Partia Demokratike publikon sot një provë se si pushteti masakroi standardin për zgjedhje të lira më 21 Qershor.

Në komunën Pult të bashkisë së re të Shkodrës, kutia e votimit nr 0092 të fshatit Brucaj është tejmbushur me vota nga komisionerët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në videon që po transmetojmë dhe që po ia vëmë në dispozicion gjithë medias, duket qartë që komisionerët e majtë kanë mbushur duart me fletë votimi dhe votojnë në masë dhe me qetësi të plotë. 2 komisionerët e Partisë Demokratike janë nxjerrë forcërisht jashtë komisionit të votimit.

Në kutinë e votimit u gjetën 388 fletë votimi, kur në votim kishin firmosur 377 persona.

Në zgjedhjet e vitit 2013, në këtë qendër votimi morën pjesë 125 votues.

Rezultati për këtë qendër votimi me fletë të hedhura në kuti flet qartë për shkallën e madhe të manipulimit të zgjedhjeve nga pushteti. Për kandidaten e majtë Keti Bazhdari janë 331 vota ose rreth 88 %, 2 vota për kandidatin e pavarur ndërsa për kandidaten fituese Voltana Ademi vetëm 44 vota.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal ndaj komisionerëve që me urdhër mbushën kutinë e votimit për kandidaten e pushtetit. I bëjmë thirrje misionit të OSBE/ODIHR të marrë në ngarkim këtë provë të shkatërrimit të standardit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

Partia Demokratike nuk do të ndalet në denoncimin e çdo akti kriminal të shkatërrimit të zgjedhjeve të 21 Qershorit dhe dyshen e pushtetit që minuan demokracinë shqiptare duke mbushur kutitë e votimit.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Eduard Halimi, 30 Qershor