Pasi ka shënuar një bilanc Zero në dy vite, madje kthim pas në çështjen e kompensimit të pronave, qeveria është paraqitur me një projektligj që është pak të quhet skandaloz.

Edi Rama kërkon që toka të kompensohet me vlerën e vitit 1976, pra të vitit ku Kushtetuta Komuniste i shtetëzoi të gjitha tokat.

Si rrjedhim nëse një tokë me sipërfaqe 2000 metër katror që ka qenë jashtë vijës së verdhë në vitin 1976, e sot gjendet brenda vijës së verdhë dhe ka një vlerë më të lartë, do të kompensohet sikur të jetë jashtë vijës së verdhë, pra sipas kufijve të vitit 1976.

Në mënyrë antikushtetuese dhe kundër çdo parimi të Konventave ndërkombëtare, ligji do të prekë edhe ato pronarë që kanë marrë tashmë një sipërfaqe toke.

Neni 6 do të hyjë në histori si neni më antipronar i hartuar ndonjëherë dhe, kjo nuk është aspak rastësi, por e qëllimshme për të favorizuar ata që janë afër pushtetit. Pika 1, përcakton se prona vlerësohet sipas zërit kadastral në momentin e shpronësimit. Pra nëqoftëse një pronar është shpronësuar për 10.000 m2 tokë bujqësore në rr. “Komuna Parisit” në Tiranë, do vlerësohet si tokë bujqësore në zonën kadastrale më të afërt që ka tokë bujqësore, në këtë rast Vaqarri, ku vlera është afërsisht 2-3 euro për metër katror.

Sipas po këtij neni, prona zhvlerësohet duke nxjerrë jashtë zonave të qendrës prona që ndoshta tani janë kompensuar dhe, pronarët e ligjshëm do të duhet ti kthejnë buxhetit të shtetit dhe kompensimin e përfituar. Filozofi më anti pronë nuk besoj se ka pasur, jo vetëm këto 25 vite, por as përpara vitit 90-të.

Ligji përcakton se çmimet e tokës i vendos shteti dhe se këto çmime nuk mund të kundërshtohen në gjykatë.

Ligji merr përsipër që të ndërtojë një Agjensi të Trajtimit të Pronave, që nuk është veçse një agjensi burokratësh në formën e ish komisarëve të dikurshëm, që po sillen me pronarët në të njëjtën mënyrë si bënte dikur dega e brendshme.

Ndërkohë në këto dy vite kemi pasur hapa pas për kthimin dhe kompensimin e pronave:

–           Në 300 ditët e para të qeverisjes hoqi nga fondi për kompensimin fizik fondin e tokës bujqësore me sipërfaqe 18076 ha tokë që ishte për pronarët e tokave.

–           Zonat bregdetare që u kërkuan nga opozita për t’ju rikthyer drejtë për drejtë pronarëve, u morën nën tutelën e AKKP-së që vazhdoi t’i trajtonte ato njësoj si kooperativat e dikurshme.

–           Uli me 30% buxhetin për kompensimin e pronarëve përmes ligjit të ri të miratuar një vit më parë dhe ndërkohë për këtë vit, qeveria ka shpenzuar në vlerë monetare 76% më pak sesa viti i shkuar.

–           Përgjatë këtyre dy viteve në pushtet ajo nuk ka kompensuar asnjë metër tokë të pronarëve, që u premtoi se gjatë kompensimit do t’u njihte dhe letrat me Vlerë të dhëna në vitin 1990.

–           Kanë hartuar ligje që bien ndesh me interesat e pronarëve si ligji i Investimeve Strategjike që ua merr për hiçgjë pronën e një pronari, duke futur shteti si “ndërmjetës”, ligj për të cilin opozita depozitoi dhe një ligj në Kuvend.

Ky ligj përfundimisht i dënon përjetë pronarët e tokës. Partia Demokratike nuk do ta lejojë këtë ligj të kalojë në Parlament dhe mbi të gjitha do të bëjë gjithçka të mundshme për ta çuar betejën e pronarëve deri në fund.

Kjo nisëm e Edi Ramës cënon një prej të drejtave themelore siç është e drejta e pronës, dhe e bën kryeministrin feudalin e madh të vendit, që shpërndan si të dojë vetë prona e vendos si të dojë ai çmime.

Ne do të jemi në krah të pronarëve, në krah të kauzës së tyre të drejtë për të mos lejuar kthimin pas në kohët më të errëta.


Deklaratë për shtyp e deputetes të PD, Jorida Tabaku, 16 Korrik 2015