Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike

Të dashur bashkëqytetarë

Zgjedhjet vendore të 21 qershorit priteshin të shënonin një përparim dhe një frymëzim të ri  për demokracinë në vendin tonë, sidomos në kushtet kur kemi marrë statusin e  vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe synojmë hapjen e bisedimeve për anëtarësim të plotë në familjen europiane.

Për fatin e keq të shqiptarëve dhe për turpin e qeverisë Rama-Meta këto zgjedhje po vulosen dita-ditës, sa më qartë del në pah e vërteta e tyre tronditëse, si zgjedhje jashtë çdo standarti bashkohor europian, si zgjedhje jo te lira dhe të ndershme.

Në këto zgjedhje u dëshmua shfaqja më brutale e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim në qeverisjen e Republikës së Shqipërisë.

Tashmë në historikun e demokracisë shqiptare dhe në kancelaritë e botës perëndimore këto zgjedhje janë shënuar për:

  1. Aktin e paprecedentë të kandididimit të perfaqësuesve të krimit, trafikantë, tutore, pengamarrës dhe kriminelë të njohur e të skeduar që dyshja Rama-Meta i kandidoi pasi refuzoi thirrjet opozitare, mbarëqytetare, kombëtare dhe të komunitetit ndërkombëtar për t’u tërhequr nga ky akt poshtërues për Shqipërinë dhe shqiptarët.
  2. Aktivizimin masiv dhe të dhunshëm të bandave të armatosura kriminale që vepruan nën mbrojtjen e policisë para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, duke kërcënuar kandidatët e opozitës, mbështetësit e saj dhe zgjedhësit.
  3. Angazhimin si kurrë më parë në zgjedhje të të gjithë strukturave të shtetit, tatimorëve, inspektoriateve, drejtorive arsimore dhe të shëndetit, burgjeve, OSHEE e në veçanti të policisë, e që ushtruan një fushatë sulmesh, dhune, terrori, shoqërimesh, arrestimesh, kërcënimesh dhe keqtrajtimesh ndaj aktivistëve, kandidatëve dhe mbështetësve të opozitës nga Malësia e Madhe në Sarandë, Nga Durrësi në Korcë, nga Bulqiza në Gjirokastër, nga Mallakastra në Cërrik, nga Mati në Vorë, nga Puka në Rroskovec e kudo.
  4. Kërcënimin e administratës publike për votën dhe përdorimin e aseteve publike në funksion të fushatës të kandidatëve të qeverisë, urdhërin kriminal ndaj drejtorëve të administratës nga kryeministri i vendit për të marrë në dorë rezultatin e kutive të votimit.
  5. Derdhjen marramendëse të fondeve publike dhe parave të krimit dhe të korrupsionit qeveritar për të blerë masivisht votat me lekë, me ushqime e me veshmbathje.
  6. Sekuestrimin e mijëra kartave të identitetit, kundrejt shpërblimive monetare apo ushqimore, por dhe si kurrë më parë, nëpërmjet kanosjes dhe persekutimit të votuesve të djathtë, duke synuar paralelisht dhe manipulimin dhe falsifikimin e mijëra të tjerave dhe përdorimin e një numri të madh për votime false në emër të personave që rezultojnë jashtë vendit dhe në emigracion për muaj e për vite të tëra. Manipulimin e listave zgjedhore dhe mbushjen e kutive të votimit veçanërisht gjatë pasdites së 21 Qershorit në një numër të madh qendrash votimi pas nxjerrjes jashtë me forcë të komisionerëve të opozitës.
  7. Presioni dhe kercenimet ndaj gazetarëve, medias dhe kufizimet e lirisë së shprehjes.
  8. Presioni ndaj institucioneve administruese të zgjedhjeve, si KQZ, vendimet antiligjore dhe standartet e dyfishta të së cilës merituan një vend të veçantë në raportin e ndërmjetëm të ODIHR.

Une dua te sjell sot para jush vetëm disa prej rasteve flagrante te dhunimit të standarteve të zgjedhjeve, dhe deformimit te vullnetit te zgjedhesve.

