Sot në selinë e Partisë Demokratike, drejtuesit më të lartë të Partisë  Demokratike  dhe të Grupimit “Dhjetor 90”,  në një  takim të përbashkët, vendosën  krijimin e  Komisionit Organizator Kombëtar të  Veprimtarive Përkujtimore  që do të organizohen në përkujtim të 25 Vjetorit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90 dhe themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Kjo nisëm synon të risjellë në kujtesën e shoqërisë shqiptare momentet dhe mesazhet kryesore të ndryshimit historik të Shqipërisë, rrëzimit të komunizmit, nisjes së rrugës së lirisë dhe demokracisë për vendin tonë.

25 vjetori i Lëvizjes Studentore, që u finalizua me legalizimin e pluralizmit politik dhe me lindjen e Partisë Demokratike, do të jetë  një moment i bashkimit të të gjithë protagonistëve  të atyre ditëve historike, ku çdo qytetar protagonist qendror dhe periferik do ta ndjejë veten pjesë të atij ndryshimi të madh  që ndau Shqipërinë nga diktatura më e egër e lindjes komuniste dhe e orientoi vendin drejt vlerave të  lirisë, drejt Europës.

Pjesë e këtij komisioni të përbashkët do të jenë organizatorë dhe drejtues të Levizjes Studentore, ish studentë, pedagogë, intelektualë dhe qytetarë të Tiranës, themelues të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Komisioni Organizator, në mbledhjen e tij të pare, do të hartojë dhe bëj publik kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen në qytetet kryesore të Shqipërisë,  për të kulmuar me 8 dhjetor  (Ditën Kombëtare të Rinisë) dhe  11 Dhjetor (ditën e themelimit te Partisë Demokratike) në Tiranë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 31 korrik 2015