Të dashur miq
Të dashur qytetarë të Kombinatit, Pezës, Ndroqit dhe gjithë Tiranës
E kuptoj mirë entuziasmin tuaj sot. Edhe 4 ditë na ndajnë nga fitorja e përbashkët. Eshtë fitorja juaj, e çdo qytetari të Tiranës që do të marrë me 21 qershor pushtetin e tij.
Ju keni një punë për të bërë, një detyrim për të ushtruar. Votën të dielen që po vjen. Pas kësaj nis puna ime, detyrimi im, për të justifikuar besimin tuaj, çdo ditë të vitit, me punë e përkushtim, pa orar pa asnjë kufizim.
Ju e dini se modeli im nuk është i fjalës por i punës. Këtë e kam treguar në eksperiencën time dhe po pres ta dëshmoj nesër për 1 milionë banorët e Tiranës. Do të nisë puna në qytetin tonë me 22 qershor e nuk do të ndalet.
Zgjedhja është e thjeshtë.
Ka ardhur koha që qytetarët e Tiranës ti japin kuptim votës, të mandatojnë personin e duhur. Të sjellin në bashki zërin e tyre, kërkesat e tyre, të drejtat e tyre. Unë e shoh zyrën e kryetarit të Bashkisë vetëm në një drejtim. Si zyra e shërbimit ndaj qytetarëve, zyra ku do marrë jetë projekti për të përmirësuar jetën në çdo lagje e në çdo rrugicë, për çdo banor të Tiranës pa asnjë dallim. Nuk i kam ndarë kurrë qytetarët në të majtë e të djathtë, të partisë, apo të paparti. Kjo gjë nuk ndryshon, dhe pikë. Të gjithë të barabartë në të drejta e përgjegjësi.
Nuk do të merret zyra e kryebashkiakut asnjë ditë me llogari politike me kalkulime të interesave të klaneve e miqve.
Nuk do të jetë ajo zyra e karrierës për tú katapultuar më pas duke vënë interesin personal mbi atë të qytetarëve.
Prandaj analiza është e thjeshtë, dhe unë besoj në gjykimin e drejtë të qytetarëve të Tiranës, që verdikti i tyre do të jetë pikërisht për ti dhënë një shans, një mundësi; punësimit, uljes së taksave, pastrimit e gjelbërimit, arsimit dhe rrugëve e trotuareve. Kështu ka për të qënë. Votë për ti dhënë shansin 1 milionë banorëve, dhe jo një personi që kërkon të merret me politikë.
Unë kam prezantuar një projekt të detajuar për zonën tuaj. Për çdo njësi të Tiranës. E për çdo fshat. Projekti im nis tek dera e shtëpisë së çdo qytetari.
Kam një plan konkret për të sjellë ujë 24 orë, e për të harmonizuar prodhimet e fshatit me tregjet, që kostot të jenë të ulura e çmimi të bëhet i arsyeshëm.
Ulja me 30 përqind e taksave do të ndihmojë biznesin të dalë nga kriza, të rritet e te krijojë vende pune.
Do të jetë e plotë mbështetja për sipërmarrjet e reja dhe idetë novatore. Fondi i garancisë për nisjen e bizneseve të vogla do të trefishohet.
Të rinjve, studentë dhe profesionistë do u jepet mundësia të bëjnë praktikë pune në zyrat e bashkisë, që ata të aftësohen të jenë gati nesër për të nisur karrierën.
Më shumë bonuse për strehimin dhe politika të tilla me sektorin e ndërtimit që të ndihmojnë familjet e reja të kenë një strehë, të ndërtojnë jetën.
Një qytet miqësor, ku me ndërhyrjet e duhura do të shmangim kaosin e stresin që sjell trafiku.
Çdo projekt ka një faturë dhe unë e kam paraqitur atë. Por miqtë e mi, është diçka më e rëndësishme që duhet të keni parasysh.
Vullneti për ti shkuar gjërave deri në fund, për ti realizuar ato.
Stili im nuk është i komplikuar. Unë kam objektiva, vendos standarde dhe afate për përmbushjen e tyre. E kam huq të vjetër ti mbikqyr punët deri në detaje, dhe nuk ka shans që të pengohen shërbimet ndaj jush për arsye subjektive.
Në ekipin tim do të bëhen pjesë vetëm profesionistët që do të ndjekin ritmin tim, pra që do të ndjekin interesat tuaja. Nuk njoh ndërhyrje e miqësi kur bëhet fjalë për punën. Puna dhe qytetari për mua janë të shenjta, dhe nuk lejoj askënd të dëmtojë këto parime të miat.
Ta dini miqtë e mi se transparenca, një fjalë që e keni dëgjuar dendur, me mua ka për të marrë kuptim. Në çdo moment, do të mund të dini se sa para janë mbledhur, dhe ku kanë shkuar ato.
Dhe nëse nuk jeni të kënaqur ngrijeni zërin, jam aty për tiu dëgjuar, për të marrë vendime bashkë me ju.
Nuk e kam zakon të fajësoj të tjerët për çka nuk ka shkuar si duhet, por marr përgjegjësi dhe i ushtroj ato.
Politikanët në këto vite kanë shpenzuar kohë dhe energji për të luftuar njëri-tjetrin dhe shpesh kanë mbajtur peng dhe qytetin e interesat tuaja. Unë nuk kam kohë, ju nuk keni kohë për të çuar dëm. Ne kemi tjetër vizion, dhe për këtë jemi të bashkuar. Kjo është lidhja jonë e fuqishme.
Unë nuk jam politikan tipik por mendoj se ka ardhur koha pikërisht për këtë.
Për kombinatin e zhvilluar
Për Pezën e Ndroqin me mirëqënie
Për Tiranën tonë të mrekullueshme
Për punë e jo fjalë
Ju faleminderit
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Qershor 2015