Ndonëse Partia Demokratike dhe aleatët tanë ndërkombëtarë SHBA, BE, PE u angazhuan fuqimisht në procesin e dekriminalizimit, dyshja Rama Meta në shpërfillje të hapur të angazhimeve të tyre formale kandiduan në zgjedhjet vendore përfaqësues të botës së errët të krimit si Artur Bushi në Krujë, Artur Bardhi në Kurbin, Elvis Rroshi në Kavajë, Ndoni në Këlcyrë, Peci në Tepelenë, Qaja në Devoll, Kokoneshi në Divjakë, Hasalla në Peqin, individë që ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota.

Në zgjedhje u përfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat vepruan me si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, akitivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë që nuk ndërmori asnjë masë edhe përkundrejt denoncimeve të opozitës. si ajo Shullazit dhe Xhabaftëve në Tiranë dhe Vorë, “Hakmarrja për Drejtësi” në Lushnje dhe në Vlorë, bandat e Ben Qimes në Fier, banda e Kazazëve në Kavajë, bandat e Taullaut, Dokles, Lul Berishës, dhe Hoxhes në Durrës, banda e Spahinjve në Bulqizë banda e Suel Celës në Elbasan etj.

I dënuari me burgim të përjetshëm përr për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, Arben Frroku u përfshi në një fushatë të ethshme në Pukë. Ai jo rastësisht u lirua pak para zgjedhjeve por si garanci për të punuar në krah të Edi Ramës në Pukë me të cilët është parë dhe në ambiente publike. Si shpërblim Aben Frroku mori të drejtën për t’u larguar jashtë vendit vetëm pak ditë para se ai të dënohej me burgim të përjetshëm nga gjykata e Apelit.

Kandidatët e opozitës u kërcënuan që nga mbyllja e bizneseve, dhunimi i të afërmve e deri me jetë në mënyrë që të tërhiqeshin nga gara. Raste të bëra publike janë ato të kandidatit të Partisë Demokratike në Pogradec që u kërcënua me jetë përmes një mesazhi, kandidatit në Pukë që u kërcënua në ambientet publike, kandidatit të Kamzës ku në drejtim të tij u qëllua me armë zjarri, kandidatit të Vaut të Dejës ku një punonjës policie qëlloi në drejtim të vëllait të tij. Kandidatit të Cërrikut të dy nipërit e të cilit u goditën barbarisht në sulme të vecuara dhe kandidatit të Vorës ku e gjithë makineria shtetërore u investua për t’a shantazhuar. Ka patur madje dhe raste kërcënimesh me jetë ndaj kandidatëve për këshillin Bashkiak si në Delvinë, arkitektit Pandi Zhonga. Në malësi të madhe deputetin Sterkaj, nxorri armën, gjate procesit te numurimit te votave më 23 qershor, brenda Qendres se Numurimit te Votave te KZAZ-se Nr. 1 .

Kërcënime që shoqëroheshin nga presioni permanent i grupeve të individëve që lëviznin me makina pa targa, me xhama të zinj e të armatosur siç është raportuar gjerësisht në Krujë, Vorë, Bulqizë, Pukë, Cërrik. Në Fushë-krujë u vendos dhe eksploziv pranë një zyre elektorale të kandidatit tone metra larg komisariatit të Policisë.

Vëllai i kandidatit të mazhorancës në bashkinë e Selenicës njëkohësisht shef komisariati në Skodër i vuri pistoletën e shërbimit në kokë anëtarit të KZAZ-së së PD-së duke i thënë: “Do të te jap një plumb në kokë”. Shefi i komisariatit nr.6 të Policisë së Tiranës, shefi i Policisë Vorë  dhe inspektorë tëi policisë  u fotografuan në aktivitete elektorale në shoqëri të individëve me precedentë penalë dhe njëherësh kanë ushtruar presion ndaj anëtarëve të shtabit elektoral të kandidat të PD, anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj partie në Vorë, duke i shoqëruar në mënyrë periodike në komisariat.

Po në Tiranë, aktivistë të Partisë Demokratike, njësia 8, u shoqëruan në komisariatin nr.4 me qëllimin e vetëm për të përhapur panik ditën e votimit, më 21 qershor.

Shefi i Komisariatit të Policisë Bulqizë, u kap duke pasur në makinën e tij kutinë e votimit nr.1076 nga fshati Gjuras.

Kryeplaku i i fshatit Bërshi dhe anëtar aktiv i Partisë Demokratike në Burrel, z.Qazim Rexhepi, u kërcënuar nga vëllai i shefit të Policisë Kriminale në Burrel.

