Të nderuar kryetarë të zgjedhur të bashkive
Dua t’ju uroj për zgjedhjen tuaj në këtë detyre fisnike, për besimin që ju dhanë bashkqytetarët tuaj me votat e tyre, për kembenguljen tuaj gjatë gjithë fushates për t’i qendruar me vendosmëri pikpamjes se këto zgjedhje duhet të ofrojne zgjidhje për qytetarët, dhe jo të jenë një ushtrim në kapjen apo mbajtjen me çdo kusht të pushtetit për interesa dhe axhenda të ngushta partiake dhe klienteliste.
Fitoret tuaja janë edhe më të çmuara sepse ato janë arritur ne kushtet e nje procesi elektoral të manipuluar dhe nje gare të pabarabarte e të paprincipte. Fitoret tuaja janë një triumf i lirisë dhe i bashkimit të qytetarëve, që treguan se as blerja masive e votave me paratë e krimit dhe të korrupsionit, as angazhimi i kontigjentit kriminal në mbështetje të kandidateve te qeverise, as perdorimi i pafre i dhe i paligjshem i administratës dhe pasurive publike nga partitë në pushtet, as angazhimi i drejteperdrejte i shtetit me të gjithë makinerinë e tij, tatime, inspektoriate, dhe në veçanti i policise duke ushtruar presion dhe duke kërcënuar votuesit dhe mbeshtetesit tuaj e të opozites, nuk ia dolën t’ju mposhtin, nuk ia dolën ta mbysnin tërësisht demokracinë në vend.
Ju i ofruat qytetarëve vizionin tuaj, platformen dhe ofertën tuaj për t’u përballur me problemet e mëdha me të cilat ndeshen ata çdo dite: pasigurine për të nesërmen, shtrëngesën dhe krizën ekonomike, papunësinë dhe varfërine. Mosrritje taksash dhe ulje kudo e sado të jetë e mundur, qëndrimi në krah të sipërmarrjes që siguron punësim dhe në veçanti në krah të biznesit të vogël që përballet me vështirësi dhe padrejtësi të mëdha, orientimi i të gjitha fondeve dhe pasurive të bashkisë që ju do të drejtoni drejt projekteve që nxisin zhvillim ekonomik dhe hapin vende pune. Ardhje në ndihmë familjeve në nevojë – Këto janë disa prej tipareve përbashkuese të platformave tuaja individuale dhe të larmishme për zgjidhjet që ofrojnë.
Ju i dhatë qytetarëve besimin dhe sigurinë se do ti shërbeni 24 orë në dite, pa asnjë dallim, duke qenë në dispozionin e tyre për ti dëgjuar e për të qarë hallet me ta, pa arrogancë, pa hipokrizi por me përkushtim dhe ndjenje të lartë shërbimi dhe përkujdesje ndaj tyre.
Të gjitha këto janë sot zotime që presin të përmbushen nga dita juaj e parë si kryebashkiakë e deri në fund të mandatit tuaj. Dua ta theksoj se për ju, për Partinë Demokratike dhe për për mua personalisht gjithçka lidhet me pushtetin vendor duhet të jetë në funksion të shërbimit ndaj qytetarit dhe jo ndaj politikës dhe interesave të saj.
Për fat të keq e kundërta mund të thuhet me gojën plot për palën tjetër e cila e nisi dhe e bitisi me interesa partiake dhe klienteliste. Që nga harta territoriale e cila u konceptua, u hartua dhe u vu në jetë si një Pazar elektoral.
Zbritja në fushatë si kurrë më parë e e krerëve të qeverisë dhe çdo strukture shtetërore gërshetuar me celulat e krimit të thirrura nën armë si asnjëherë tjetër.
Kërcënimet e pashembullta për një vend europian nga kreu i qeverisë se vota për kandidatët e opozitës ishte një votë e çuar dëm, dhe se ata nuk i duhen as dreqit.
Kandidimi i kriminelëve. Pra vendosja para qytetarëve e alternativës së drogës, dhunës, armës e vrasjeve. Dhe megjithë kërkesat e përsëritura të partnerëve ndërkombëtarë, të ambasadës amerikane e opinionit publik, sërish Edi Rama nuk u tërhoq nga ky model, dhe ende nuk ka gjetur asnjë moment për të dhënë një shpjegim, për të dëshmuar një shenjë reflektimi, për faktin se u dha pushtet, u dha drejtimin e jetës së qytetarëve për 4 vite, personave me precedentë të rëndë penalë, përfaqësues të botës së krimit.
