Pas më shumë se dy javësh denoncime nga Partia Demokratike dhe një pjesë e medias në lidhje me skandalin e përfitimit të miliardave me receta false, më në fund prokuroria hodhi një hap dhe arrestoi Drejtorin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në Tiranë, Pjerin Xhuvani.

I arrestuari është ky personi këtu (foto bashkëngjitur), miku i Ilir Metës, kryetar i LSI-së për Elbasanin.

Një dëshmi e qartë kjo se LSI, është një forcë politike,  me mision të vetëm korrupsionin, vjedhjen dhe abuzimin.

Skandali i vjedhjes së miliarda lekëve me receta fiktive ka nxjerrë në pah një mekanizëm kriminal, të mirëstrukturuar kokat e të cilit janë në krye të qeverisë.

Falsifikimi i recetave llogaritet të ketë futur në xhepat e mafias së ilaçeve, më shumë se 7 miliardë lekë.

Zullumi ishte aq i madh, sa edhe pse raporti i kontrollit u mbajt i fshehur per me shume se nje muaj në kryeministri, nga personi kyç i Edi Ramës që mbulon korrupsionin dhe abuzimet, sërish gjurmët ngelën dhe prokuroria arriti të arrestojë një pjesë fare te vogël të zinxhirit.

Partia Demokratike vlerëson punën e prokurorisë deri tani në lidhje me këtë skandal, por kjo do të ishte një punë e palotë, nëse nuk vihen para përgjegjësisë kumbarët e vërtetë të këtij rrjeti mafioz.

Kjo është një tango kriminale që kërkon dy vetë që të luhet. I arrestuari i LSI-së nuk ka kërcyer i vetëm në këtë skenë korruptive.

7 miliardë lekë të vjedhura, të futur në xhepat e qeveritarëve me receta fiktive, ndërkohë që qytetarët, pacientët, të pamundurit e të afërmit  e tyre po torturohen nëpër spitale nga mungesa e ilaçeve, dhe nga çmimi i tyre stratosferik.

Gishti është drejtuar nga Ministri i Shëndetësisë, i cili bëri të pamundurën për ta mbrojtur këtë skemë të turpshme të vjedhjes me receta false. Ministri I shendetesise eshte sot i akuzuari kryesor per perpjekje per manipulim dhe fshehje te provave. Ministri i Shëndetësisë persëri gënjeu kur tha që çmimet e barnave janë ulur. Sot që flasim, mbi 30 % e listës së barnave të rimbursueshme kanë çmim shumë më të lartë. Por edhe ato barna çmimi i të cilave është ulur jo me negociim por me dhunë, sot nuk gjenden në treg. Në treg sot mungojnë më shumë se 20 barna një pjesë e të cilave përdoret edhe për kurimin e sëmundjeve të rënda si kanceri. Sot jeta dhe shëndeti i qytetarëve shqiptarë është në rrezik!

Ky është një krim i padëgjuar më parë, për të cilin duhet vënë sa më shpejt drejtësi. Drejtësi e plotë deri në fund.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Qershor 2015