Anëtarë të PD në Mallakastër u kërcënuan me armë në kokë efektivë të Policisë së Shtetit disa orë para mitingut të kreut të opozitës, dhe dy ditë me vonë ku pa asnjë shkak është ndalur dhe kandidati i opozitës.

Në fshatin Postribë, policia ushtroi dhunë dhe terror në banesat e mbështetësve të Partisë Demokratike. Shoferi i kandidtait të PD në Klos u godit nga shefi i krimeve të Klosit, Ferdi Kola, njëkohësisht bashkëshorti i kandidates së majtë, Valbona Kola.

Dhunës barbare nuk i kanë shpëtuar dhe anëtarë e simpatizantë të Partisë Demokratike, në Sukth u dhunuan të rinjtë e Partisë Demokratike para nje tubimi elektoral, në Malësi të Madhe policia ushtroi dhunë ndaj simpatizantëve të PD-së pas takimit elektoral të kryetarit të opozitës, dhunë e cila vazhdoi edhe gjatë procesit në numërimit në këtë njësi ku u godit kreu i PD lokale si dhe u arrestua një numërues i PD.

Banore e fshatit Fushë Prezë, thonë se forcat e policisë të shoqëruar nga persona të panjohur kanë hyrë me forcë në shtëpitë e tyre dhe kanë ushtruar terror për më shumë se gjashtë orë në mënyrë që të mund të bënin dëshmi të rreme se kandidati i opozitës u ka dhënë , “thasë mielli”, praktikë kjo e njohur e LSI-së dhe PS-së. (siç është ajo shprehja e urtë:”Hajduti thotë, kapeni hajdutin!” )

Kemi bërë publike prova dhe fakte që votues të opozitës u ndaluan për të votuar, u terrorizuan dhe rrahën në ditën e zgjedhjeve nga bandat dhe individë me precedentë kriminalë siç është rasti i znj.Mereme Agalliu, bashkëshortja e  kryetarit të PD-së për seksionin nr. 6 në Durrës, që u dhunua barbarisht apo në Elbasan z.Xhevdet Mustafaj, që u kërcënua me jetë së bashku me familjen e tij nga banditët Çela me urdhër të Qazim Sejdinit.

Mosndëshkimi i fenomenit të faktuar të blerjes së votave në tetor 2013, në Korçë dha një garanci të mosndëshkimit për krime të tilla elektorale duke sjellë një blerje masive të votave në zgjedhjet lokale të 2015-ës.

Si kurrë më parë, në kundërshtim të hapur me ligjin, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, të burgosurit janë regjistruar masivisht për të votuar në zgjedhjet lokale, në dhjetra njësi në mbarë vendin. Vota e detyruar e tyre në favor të kandidatëve të pushtetit ka qenë vendimtare jo në pak nga këto njësi.

Manipulimi i një numri të madh të kartave të identitetit (rreth 2000) në rrethin e Shkodrës është denoncuar nga media e pavarur.

Një tjetër video regjistrim i bërë public tregoni se negociatat për të shitur 70 karta identiteti për kandidatin e majtë për bashkinë e Kamzës Safet Gjicin, pra dhënien e kartës së identitetit në këmbim të parave.

Në Durrës, ka prova konkrete të emigrantëve të cilët nuk ishin fizikisht në Shqipëri në 21 qershor por kanë votuar. Përveç kësaj, ka raporte se të dhënat e TIMS vazhdojnë të manipulohen në mënyrë që të përputhen me të dhënat e votimit. Ka edhe dëshmi të zgjedhësve që ju është refuzuar e drejta e votës pasi persona të tjerë kishin votuar më parë me identitetin e tyre.

Në Durrës brenda më pak se një muaji Vangjush Dako dhe drejtorët e tij regjistruan  më shumë se 2,800 votues fiktivë ndërsa në rrethin e Kavajës, Rroshi regjistroi në adresën e Fabrikës së Letrës  595 votues të rinj janë brenda 12 ditëve.

Në të gjithë vendin, ka qindra dëshmi të qytetarëve të cilët pohojnë se shitën votën në këmbim të parave dhe ushqimeve. Komuniteti rom, familje në varfëri ekstreme dhe të papunë kanë qenë në shënjestër të blerjes së votave.

