Sot kemi mbajtur një tjetër takim me përfaqësues të pedagogëve dhe studentëve menjëherë pas vendimit të dyshes Rama-Meta, për të kaluar në mes të natës një ligj shkatërrimtar për arsimin, një ligj që pamundëson studimet e larta për ata që nuk kanë mjete financiare për të paguar tarifa universitare më të larta, sesa i gjithë rajoni, si vlerë absolute dhe, pesë deri 25 herë më të larta si vlerë relative në raport me fuqinë blerëse të shqiptarëve, sesa Bashkimi Evropian.

Kjo është një vjedhje e organizuar shtetërore që i bëhet prindërve shqiptarë, të cilëve dy vite më pëprara dyshja Rama-Meta u premtoi rritje të buxhetit të arsimit në tërësi dhe për arsimin e lartë në veçanti dhe mbrëmë jo vetëm i preu në besë, po u vuri një tjetër lak në fyt, sepse paratë për financimin e arsimit të lartë nuk do të vinë më nga buxheti i shtetit, nga taksat tashmë të paguara nga shqiptarët, por do të vijnë nga një taksë tjetër shumëfish më e lartë; do të vijnë në formën e tarifave të rritura universitare.

Nga ana tjetër, cilësia universitare premton të shkojë prapa dekada të tëra, përmes shkatërrimit të autonomisë vendimmarrëse të universiteteve, goditjes në themel të cilësisë së mësimdhënies së pedagogëve, klientelizmit dhe kapjes politike të trupës pedagogjike dhe akademike, përmes bordeve të komisarëve të emëruar nga kryeministri.

Me këtë vendim Edi Rama dhe Ilir Meta synojnë ti vënë në rresht dhe ti përdorin si marioneta politike pedagogët, profesorët kërkuesit shkencorë, doktorët e shkencave, asistentët; kërkojnë pra, ti kthejnë në shtesa, në apendikse të pushtetit në vend të zërit të pavarur dhe të përvojës akademike dhe shkencore që janë e duhet të jenë Profesorati dhe trupa akademike e çdo vendi.

Nga kjo pikëpamje, me vendimin e djeshëm nuk është mbyllur asgjë, po është hapur një betejë e madhe, frontale; nga njëra anë, qeveria dhe pakica klienteliste korruptive, interesat e të cilës u shërbyen dje me kalimin e ligjit dhe, nga ana tjetër, të gjithë shqiptarët që nga fëmijët e vegjël në shkollë ëndrra e të cilëve për të ndjekur studimet e larta cilësore, pesë, dhjetë, 15 vite më vonë, ka marrë goditjen më të rëndë, e deri tek më të moshuarit gjyshërit, prindërit,  baballarët, nënat, në xhepat e të cilëve, janë futur duart korruptive të pushtetit, për të financuar një sistem klientelist, pa asnjë garanci cilësie dhe për të shkatërruar me themel aksesin në arsimin e lartë.

E kanë ndërmarrë këtë hap një amalgamë deputetësh dhe ministrash pa diplomë, me diploma falso, apo me rekorde kriminale. Për paradoks, ironi, ashtu  sikundër kërkohet që reforma në drejtësi të kalohet me votat e të dënuarve nga drejtësia, reforma në arsim kaloi me votat e të padiplomuarve, me votat e injorantëve, me votat e të korruptuarve dhe të kapurve nga klientela, të cilës i shërbehet me këtë ligj.

Kurrë më parë nuk ka qenë kaq e qartë e drejta se me cilën anë rëndon, kurrë më parë nuk ka qenë kaq i qartë dëmi i madh që i bëhet shqiptarëve, me një ligj të tillë. Ne do të ndërmarrim një aksion të gjerë informimi, ndërgjegjësimi të çdokujt; çfarë  do të thotë ky ligj për gjimnazistët, sesi hidhen në kosh të plehrave përpjekjet e qindra mijëra gjimnazistëve për të arritur rezultate të lartë në shkollë, se si të zotët, të aftët goditen; si mediokriteti, paaftësia stimulohen përmes këtij ligji, pasi edhe janë stimuluar me të gjitha veprimet e kësaj qeverie që ka ngritur në kult, modelin e të paaftit e të kriminalizuarit, e servilit. Çfarë do të thotë kjo për studentët, duke nisur nga ky tetor e në vijim, për tarifat e studimeve. Çfarë do të thotë kjo për pedagogët, çfarë do të thotë kjo për prindërit; pra një fushatë ndërgjegjësuese, e cila nis sot dhe vazhdon pa ndërprerje me rinisjen e jetës akademike, me vitin e ri akademik.

Së dyti një aksion masiv  institucional me të gjitha instancat që kanë në dorë për të bërë diçka për të ndaluar këtë ligj. Që nga Presidenti i Republikës, Gjykata kushtetuese, ku opozita, Partia demokratike do të jenë në  mbështetje të  plotë të  aksionit të pedagogëve, të studentëve, të cilët kanë një plan të qartë veprimi.

Partia Demokratike ka përcaktuar një qëndrim, të cilit do ti shkojë deri në fund dhe ne do të mbështesim plotësisht edhe iniciativën e pedagogëve dhe studentëve për ti kërkuar instancave përkatëse kushtetuese duke nisur me Presidentin e Republikës të mbajnë qëndrime të prera dhe të qarta në mbrojtje të interesit publik. Kjo nuk është axhendë politike e Partisë demokratike, kjo është axhendë e çdo shqiptari dhe, siç e vini re dhe në aktivitetin e djeshëm dhe të sotmin, edhe në protesta nuk ka asnjë paragjykim politik. Të majtë e të djathtë janë të  bashkuar kundër këtij ligji

Ne do të përfaqësojmë dhe do të mbrojmë interesat e shqiptarëve, të asnjë grupi të veçantë interesi por të interesit publik në të gjithë drejtimet. Në drejtimet institucionale, në drejtimet ligjore dhe kushtetuese për të cilët kemi ngritur tashmë grupin e ekspertëve të cilët do të jenë në dispozicion të hartimit të një strategjie dhe të hapave që dot hidhen duke përfshirë dhe ankimin në Gjykatë kushtetuese.

Por të mos harrojmë që nuk ka qenë një vendim teknik dhe ligjor ai që u mor dje, pavarësisht se është dhe një atentat kushtetues. Shpresa dhe rruga për të sprapsur këtë vendim të padrejtë, për ta nxjerrë para shqiptarëve ashtu siç është, të deligjitimuar nga një pakicë kartonësh dhe interesash, është bashkimi i shumicës së  vërtetë të shqiptarëve, që janë kundër këtij ligji, pedagogë, studentë, prindër dhe gjimnazistë.


Prononcim për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 22 Korrik 2015