Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i shoqëruar nga kryetari i PR, Fatmir Mediu dhe një delegacion i opozitës u takuan në Vjenë me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier dhe me përfaqësues të Këshillit të përhershëm të ambasadorëve të OSBE-së.
Zoti Basha ka falënderuar për misionin e vëzhguesve të OSBE që monitoruan procesin zgjedhor të 21 qershorit dhe faktimin e problemeve të mëdha të cilat siç theksohet edhe në raportin paraprak kanë minuar besimin e zgjedhësve te vota e lirë.
Zoti Basha u ndal konkretisht në problematikën e zgjedhjeve, duke nisur me kandidimin nga mazhoranca të personave me rekorde kriminale, trafikantë, tutorë, pengmarrës dhe kriminelë të njohur e të skeduar në vende të ndryshme të Europës të cilët ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve dhe aktivistëve të opozitës si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota.
Në këto zgjedhje, theksoi lideri i opozitës, u aktivizuan masivisht dhe dhunshëm banda të armatosura kriminale të lidhura me pushtetin, të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit e opozitës para syve të policisë, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë.
Administrata publike u vu në një presion të hapur nga kryeministri dhe kryetari i kuvendit, për të mbushur kutitë me vota, fakt i cili iu vu në dispozicion nga zoti Basha bashkëbiseduesve.
Si kurrë më parë në zgjedhje, tha zoti Basha, të gjithë strukturave të shtetit, tatimorëve, inspektoriateve, drejtorive arsimore dhe të shëndetit, burgjeve, OSHEE e në veçanti të policisë ushtruan një fushatë sulmesh, dhune, terrori, shoqërimesh, arrestimesh, kërcënimesh dhe keqtrajtimesh ndaj aktivistëve, kandidatëve dhe mbështetësve të opozitës në të gjithë vendin.
Zoti Basha u ka bërë të ditur sekretarit të përgjithshëm të OSBE dhe ambasadorëve të Këshillit të përhershëm fakte të pakundërshtueshme të përdorimit të fondeve publike, parave të krimit të organizuar dhe të korrupsionit qeveritar, për të blerë masivisht votat me lekë, me ushqime e me veshmbathje.
Mijëra karta identiteti u janë marrë qytetarëve me dhunë dhe kundrejt shpërblimeve monetare apo ushqimore. Punonjësit e administratës, tha zoti Basha, të cilët dyshoheshin si mbështetës të opozitës janë detyruar të dorëzojnë kartat, në mënyrë që të mos marrin pjesë në votim, në të kundërt janë kërcënuar se do të humbisnin vendin e punës. Mijëra personave që nuk ndodheshin në Shqipëri, tha zoti Basha, u janë përdorur të dhënat personale për të prodhuar karta identiteti të falsifikuara, me të cilat është votuar në 21 qershor.
Lideri i opozitës ka bërë të ditur dhe manipulimin që u është bërë listave zgjedhore dhe mbushjen e kutive të votimit, veçanërisht gjatë pasdites së 21 qershorit në një numër të madh qendrash votimi, pas nxjerrjes jashtë me forcë të komisionerëve të opozitës.
Partia Demokratike, tha zoti Basha, bëri publike para ditës së votimit transferime të paligjshme të mijëra zgjedhësve, kryesisht në Durrës dhe Kavajë, të cilat u çuan në Prokurori dhe pavarësisht vendimit të institucioneve të drejtësisë, KQZ-ja nuk mori asnjë masë për të pastruar listat e zgjedhësve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal dhe në presionin e jashtëzakonshëm që qeveria dhe mazhoranca ushtroi ndaj medias dhe gazetarëve.
Duke vlerësuar raportin paraprak të vëzhguesve të ODIHR, zoti Basha shprehu rëndësinë e madhe që ka raporti përfundimtar, për të evidentuar shkatërrimin e standardeve zgjedhore dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te liria e votës dhe zgjedhjet.
Sekretari i përgjithshëm i OSBE Zannier e siguroi zotin Basha, për një vlerësim objektiv dhe të saktë të zgjedhjeve i cili do të reflektohet në raportin përfundimtar.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 3 Korrik 2015