Asnjë ndjesë nga Edi Rama, dhe tashmë është fare e qartë se përse ai minoi në çdo orë procesin e dekriminalizimit, pasi modeli që ai ka sjellë në paralament e tashmë edhe në krye të bashkive të vendit janë Artur Bushi, Elvis Roshi e shumë të tjerë që i ka bërë edhe pjesë të këshillave bashkiake.
E gjithë kjo ethe marrëzie për ta kapur pushtetin me çdo kusht e me ço mjet për ta vendosur atë si një rimorkio të pushtetit qendror u duk në mungesën e një ligji që të përcaktojë qartë kompetencat, autoritetin dhe detyrat e pushtetit vendor.
Nuk e bëri ligjin ndonëse ne insistuam për dy vjet me radhë. Nuke e bëri sepse po ta kishte bërë nuk i kërcënonte dot qytetarët për votën. Nuk e bëri dhe zgjodhi sepse nuk kanë prioritet qytetarin por pushtetin.
Në vend se të angazhohet për zgjidhur krizën e madhe ku gjendet pushteti i ri vendor, për ti dhënë drejtim boshllëkut ligjor dhe udhëkryqit ku gjenden bashkitë e qytetarët, në vend që të kthehet në rrugën europiane të ligjit ndarjes së qartë të detyrave dhe pushteteve, respektit për të zgjedhurit e drejtpërdrejtë, vazhdon lojërat orientale të pushtetit.
Ftesa me telefon, pa axhendë, për shfaqje mediatike, për të vazhduar fushatën e tij të llafeve e sulmeve ndaj opozitës, ndërkohë që situate është kritike.
Rama manifestoi sot se nuk respekton asnjë kryetar bashkie si të tillë, ai thjesht i trajton ata si vartës, si zgjatime të trilleve të tij.
Nuk paraqiti asnjë koncept, se si do të jetë e ardhmja e bashkive, cfarë të ardhurash do të kenë ato, çfarë autonomie, cilat do të jenë kompetencat.
Nga ana tjetër, nuk vonoi aspak për të provuar se i vetmi koncept i konsoliduar tek ai, i rrënjosur mirë, është ai i betonit klientelist. I tillë është projekti që ka ndërmend të zbatojë për parkun e liqenit. Një betonizim i stërmadh, i pabesë, i pakonsultuar me qytetarët, ndërkohë që ka premtuar publikisht krejt tjetër gjë. Por ka dalë e qartë se ai mund të ndërrojë ngjyrat, por jo zakonet. Tiranën e sheh si fabrikë të interesave të tij klienteliste e financiare, dhe këtë plan ka ndërmend të vëjë në zbatim me vartësin e tij.
Janë pikërisht interesat financiare që drejtuan fushatën e Ramës dhe kandidatitit të tij të emëruar. Miliona euro, shpenzime të pahasura ndonjëherë më parë. Para të padeklaruara, me burime të panjohura, të errëta e kriminale. Por para dhe interesa që duhet ti kthehen klientelës, pikërisht me projektin e tij të betonizimit të tmerrshëm të parkut të Tiranës.
Ku janë qytetarët e Tiranës, e të gjithë vendit në këtë histori.
Ku janë interesat e tyre.
U fshinë mënjeherë, ende pa u mandatuar zyrtarisht kryetarët e bashkive nga KQZ-ja.
Të nderuar kryebashkiakë të zgjedhur.
Unë kam shumë besim se ju do ti përmbaheni kontratës që keni bërë me Partinë Demokratike dhe me qytetarët që ju kanë zgjedhur, se do të udhehiqeni vetëm nga interesi i tyre. Qytetarët që ju mandatuan patën guximin të ndalonin makinerinë e tmerrshme të manipulimit, dhe unë besoj se ju do të keni kurajon për ti përfaqësuar në çdo moment, dëshirat, shpresat dhe pritshmëritë e tyre.
Partia Demokratike nuk do te braktisë për asnjë moment edhe ata qytetarë të cilët sot për shumë arsye të cilat i përmenda dhe pak më lart, që nga presioni, kërcënimi, blerja e votave, manipulimi etj, kanë sot kryebashkiakët që nuk i meritojnë dhe aq më keq dhe me rekorde kriminale. Ne do të qëndrojmë fort dhe të palëkundur në krah të tyre për të mbrojtur interesat e tyre.
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, me kryetarët e zgjedhur të bashkive, 6 Korrik 2015