Por, përveç kësaj forme të blerjes së votave, kemi mbledhur gjithashtu qindar raporte të kartave të identitetit të “blera” ose “mbajtur” nga votuesit e mundshëm të opozitës deri në ditën pas zgjedhjeve, për të pamundësuar votimin e tyre.

Janë raportuar më shumë se 500 raste familjesh të kërcënuara me jetë në mënyrë që të dorëzonin kartat e identitetit dhe nëse ky fakt do të bëhej publik në media ata u kërcënuan se do t’u rrëmbeheshin fëmijët.

Shërbimet e detyrueshme nga entet publike u kushtëzuan për qytetarët me votën për koalicionin qeveritar. Rast flagrant është dhënia e kempit në këmbim të votave në Dibër. Ndërsa në Gramsh, familjet e varfëra janë kërcënuar me ndërprerjen e ndihmës sociale dhe ato më vulnerabël në zonat rurale, me ndërprerjen e energjisë elektrike, nëse nuk votonin për kandidaten socialiste.

Presion i jashtëzakonshëm është ushtruar ndaj punonjësve të administratës. Atyre u është kërkuar të garantonin dhe të faktonin një numër të caktuar votash në këmbim të vendit apo jqnë kërcënuar se do të pushoheshin nëse merrnin pjesë në votim apo në procesin zgjedhor si vëzhgues apo komisionerë të opozitës.

Presion i jashtëzakonshëm është ushtruar ndaj punonjësve të administratës anembanë vendit. Atyre u është kërkuar të garantonin jo vetëm votën e tyre, madje dhe ta fotografonin atë, por dhe të siguronin një numër të caktuar votash në këmbim të vendit të vendit të punës.

Nënpunës civilë të djathtë janë kërcënuar se do të pushoheshin nëse merrnin pjesë në mitingjet tona e e në votim, apo e jo më për të folur nëpër procesin zgjedhor si vëzhgues apo komisionerë të opozitës.

Godinat, automjetet dhe burimet njerëzore të administratës janë përdorur masivisht për të organizuar ose mbushur mitingjet elektorale të kandidatëve të majtë.

Qindra raste janë denoncuar kur bizneseve të njohura si të djathta, në Tiranë, në Kukës, në Has në Sukth e në Korçe janë gjobitur, persekutuar dhe madje mbyllur si në Vorë, nga një administratë terësisht në shërbim të interesave klienteliste elektorale e jo të qytetarëve.

Pamjet shokuese të Qazim Sedinit dukë kërcënuar gazetarët janë maja e ajsbergut të kërcënimeve, të fshehta, publike dhe të drejtpërdrejta ndaj medias, dhe ndaj gazetarëve. Vetë kryeministri i vendit ka kërcënuar jo vetëm publikisht dhe në mënyrë të përsëritur kandidatët e opozitës por edhe ka kërkuar tërheqjen e kandidatëve të pavarur nga gara duke i kërcënuar se në rast mosbindje do të trajtoheshin sic trajtohen armiqtë.

Në Gjirokastër, fotografja e stafit elektoral të kandidatit tonë është shoqëruar në komisariat ndërsa në Mat, makina e korrespondentit të TV Mar, Enver Doci, është djegur sipas tij, në vijim të kërcënimeve të vazhduara nga njerëz të lidhur me PS.

Se çfarë ka ndodhur në 21 qershor në Shqipëri e   kanë thënë, po e thonë dhe do ta thonë akoma më troç në ditët e ardhshme misionet dhe organizatat ndërkombëtare e kombëtare të vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve.

Raporti i parë i misionit  të OSBE-ODHIR-it  listoi një numër të  madh shkeljesh dhe parregullsish në ditën e votimit, shkelje të cilat, të marra së bashku “minuan  besimin e publikut në integritetin e gjithë sistemit”, konkludon me këtë sentencë të rëndë misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë.

Në  mbështetje të  këtij raporti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan: “U bëjmë jehonë  gjetjeve paraparake të OSBE-ODHIR për zgjedhjet vendore  dhe  ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për  presione  mbi votuesit, institucionet e politizuara dhe parregullsi të tjera”.

