Menjëherë pas tryezës së organizuar sot nga opozita me pedagogët dhe përfaqësuesit e studentëve në lidhje me arsimin e lartë, vjen lajmi se kryeministri Edi Rama ka detyruar grupin e tij të shprehet për një votim në bllok pro projekligjit në seancën e nesërme që i debikohet këtij projekligji.
Ka vendosur të hedhë edhe një lak të ri në fytin e shqiptarëve, në veçanti të pjesës më vitale dhe me më pak mundësi ekonomike në fakt, sic janë studentët. Projektligji i tij për Arsimin do të rrisë tarifat e studimit, duke ua kaluar koston vetë studentëve. Kjo skemë, do ta bëjë të pamundur jetën universitare për mijëra të rinj, të cilët edhe aktualisht, në kushtet e sotme, me tarifa të reduktuara e ku shteti merr përsipër shpenzimet në Universitetet Publike, e kanë të vështirë për shkak të varfërisë së thelluar, për shkak se familjet e tyre nuk kanë më burime financiare, për shkak të papunësisë dhe varfërisë në rritje.
Merreni me mend pas këtij ligji të Edi Ramës, që e gjithë kostoja e studimit do ti rëndojë drejtpërdrejt studentëve. Në thelb projekligji që vjen nesër para jush është një akt armiqësor kundër të rinjve të këtij vendi që kanë talent, kanë ambicie, që duan të ndjekin ëndrrën e tyre për tu edukuar e arsimuar e marrë profesione në universitetet publike, por që nuk kanë mundësi ekonomike për ti përballuar sipas propozimit që vjen nesër.
Me këtë akt, Edi Rama u fshin të drejtën kushtetuese të rinjve shqiptarë për tu arsimuar, duke ua bërë të pamundur këtë të drejtë themelore.
Edhe pse studentët janë kundër, edhe pse maturantët janë kundër, edhe pse prindërit janë kundër, edhe pse stafet akademike të universiteteteve publike janë kundër, edhe pse mbarë opinioni publik është kundër kësaj nisme, edhe pse eksperët më në zë të angazhuar nga vetë qeveria janë shprehur kundër, Edi Rama ka vendosur të shkojë në këtë drejtim të rrënimit të studentëve dhe universitete publike të vendit.
Kundër të gjithëve, kundër interesave të shumicës së qytetarëve, Edi Rama ka vendosur të kalojë një ligj, vetëm për interesat e tij klienteliste, korruptive dhe politike.
Variantet e paraqitura nga qeveria u kundërshtuan hapur nga pedagogë dhe studentë. Ata u ftuan të japin mendimet e tyre dhe bënë kështu duke besuar se mendimet e tyre do të merreshin parasysh por versioni përfundimtar nuk ka asnjë reflektim për çështjet thelbësore për të cilat kontestohej ky projektligj, si nga pedagogët apo nga studentët.
“Antikombëtar”, “revolucion antiligjor dhe antikushtetues” janë epitetet që i kanë vendosur këtij projekligji rektorë, dekanë e profesorë të shquar të këtij vendi dhe mbi 200 prej të cilëve kanë nënshkruar një memorandum kundër tij. E megjithatë Edi Rama ka vendosur kastile ta kalojë ligjin në një moment të tillë kur auditorët janë bosh sepse i druhet protestave, i druhet rebelimit legjitim e të drejtë kundër këtij ligji, nga studentë dhe pedagogë.
Ndryshe nga ligjet e mëparshme, shteti, nuk njeh më detyrim të përballojë me buxhet të pakushtëzuar pagat e pedagogëve të Universiteteve Publike dhe u lihet Universiteteve Publike që të përcaktojne tarifat e studimit për studentet mbi bazën e një logjike ekonomike që bazohet tek kostot dhe shpenzimet.
Por, kalimi i kostove të studimeve tek vete studentet e nje vendi me papunësi dhe varfëri në thellim siç është Shqipëria dhe barazimi i tarifave të studimit në Universitetet Publike me ato Private është baraz me ndërprerjen e ëndrrës universitare për pjesën më të madhe të rinjve të vendit dhe do të ulë dramatikisht numrin e studentëve dhe është baraz me një shkelje të rëndë të së drejtës kushtetuese të përcaktuar nga Kushtetuta që u njeh studenteve më të aftë mundësinë që; pavarësisht kushteve ekonomike, shteti t’u ofrojë arsimin e lartë si një të drejtë të llojit pozitiv, d.m.th që përballohet nga vetë shteti. Shkelja e të drejtës themelore është edhe më rëndë po të kemi parasysh se të drejtat kushtetuese jepen në mënyrë të barabartë pavarësisht kushteve ekonomike, si dhe objektivi social i parashikuar nga Kushtetuta që detyron shtetin që nga viti në vit të rrisë dhe jo të pakësojë numrin e studentëve që ju ofrohet arsimi i lartë pa pagesë.
