Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është një lajm i zi për vetë drejtësinë.

Thonë se në shtëpinë e të varurit nuk duhet të përmendet litari. Dhe litari që la jashtë sot Gjykata e Lartë me vendimin e saj të turpshëm, është një litar që kërkon të mbytë përfundimisht drejtësinë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Që e keqja dhe e liga po çojnë vendin në një shteg që po mbytet.

Është një vendim i cili tregon për të gjithë shqiptarët standardin e rrënuar të kësaj Gjykate, të kapjes, të nënshtrimit dhe lakut që po mbyt drejtësinë dhe qytetarët dhe vendosjes së një regjimi autoritarist.

Vendimi i turpshëm i Gjykatës së Lartë sot, duke mbajtur të paprekur, të paprekshmit e urdhëruar personalisht me sms nga Rama për të dhunuar, ashtu si dhe vendimet e po kësaj gjykate për të dënuar eksponentët e lartë të Partisë Demokratike se preken me fjalën e lirë të paprekshmin Kryeministër, nuk kanë as për të intimiduar  opozitën, dhe për ta ndërprerë  betejën e saj për fjalën e lirë dhe dekriminalizimin pa kushte të parlamentit.

Beteja e opozitës do të vazhdojë më e fortë se kurrë sepse kapja e drejtësisë dhe nënshtrimi i saj është një lak që do mbysë qytetarët dhe demokracinë në vend, një lak që po tregon se vendin e demokracisë po e zë regjimi.

Këto vendime tregojnë qartazi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet drejtësia sot, e kapur, e nënshtruar, e urdhëruar dhe e vënë nën kontroll për ti shërbyer Kryeministrit dhe miqve të tij me rekorde të tmerrshme kriminale.

Tregojnë qartë se qytetarët nuk  mund të kenë asnjë shpresë më se drejtësia do jetë e paanshme, e pavarur dhe në shërbim të tyre dhe demokracisë, por po shkon drejt një drejtësie që i gjunjëzohet regjimit.

Të gjithë shqiptarët panë me zë dhe figurë se ishte personalisht Edi Rama ai që urdhëroi dhunën me sms, që ishin personalisht të paprekshmit e Ramës që zbatuan urdhërin dhe ushtruan një dhunë primitive ndaj deputetit dhe ja ku dolën të palagur. Çfarë mund të shpresojnë më qytetarët nga drejtësia, kur dhuna shfajësohet po të jesh në krah të Kryeministrit dhe fjala ndërshkohet po të jesh kundër tij?

Miliona shqiptarë janë dëshmitarë të këtyre skenave dhe vendimeve te turpshme që tregojnë qartë standardin e rrënuar dhe gjendjen e kalbjes së sistemit, të nënshtrimit të drejtësisë para urdhrave politikë të regjimit që po vendos Edi Rama.

Ky vendim i turpshëm, është edhe një thirrje më shumë që kjo mazhorancë që ka kapur çdo pushtet në vend, qe ka kapur drejtësinë dhe kërkon t’i hedhë lakun popullit duhet të marrë leksionin e duhur nga populli ne 21 qershor.

Edhe më i bashkuar edhe më i fortë do të jetë vendimi i shqiptarëve për të ndalur regjimin, të keqen dhe të ligën që po pushton vendin. Kanë mbetur më pak se dy javë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 10 Qershor 2015