Këshilli i Europës deklaroi “Ne jemi të shqetësuar për raportet që kemi dëgjuar për frikësimin, presionin që u është bërë atyre që punojnë në administratën publike që të votojnë në një mënyrë të caktuar apo për kërcënimet se do të hiqen nga  puna. Është një situatë që nuk ështtë  dinjitoze për një demokraci të pjekur në rast se,  përshembull,  mësuesit e shkollave apo zyrtyarët e tjetër publikë  kanë frikë se do të humbasin  punën në rast se nuk mbështesin një kandidat të caktuar, qoftë edhe një person të pavarur. E njëjta gjë edhe për raportet  të cilat na kanë ardhur për blerjen e votave apo abuzimeve për sa i përket rrushfeteve. Kjo është shkatërruese për kredibilitetin e administratës zgjedhore dhe po ashtu dobëson edhe besimin e popullsisë te zgjedhjet”.

Pasi u njoh me raportin e parë të misionit të OSBE/ ODHIR, kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian u tha mediave se sikur gjysma e kësaj liste parregullsish të jetë e vërtetë, zgjedhjet janë të falsifikuara.

Brukseli dhe Uashingtoni  po përballen papritur me  një farsë zgjedhore  të re,  të padëgjuar në tokën e Europës, e cila ka treguar deri tani vetëm majën e  ajzbergut dhe kjo u pa edhe dje në debatin  që u zhvillua në Parlamentin Europian për zgjedhjet në Shqipëri,  ku  parregullsitë e listuara  në raportin e parë të OSBE/ ODHIR përcaktuan tonin e debatit  kritik për këto zgjedhje.

Organizatat e pavarura vendore të vëzhgimit të zgjedhjeve kanë publikuar fakte të tjera domethënëse të dhunimit të Kodit Zgjedhor dhe cënimit  së standarteve  demokratike  të zgjedhjeve të lira, të ndershme e të barabarta.

Partia Demokratike  nga ana e saj është angazhuar fuqishëm, që ditën e zgjedhjeve dhe sidomos  pas përfundimit  të numërimit të votave, në  përgatitjen  e dosjes së plotë  të dhunimit dhe manipulimit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, që do ta bëjë publike, do ta  denoncojë e ankimojë  rast pas rasti, siç kemi nisur, në organet e drejtësisë, do tua verë në dispozicion miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, do të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen  e tyre, siç po e  kërkojmë:

-për demaskimin dhe dënimin  e atyre që ideuan, drejtuan dhe realizuan  njollosjen  e zgjedhjeve  të  21 qershorit në Shqipëri;

-për  rikthimin me çdo kusht të standartit të zgjedhjeve të lira e të ndërshme, pa të cilat,  siç e kemi përsëritur shpesh,  nuk  ka liri për askënd,  nuk ka demokraci për askënd, nuk ka zhvillim ekonomik dhe shoqëror,  nuk ia vlen të jetohet.

Ndryshe nga sa premtuan për të vënë standardet mbi rrezultatin, Rama-Meta vunë në këto zgjedhje gjithçka mbi standartet.

Mbi garën e ndershme e të barabartë vunë babëzinë e tyre për pushtet të pakufizuar.

Mbi të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur lirisht e në qetësi partinë dhe kandidatin e  zemrës  vunë interesa të  ndyra  të një klientele partiake apo kriminale që arriten deri aty sa të merrnin peng të drejtën  kushtetuese të mjaft shtetasve për të votuar.

Mbi aspiratën mbarëpopullore për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE vunë aleancën e tyre me  botën e krimit dhe korrupsionit, vunë  llogaritë e tyre të ulta dhe meskine.

Rama-Meta shkelen me të dyja këmbët standartet për t’u shpallur fitimtarë në një pseudogarë me rregulla të dhunuara.

Rama-Meta sakrifikuan zgjedhjet, si pasuria më e madhe e qytetarëve, për të konfirmuare vazhduar politikën e tyre të përkeqësimit  dhe  varfërisë galopante në vend.

Ata i shndrruan zgjedhjet vendore në  pazarin më të pashembullt në Shqipëri  dhe në  Europë.

Ata e  shtrinë  në nivele të reja të  panjohura pengmarrjen e pushtetit vendor nga  krimi dhe malavita.

