhjet e 21 Qershorit.
Kjo do të thotë një reformë e re zgjedhje z Basha?
Kjo do të thotë një rishikim total, padyshim, edhe i sistemit për të pamundësuar këtë maskaradë dhe këtë banditizëm masiv me zgjedhjet e 21 Qershorit, por do të thotë më shumë se kaq. Do të thotë një zgjim i madh qytetar, një zgjim i madh kombëtar popullor në mbrojtje të demokracisë, në mbrojte të standardeve zgjedhore, në mbrojtje të zgjedhjeve të lira si parakusht i një demokracie funksionale.
Prononcim për mediat i kryetarit të PD, Lulzim Basha, pas takimit me kryetaren e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, 30 Qershor 2015