Mënyra e e re financimit të Universiteteve Publike, rritja automatike e detyrueshme e tarifave të studimit në Universitetet Publike, ndarja e fondeve publike të buxhetit të shtetit për arsimin e lartë dhe për Universitetet Private, lënia dorë Ministrisë së Arsimit për përcaktimin se kush do të përfitojë këto fonde duke ulur në këtë mënyrë ndjeshëm mbështetjen financiare për Universitet Publike, si dhe fakti që shumë Fakultete Publike ofrojnë degë jo gjithmonë të kërkuara nga tregu do të vënë në rrezik ekzistence pjesën më të madhe të Universiteteve Publike duke çuar në këtë mënyrë në falimentimin e sigurtë të filjaleve të tyre në rrethe dhe në mbylljen e pjesës më të madhe të tyre, në pamundësinë e sigurtë të mijëra të rinjve të cilët deri më sot ishin në gjendje të përballonin studimet afër vendbanimit të tyre.
Në fakt kjo do të thotë që kryeministri, do të vendosë vetë, do të fusë vetë dorën në arkën e shtetit, e do të dorovisë paratë publike sipas tekave e qejfit e interesave të tij, sipas klientelës.
Klientelizmi që krijon ky projektligj prek dhe interesat e vete Universiteteve Private. Projektligji krijon një Institucion të arsimit të lartë me një status të bastardizuar që jo vetëm nuk njihet nga Kushtetuta por nuk ekziston as në praktikat botërore.
Të ashtuquajturit Universitete Të Pavarura Publike do të jenë Universitetet Private aktuale që pasi kanë marrë miratimin e Këshillit të Ministrave për ndryshimin e statusit të tyre juridik, duke mos humbur themeluesi i tyre asnjë të drejtë reale mbi aktivitetin privat, i hapet dera të përfitojë fonde nga buxheti i shtetit njësoj si Universitetet Publike. Ky lloj institucioni i arsimit të lartë që i fiton të gjitha të drejtat ekstra vetëm me diskrecion të Kryeministrit, pra me firmën dhe vulën e Edi Ramës, sipas humorit dhe tekave të tij, prish jo vetëm barazinë në treg me Universitetet Private por krijon dhe situatë klienteliste, madje dhe ndikim politik po të kemi parasysh edhe faktorët dhe grupet e interesit aktualisht të lidhur me gamën e universiteteve private të vend. Tashmë liria e tyre e fjalës, e mendimit, opinioni i tyre, ekzistenca e tyre është lidhur në ganxhën e zyrës së Kryeministrit.
Autonomia Universitare si e drejta Kushtetuese që kanë vetë subjektet e Institucionit të Arsimit të Lartë për t’u vetëorganizuar si dhe Liria Akademike si e drejta e pedagogëve dhe studentëve për të qenë të lirë e të pa ndikuar në procesin mësimor shkencor, asgjesohet nga ky projektligj.
Pra, arrihet ëndrra e kahershme e pushtetit autoritar për ti mbyllur gojën me të dyja duart pjesës më vitale dhe më lartë të shoqërisë, botës akademike dhe studentëve.
Krijimi i një organi të ri që quhet Bordi i Administrimit, i cili jo vetëm dominohet nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit por mban dhe kompetencat kryesore në funksion të organizimit në Universitetet Publike përballë organeve të zgjedhura nga vetë Universiteti, si dhe krijimi i një sërë Agjensish Shtetërore me kompetenca mbi institucionet e arsimit të lartë, shuan përfundimisht Autonominë Universitare. Komisarët e kryeministrit janë ata që vendosin për gjithçka dhe kudo. Me këtë ligj, gjithë bota akademike në vend, ka një shef, një dekan, një rektor, dhe ky quhet kryeministri.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, cënimi i Autonomisë Universitare afekton drejtëpërdrejt dhe të drejtën themelore të Lirisë Akademike. Mënyra e financimit dhe fakti që qeveria do të ketë dorë të lirë shpërndarjen e fondit buxhetor për Institucionet e Arsimit të Lartë po ashtu ndikon tek Liria Akademike e profesoratit.
Justifikimi për të gjithë këtë zamallahi, për këtë kapje të arsimit të lartë është cilësia e arsimit. Diçka për të cilën kemi pasur vërejtjet tona dhe për të cilin kemi qënë gjithmonë të gatshëm që me eskpertizën tonë të kontribuojmë në një rrugë tjetër të fuqizimit të konkurencës mes institucioneve publike dhe private dhe të mbështetjes në bazë të meritës duke pasur në fokus studentët.