Ata e sfiduan ashpër dhe brutalisht nismën jetike, kombëtare dhe ndërkombëtare, për dekriminalizimin e pushtetit; ata sfiduan opozitën që e mori këtë nismë dhe SHBA e Europën që e mbështetën fuqishëm deri më thirrje publike të adresuara për të mos votuar kandidatë me rekorde kriminale, kandididimi të cilëve “është një poshtërim për popullin shqiptar”, siç u shpreh ambasadori amerikan, Donald Lu.

Në bindjen time, ata i kanë bërë një dëm të madh demokracisë dhe vendit dhe ky dëm nuk do vonojë të dalë në dritë  të diellit  në gjithë  përmasat e veta.

Shqipëria do ta  paguajë oreksin e shfrenuar të dyshes për të  marrë peng zgjedhjet e lira.

Ka plot që pyesin sot “ ku ishit ju”, duke na kujtuar rekordet e mëparshme të Ramës dhe Metës në prishjen  e zgjedhjeve dhe urtësinë e popullit se ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron.

E mirëkuptoj pyetjen  qoftë kur bëhët me dashamirësi, qoftë kur bëhet pa dashamirësi.

Ne ishim dhe jemi në këtë betejë për zgjedhje të lira e të ndershme me paralajmërimet  dhe denoncimet tona frekuente  kundër kandidimit të individëve  me rekorde kriminale nga kundërshtari ynë.

Ishim dhe jemi në këtë betejë me paralajmërimet dhe denoncimet tona konkrete e të vendosura kundër angazhimit të bandave nga kundërshtarët tanë në një operacion elektoral kriminal  të përmasave të panjohura në Europë.

Ishim dhe jemi në këtë betejë me paralajmërimet dhe denoncimet tona të vazhdueshme kundër blerjes së votës, kundër kërcënimit të zgjedhësve nga kryeministri dhe lukunia e tij, kundër përdorimit të administratës herë si xhandar, herë si mish për top për interesat e qeverisë.

Ishim dhe jemi në këtë betejë përkrah SHBA dhe Europës, me mjetet tona demokratike, me ndershmërinë dhe kurajon tonë, me vendomërinë dhe bindjen tonë  se vetëm zgjedhjet e lira na çojnë përpara.

“Alternativa” tjetër do të ishte, sipas disa zërave, mospjesmarrja në zgjedhje. Kundërshtari është investuar me kasandrat e veta për këtë opsion, pra për largimin e demokratëve dhe opozitarëve nga zgjedhjet. Kjo  nuk ka qenë, nuk është e nuk do të jetë një opsion i Partisë Demokratike. Sa të ketë  pluralizëm  në Shqipëri dhe demokraci në botë- dhe do të ketë gjithnjë- Partia Demokratike do të jëtë në fushën e betejës. Vetëm në  këtë mënyrë  dalin në pah  në gjithë përmasat e tyre të neveritshme manipulimet dhe marifetet e kundërshtarit në pushtet, vetëm në këtë mënyrë mbahet gjallë shansi i qytetarëve për të ndryshuar,  vetëm në këtë mënyrë shkohet përpara drejt  fitores. Kundërshtarin nuk e zgjedhim.

“Alernativa” tjetër, sipas së cilës duhet ti përgjigjemi kundërshtarit  me të njëtën monedhë, pra kriminelë ai, kriminelë dhe ne, blerje votash ai, blerje votash dhe ne, armët e zjarrit në brez ai, armët e zjarrit në brez edhe njerëzit tanë, nuk meriton as të  zihet në gojë. Ne jemi demokratë. pjesë e Partisë popullore europiane. Në sistemin tonë të vlerave dija, integriteti, ndershmëria dhe pozitivizmi  janë cilësitë  bazë të njerëzve që  propozojmë për të drejtuar e përfaqësuar në çdo nivel të pushtetit. Dekriminalizmi për ne  është  një mision jetik për vendin, demokracinë,  imazhin e vendit, familjen, edukimin e fëmijëve dhe të rinjve.  Kemi bindjen e plotë se  qytetarët e lirë  na kanë mbështëtur e do ta na  mbështesin  pa rrezerva në këtë mision.

Ne e dimë e duhet ta dimë:  Dyshja Rama-Meta dhe bandat që u angazhuan në këto zgjedhje prisnin  një rrezultat tjetër, prisnin, pse jo,  zvogëlimin deri në zhdukje të  PD-së dhe qendrës së djathtë, që është ëndrra e tyre e vjetër,  ashtu siç kishte paralajmëruar kreu i ekzekutivit, Edi Rama, kur deklaronte lart e poshtë se  të djathtën e vërtetë e kishte në koaliconin e tij!

