Z Basha, cili ishte tema e bisedimeve me ndihmëssekretaren e Shtetit znj.Nuland?
Basha: Së pari, dua të falenderoj ndihmëssekretaren e Shtetit znj.Nuland për vemëndjen e madhe që i jep Shqipërisë dhe mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe vazhdon ti japë popullit shqiptar në kauzën e demokracisë, të shtetit ligjor, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, që siç i ka cilësuar vetë ndihmës-sekretarja Nuland janë dy tumoret kanceroze të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim pata mundësinë ta njoh me zhvillimet e fundit duke nisur me zgjedhjet e 21 Qershorit ku për fat të keq paralajmërimi i Komitetit të Helsinkit të Kongresit Amerikan u vërtetua. Pavarësisht thirrjeve nga ligjvënësit amerikanë që të organizohej një proces zgjedhor ku publiku dhe qytetarët të kishin besim në votën e tyre dhe mos-prekjen e votës, një proces ku të mos intimidoheshin, kërcënoheshin dhe të viheshin nën presion institucionet zgjedhore, zgjedhësit, vëzhguesit, komisionerët dhe opozita, për fat të keq, siç vërteton dhe raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it, raporti i Këshillit të Europës, vetë deklarata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjeve, ishte pikërisht kjo që ndodhi.
Pati blerje masive të votës, pati presion mbi votuesit, mbi administratën, mbi institucionet zgjedhore, mbi opozitën, mbi aktivistët. Pati përfshirje masive të kontigjenteve kriminale dhe krimit të organizuar dhe krimit ordiner si dhe kandidim të personave me rekorde kriminale pavarësisht se komuniteti ndërkombëtar në tërësi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti kërkuan tërheqjen e tyre, siç ishte rasti i Elvis Roshit dhe Artur Bushit në zgjedhjet që sapo lamë pas.
Këto probleme përsa i përket mbetjes në vend të procesit të dekriminalizimit për shkak të mungesës së vullnetit nga maxhoranca, nga dyshja Rama-Meta, problem i madh i korrupsionit i cili vetëm këto 5 muaj i ka kushtuar shqiptarëve 150 milionë dollarë në tatime dhe dogana, para që duhet të shkonin për rritje rrogash, pensionesh e rritje të ndihmës ekonomike, për shkolla, qendra shëndetësore, por që në fakt janë vjedhur nga doganat dhe tatimet e shqiptarëve, pra problemet e asaj që quhet zhbërje të standardeve demokratike, prapsim i procesit demokratik, dhe probleme të krimit dhe korrupsionit, kanë dominuar pjesën kryesore të bisedës me ndihmëssekretaren Nuland.
Pyetje: Z Basha, çfarë keni marrë mbrapsht nga znj.Nuland në çështjet që keni ngritur?
Z Basha: Kam marrë mbështetjen e plotë nga ndihmëssekretarja e Shtetit znj.Nuland, të SHBA-ve, për përpjekjet e Partisë Demokratike dhe platformën tonë për të trajtuar këto probleme kryesore të demokracisë shqiptare. Pikësëpari çështjen e dekriminalizimit, për të ecur përpara me axhendën tonë të dekriminalizimit në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë atë që meritojnë, një parlament dhe pushtet vendor të pastër nga personat me rekorde kriminale. Kjo do të thotë se Partia Demokratike do të vazhdojë të ecë përpara me plaftomën e saj duke çuar propozimet konkrete edhe njëherë, për herë të dytë në parlament me qëllim që kushdo që sot është anëtar i parlamentit apo kryetar i njësive vendore të dalë nga 21 Qershori dhe që ka rekorde të tmerrshme kriminale, të ndalohet nga mbajtja dhe ushtrimi i funksioneve të zyrave përkatëse. Pra largimi nga parlamenti shqiptar dhe nga pushteti vendor i personave me rekorde të tmerrshme kriminale dhe ndalimi po kështu përmes akteve ligjore që ne do të propozojmë dhe një strukture institucionale që po kështu do ta propozojmë, i kandidimit të tyre në të ardhmen duke filluar me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Pyetje: Do ti hidhni në tryezën e komisionit të dekriminalizmit?
Basha: Ne i kemi hedhur një herë. Janë injoruar nga shumica. Tani do ti hedhim përsëri me mbështetjen e plotë të SHBA-ve, kam besim edhe të Bashkimit Europian. Së dyti, po kështu, kemi një mbështetje të plotë për axhendën tonë për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore dhe politike të gjithë ata që shkatërruar standardet e zgjedhjeve të 21 Qershorit. Ne sigurisht do të procedojmë me kallzimet tona rast pas rasti për ti vënë përpara përgjegjësisë penale ata që kërcënuan, intimiduan, ushtruan dhunë, ushtruan presion, goditën qytetarët e zgjedhësit, aktivistët e opozitës në këto zgjedhje dhe po kështu, do të ecim përpara me propozime konkrete të cilat do të synojnë pamundësimin e manipulimeve në shkallë të gjërë, në veçanti sa ka të bëjë me identifikimin e votuesve me karta e identitetit që u blenë e u shitën, u mblodhën në kundërshtim me ligjin.
Dhe po kështu në raport me fenomenin e shëmtuar të shitblerjes së votës që blihen me paratë e krimit dhe korrupsionit si dhe shumë çështje të tjera të deformimit të vullnetit zgjedhësve siç treguan dhe raportet ndërkombëtare. Pra edhe kuadër të luftës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mora mbështetjen e plotë të ndihmës-sekretares së Shtetit znj.Nuland. Folëm edhe për një sërë çështjesh të tjera ku u vlerësua qëndrimi i Partisë Demokratike në raport me integritetin e personave që kërkojnë zyrë publike dhe çfarë kemi bërë ne si parti në këtë drejtim si dhe me vizionin e kësaj partie dhe timin si kryetar i saj, për ti ofruar shqiptarëve atë që meritojnë në 2015 dhe më tej; një Shqipëri me standard të shekullit të 21-të dhe jo një kthim prapa në praktikat më të errëta të fillimit të këtij shekulli.
Pyetje: Z Basha, a prekët edhe problemet ekonomike të vendit në lidhje me problemet që ka vendi si taksa problesive, çështja e pronës etj?
Basha: Këto çështje janë sigurisht pjesë e bisedës me zyrtarë të lartë të SHBA-ve por për Partinë Demokratike thelbi i problemit është krimi i ngritur në pushtet dhe i veshur me pushtet, pushteti që ka investuar tek krimi, është korrupsioni që tashmë ka kapur qeverisjen në të gjitha nivelet, siç thotë raporti i Departametit Amerikan të Shtetit, është zhbërja e standardeve demokratike. Këto janë tumoret kanceroze në një stad të avancuar: regjimi i konsoliduar i krimit dhe korrupsionit që përbën sfidën më të madhe për sigurinë dhe mirëqënien e qytetarë shqiptarë dhe para të cilave qëndron e vendosur për betejë deri në fitore Partia Demorkatike dhe unë personalisht.
Prononcim për mediat i kreut të opozitës Lulzim Basha, pas takimit me ndihmës-sekretaren amerikane të Shtetit znj.Nuland. 13 Korrik 2015