Në takimin me banorë  dhe mbështetësit e Partisë Republikane kandidati Gjergj Mero tha se shtresat në nevojë do të mbështeten dhe nuk do të braktisen, sikurse po vepron  qeveria qendrore dhe bashkia, duke u hequr bukën e gojës,  që është ndihma sociale. Ai tha se nuk do të ketë më të varfër që të mos mund  të paguajnë dritat dhe të  kërcënohen  për burgim nga qeveria, pasi Bashkia e re do të gjejë mundësi subevcionimi për të bërë këtë pagesë. Aktualisht tha kandidati Mero unë kam takuar në qytet me qindra familje rome dhe në nevojë ,  të cilave u është hequr furnizimi me ujë dhe drita, pasi nuk kanë me çfarë të paguajnë.

“Kjo është qeverisja më antisociale dhe antihumane që po vuajnë korçarët dhe të gjithë shqiptarët, pasi varfëria dhe papunësia ka kapur nivele ekstreme. Dhe është një trishtim i madh kur po këta arkitektë të mjerimit vazhdojnë ende të mashtrojnë  njerëzit me premtime boshe, kur në realitet  ata kanë që në vitin  e kaluar lista të tëra ushqimesh pa paguar dhe nuk arrijnë dot të sigurojnë vaktet normale për familjet e tyre. Me drejtimin e bashkisë së re ne do të jemi avokatët dhe mbështetësit më të fortë të daljes së shtresave në nevojë nga kriza dhe punësimit të tyre ne shërbimet bashkiake si dhe në çeljen e bizneseve të reja private.-u shpreh kandidati Mero.

Në fjalën e tij kandidati demokrat  tha se prioritet i programit është punësimi nëpërmjet çeljes së bizneseve të reja dhe rihapjes së aktiviteteve të vogla,  të mbyllura nga kriza e rëndë ekonomike. Ai tha se lehtësitë e ndjeshme fiskale dhe mbështetja  për të punësuarit e rinj do të jenë objektivat kryesorë  për biznesin që në fillim të drejtimit,  si kryebashkiaku i Korçës.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 10 Qershor 2015