Por pavarësisht skemës kriminale për t’i marrë frymën opozitës, pavarësisht manipulimeve, blerjes së votave dhe marifeteve që do të jenë objekt i betejës sonë të re juridike dhe politike, Partia Demokratike dhe opozita u rrit në këto zgjedhje.

Vota për kandidatët tanë merr realisht një vlerë të shtuar në kushtet e presionit të  madh,  bombardimit të pandalshëm me propagandë  dhe rrethimit të egër ku e vuri pushteti. Njëqind  e njezet mijë votat për Halim Kosovën në Tiranë, për të marrë vetëm një shembull, janë  vertetë të arta në këtë aspekt. Besoj se për këtë arsye,  Ambasadori  i SHBA në Tiranë, zoti   Lu,   i drejtoj një  letër shumë domëthënese Halim Kosovës, duke promovuar pozitivizmin dhe ndërshmërinë e tij në  garë, një  kontrast si nata me ditën me politikanët e korruptuar dhe kriminelë që janë përshirë në blerje vote, manipulim dhe zhantazhim  të institucioneve  demokratike. Unë  gjej rastin ta falenderoj nga zemra ambasadorin  Lu. Vlerat e  Halim Kosovës janë vlerat tona referuese për sot dhe për neser. Promovimi i këtyre vlerave  na frymëzon dhe na mbush me besim së në dy vitet e mbetura të legjislaturës rritja jonë do të dyfishohet, ndërsa  rënia e kundështarëve tanë  do të  futet në ritmin e konsumimit të përshpejtuar.

Vetëm Edi Rama gëzohet dhe eglendiset me një fitore të damkosur nga vjedhjet dhe manipulimet, që as ia ka njohur as ka për t’ja njohur si të ndershme asnjë institucion dhe vend mik.

Vetëm Edi Rama guxon të festojë  pazarin dhe ankandin e zgjedhjeve  nën qeverisjen e tij, një  njollë turpi që vendit do t’i duhet kohë dhe punë për ta  hequr.

Zgjedhjet, të nderuar deputetë, ishin një problem qëkurse kjo dyshe futi në sistem blerjen e votës. Por sot, në dritën e manipulimeve të mëdha të evidentuara edhe nga ndërkombëtarët, zgjedhjet kanë dalë në pahun e kohës si problemi më madhor që ka vendi.

Përballja me këtë problem, duke bashkëpunuar ngushtë me miqtë  dhe partnerët tanë,  është  beteja jonë e re. Është detyra jonë e dorës së parë të punojmë:

– Për të nxjerrë në dritë të plotë të vërtetën e këtyre zgjedhjeve.

– Për ta ndarë këtë të vërtetë ashtu siç është, me opinionin publik e partnerët ndërkombëtarë.

– Për të konceptuar një reform zgjedhore që do të mundësojnë e garantojë shpëtimin e votës dhe zgjedhjeve nga pabarazia, blerja, vjedhja, tjetërsimi, e tjerë dhe që do të garnatojë përfaqësimin dnjitoz të shqiptarëve në qeverisjen vendore dhe atë qendrore.

U zgjata në çeshtjen mesiperme sepse kjo është jetike për demokracinë, për Shqiperinë, jo vetëm për Partine Demokratike. Nuk mund te kemi pluralizem dhe demokraci fallco. Nuk mund të kemi zhvillim, përparim dhe integrim në Europës pa zgjedhje të lira. Nuk mund të ketë liri, nuk mund të ketë shtet, nuk mund të ketë qeveri dhe qeverisje  legjitime pa zgjedhje të lira.

Zgjedhjet e lira e të ndershme dolën edhe njëherë në pahun e kohës që jetojmë si çeshtja  më madhore e gjithë shqiptarëve, e Partisë demokratike dhe opozitës.

E them me bindje.

Por as e mendoj, as e them  si alibi.

Unë e di se në të gjithë, me mendje dhe me zemër, kemi pritur  dhe deshiruar nje rezultat ndryshe, një rezultat më të mirë  nga ky që morëm.