Në fakt është krejt e kundërta propozohet me këtë projekligj. Problemi më i madh i cilësisë në Universitetet e Vendit deri më sot ka rezultuar shitblerja e diplomave në të gjitha ato raste që midis Universitetit dhe studentit krijohej një marrdhënie klienteliste. Akuzat, shpeshherë të provuara, ndaj universiteteve private se jepnin diploma dhe rezultate fictive, kishin të bënin pikërisht me marrdhënien klienteliste mes studentit dhe universitetit.
Tarifat e larta dhe fitimprurese nxisnin pronarët që të prodhonin diploma dhe rezultate fiktive. Universiteti publik mbeti relativisht i imunizuar nga ky rrezik pikërisht sepse pedagogu kishte të ardhura të njëjta pavarësisht rezultateve të studentëve. Tashmë, krijimi i marrdhënies klienteliste do të prekë edhe Universitetet Publike sepse ato tashmë do të përcaktojnë vetë tarifat dhe kuotat e studentëve si dhe mbi bazën e të ardhurave dhe pagat e shpërblimet për stafet Universitare. Pra, ligji jo vetëm nuk mbyll por hap derën e shitblerjes së dipomës në mënyrë masive në institucionet publike të arsimit të lartë.
Një tjetër goditje që i bëhet arsimit të lartë dhe shoqërisë ka të bëjë me nivelin e studentëve që pranohen, diçka shumë e rëndësishme për cilësinë e universteteve.
Nëse deri më tani nëpërmjet maturës shtetërore shteti ofronte arsimin e lartë për të rinjtë më të aftë të vendit, sot kriteri i vetëm për tu pranuar në Universitet si Publik dhe Privat do të jetë mundësia ekonomike dhe jo aftësia e studentit. Heqja e maturës shtetërore, rritja e tarifave të studimit në Universitetet Publike duke ia ofruar këtë të drejtë kushtetuese me tarifa të përafërta apo të njëjtat me universitetet private, nevoja e Universiteteve për tu përzgjedhur nga ata të rinj që kanë mundësi ekonomike për të përballuar tarifat e rritura, do të sjellë si rezultat që në Universitete do të shkojnë vetëm ata që kanë mundësi të paguajnë dhe jo domosdoshmërisht ata që janë të aftë, duke cënuar në këtë mënyrë dhe cilësinë e produktit të Universitetit.
Këto janë çështjet dhe problemet kryesore që shkaktohen nga ky ligj klientelist, korruptiv, i hartuar pa transparencë, i hartuar në shurdhëri të plotë ndaj zërit të grupit të interesit, të studentëve, prindërve, pedagogëve, i hartuar me nxitim dhe tekstualisht i hartuar në orët e para të mëngjesit pavarërisht kundërshtimit të anëtarëve të opozitës në Komisionin e Arsimit dhe tashmë i sjellë në zhegun e verës për tu kaluar me qëllim që të mbulohet nga avujt e vapës dhe të harrohet si dhe shtatori të nisë me këtë zullum e atentat fashist ndaj arsimit të lartë.
Nesër, opozita, të ndertuara deputete dhe deputetë do ta kundërshtoni këtë ligj në seancën e thirrur me këtë qëllim. Qytetarët, studentët, pedagogët, të padëgjuar nga qeveria, do të kenë shansin të shprehen përmes gojës tuaj, përmes zërit tuaj. Mijëra të rinj të cilët kërkojnë të drejtën e tyre kushtetuese të arsimit të lartë do të gjejnë mbështetjen në luftën e pakompromis që ju të nderuar deputetë do ti shpallni këtij projekligji abuziv, korruptiv, klientelist, kësaj “prapa kthehu” për arsimin e lartë.
Unë angazhohem sot para publikut, para të rinjve, para studentëve dhe pedagogëve dhe gjithë shqiptarëve të shqetësuar për fatin e auditoreve e universiteteve dhe arsimit universitar, se Partia Demokratike do të çojë në vend drejtësinë, do të zhbëjë këtë kaos që po shkakton Edi Rama, do të bëjë gjithçka për të qendruar në krah të studentëve për të mbrojtur të drejtat e tyre, në çdo rezistencë dhe beteje pubike që ata do të bëjnë dhe do të bëjë gati projektin e saj së bashku me studentët dhe pedagogët, projekt të cilin ne do ta jetësojmë sapo shqiptarët të na votëbesojnë shumicën me votën e tyre të lirë e të ndershme.
Faleminderit!
Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar, 20 korrik 2015