Kandidati për kryebashkiak i Tiranës, Halim Kosova, takohet me banorët e lagjeve periferike të Kombinatit
Kandidati për Kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorë të zonës së Kombinatit në ecjet e takimet e tij nëpër lagje, duke shpjeguar programin dhe mënyrën se si projektet do të ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.
“Atje në fshat kur ishim e kishim 100 herë më të mirë rrugën se këtë këtu”, i thotë Kosovës, një qytetar.
“Tani me këto probleme përpara, kam një projekt të detajuar, kam objektiva se çfarë duhet të bëj me ju”, përgjigjet Kosova.
Kandidati për kryebashkiak u ka folur banorëve për parimet e tij të qeverisjes që janë transparenca dhe trajtimi i barabartë e pa dallim i qytetarëve.
“Çdo njeri, kudo që të jetë në Tiranë, kudo që të banojë, të ketë konditat që ka çdo njeri, çdo qytetar i Tiranës. A je në periferi a je në qendër, nuk duhet të ketë diskriminim, një njeri të ketë ujë dhe një jo, një me drita dhe një jo, një me asfalt dhe një me gropa. Po duhet të kenë të gjithë barazi dhe janë mundësitë për tu bërë. Unë them që kam mundësi që ato që shikoj dhe ato që më thonë qytetarët, unë kam mundësi të gjej zgjidhje. Dua të tregoj një herë në këtë vend sesi mund të bëhen gjërat pa vjedhur. Kjo është shumë e rëndësishme, sespe do të kenë mundësi të gjithë qytetarët ta marrin vesh se sa i rëndësishëm është individi”, tha Halim Kosova.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Qershor 2015