Dua tu shpres serish mirënjohjen tim më të thellë të gjithe atyre qe besuan që besuan tek Partia Demokratike dhe opozita, që besuan  te unë, që besuan tek kandidatet tanë dhe na votuan. Ky besimmerr nje vlerë te shumefishte perballe makinerisë së presionit, joshjes, parave, dhunës dhe kercënimit me të cilën u përballën votuesit tanë. Por ata i sfiduan të gjitha këto, qëndruan për të votuar Partinë Demokratike.

Ky është një mesazh i madh force dhe frymëzimi për të gjithë ne. Sikurse është një detyrë e madhe për të reflektuar. Unë dhe gjithë drejtuesit e  Partisë Demokratike, nga baza në qendër, kemi një pergjegjesi të madhe per të analizuar në thellësi rezultatin  e këtyre zgjedhjeve kuti për  kuti, bashki për bashki; Për të parë më shumë nga vetja jonë, të gatshem të  njohim dhe pranojme defektet dhe të metat tona, pasi keshtu do të behemi më të forte.

Vota e atyre qe na besuan do të perbëje bazen e ringritjes tonë. Do të analizojmë fitoret për t’i patur si shembull, do të analizojmë humbjet për të nxjerrë mesime me qëllim  për të dhënë më shumë, për të qenë në lartësinë e këtij besimi dhe pritshmërie, që të ngrihemi, të forcohemi, të përgatitemi shumë më mirë për betejën e radhës, të  hedhim hapin vendimtar të  fitores.

Kemi kaluar dy vite te vështira ku mbi të gjitha na është dashur të mbijetojmë dhe të rezistojmë përballë dhunës,  agresionit, sulmeve dhe presioneve që synonin deri eliminimin  e opozitës politike. Vota e 21 qershorit është deshmia me e qarte qe ne ja dolem te qendrojme e te ngrihemi.

Por për të arritur fitoren që të gjithe duam duhet te ringrihemi mbi këtë  besim  dhe ketë force. Bashkim, ribashkim, hapje, për të ftuar e  bashkëpunuar me këdo dhe me të të gjithë ata që pranojnë të ndajnë opozitën me ne dhe jo interesin.

Një hapje shumë më e madhe  dhe një  bashkëpunim më i ngushtë me shoqërinë civile, me botën intelektuale e akademike; një intensifikim shumë më i madh i komunikimit me qytetarët për të kompletuar pa humbur kohë programin më  konkret dhe më të detajuar të zhvillimit që ndonjë opozitë ka patur ndonjëherë.

Shqipëria duhet të na shohë që ketë vjeshtë, qytet me qytet e fshat me fshat,  duke komunikuar me njerëzit për  problemet e tyre dhe alternativën tonë.
Në historinë e saj PD ka patur momente të veshtira dhe shumë të vështira. Këta që ferkojnë duart sot i kane ferkuar dhe atëhere, duke menduar se e zhduken, e blenë dhe kesisoj do mund të mbreteronin  te qete. PD as nuk zhduket, as nuk blihet. Ajo ka  ditur të ringrihet dhe të fitojë ne momente te tilla sfidash për të mirën e Shqipërisë.  Unë ju premtoj se do të punoj me mish e meshpirt për të aritur këtë dhe nuk do ta tradhtoj besimin tuaj.

Sfida e sotme është instalimi i një qeverie oligarkike në aleancë me botën e errët të krimit. Rama-Meta bërtasin për fitore por nuk u shndrit gëzimi. Janë kapur duke prishur dhe kapur zgjedhjet. Kanë  krijuar krisje me partnerët  tanë strategjikë me ngulmimin e tyre për të kandiduar individë me rekorde kriminale.  Kanë pritur e shërbyer me çdo mjet shkatërrimin e opozitës, por  panë rritjen e saj.  Ndaj janë të dëshpëruar e të helmuar.

Ka lindur një vetedije e re popullore kundër mashtrimit dhe krimit në pushtet. Kjo vetëdije është busulla, është e nesermja e vendit.  Jam i bindur për këtë.  Por jam  edhe më i vendosur se kurrë, bashkë me ju, bashkë me demokratët,  bashkë me opozitarët, bashkë me gjithë qytetarët e lirë të këtij vendi, të udhëheqim këtë zgjim të madh kombëtar aspiratave popullore për zgjedhje demokratike, për një qeverisje të pastër e të përgjegjshme.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 1 Korrik 2015