Të nderuar deputetë,
Pas denoncimeve tona të përsëritura dhe ngulmuese për rënien në pikatë të të ardhurave në dogana dhe tatime, për evazionin dhe kontrabandën rekord sidomos në artikujt e akzisës, si duhani dhe nafta, Ministri i Financave, Cani, pranoi këtë javë gjendjen e patolerueshme dhe dështimin e madh të kësaj qeverie në drejtimin dhe menaxhimin e këtyre dy sektorëve kyçë, që janë burimet kryesore të të ardhurave për buxhetin e shtetit.
Kur hajdutët dhe hajdutet me çizme firmato janë sulur babëzisht në dogana dhe tatime, kur qeveria abuzon dhe dështon në shkallën më të lartë në dogana dhe tatime, çfarë pritet tjetër, çfarë mbetet tjetër për tu thënë për nivelin e korrupsionit. Megjithë propagandën e dyshes që po i del boja me shpejtësi e vërteta ka dalë në shesh. E kanë marrë vesh i madh e i vogël, raportohet periodikisht në raportet e partnerëve tanë strategjikë si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin për Shqipërinë ku thuhet e zezë mbi të bardhë se korrupsioni është përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Pa i hequr asnjë gram përgjegjësisë që ka ministri i financave dhe çdo zyrtar tjetër që ka mbyllur sytë para të keqes, ne e dimë shumë mirë kush është përgjegjësi numër një, e dimë shumë mirë kush e ka ndërtuar instrumentin që ka prodhuar vjedhjen dhe kontrabandën masive në dogana dhe tatime: ky është kryeministri Edi Rama.
Ndaj, në emër të interesit publik e pyes përsëri publikisht kryeministrin: Ku kanë shkuar 150 milionë dollarët e munguar në dogana dhe tatime gjatë këtyre gjashtë muajve? Ku kanë shkuar 50 milionë dollarët e kontrabandës gjigande të cigares, rreth 800 ton në gjashtë muaj? Kush mban përgjegjësi?
Sërish i bëj thirrje Prokurorisë të hetojë pa humbur kohë kontrabandën e cigareve dhe të çojë para drejtësisë autorët nga i pari tek i fundit. Në dijeninë tonë një shtet fqinj ka ofruar prova në lidhje me këtë kontrabandë. Kush i mban? Kush i fsheh? Në cilat sirtare janë bllokuar këto dokumenta?
Muaj më parë kemi denoncuar kontrabandën kolosale të naftës virgin në sasi prej qindra mijëra tonë që hyri në Shqipëri me dokumenta të falsifikuara sikur do ta çonin në rafineritë e naftës, ndërsa në fakt e hodhën në tregun e shitjes me pakicë, duke e përzier me karburantin që tregtohet për qytetarët që kanë në zotërim një automjet. Dëmi i kësaj kontrabande ishte i shumfishtë. Miliona euro dëme për arkën e shtetit, mijëra e mijëra automjete të qytetarëve të dëmtuara nga cilësia e keqe e naftës së përzier, impakt shumë negativ në cilësinë e ajrit dhe mjedisit.
Hetimi dhe ndëshkimi ligjor i këtij krimi të përbindshëm duhet të përfshijë gjithë rrjetin kriminal që e ka mundësuar, që nga komanduesit, kontrabandistët dhe shpërndarësit; është një imperativ për organet e drejtësisë, për të rikthyer besimin në forcën e ligjit, për të vënë në vend të drejtat e goditura hapur apo në mënyrë tinzare të qytetarëve nga xhepat e të cilëve janë zhvatur miliona sepse kanë paguar si naftë të cilësisë së pare, naftën kallpe. Pse zvarritet ky hetim, pse mbahet i bllokuar, nga kush dhe përse? Prokuroria ka gjithë mbështetjen e opozitës dhe publikut për t’i shkuar në fund këtij hetimi, pa u ndalur para asnjë pengese.
Në dritën e shifrave të frikshme të vjedhjes dhe kontrabandës në tatim dogana nga njëra anë dhe rritjes së defiçitit në raport me të ardhurat e planifikuara në anën tjetër, kryeministri ka urdhëruar përgatitjen e rishikimit të buxhetit. Tinëzisht, pa bujë, pa transparencë, vjedhurazi nga sytë e publikut, hajdutce.
Do të heqin nga buxheti investime në rrugë e shkolla, spitale e çerdhe, sepse paratë me të cilat do të ndërtoheshin janë vjedhur. Do të heqin nga buxheti kompensimin e shtresave në nevojë, dëmshpërblimin e pronarëve dhe të përndjekurve, sepse paratë me të cilat do të paguheshin ata, janë vjedhur.
150 milionë dollarët që ju vodhën shqiptaërve në tatime dhe dogana nuk do të mund të hyjnë në arkën e shqiptarëve. Nuk do të kthehen në shkolla, rrugë, rroga, ndihmë ekonomike, kompensim për të përndjekurit dhe pronarët, rritje pensionesh, rimbursim ilaçesh.
Sepse i kanë vjedhur për vete, i kanë bërë shuka shuka në dyshekët e korrupsionit të zuzarëve dhe zuzareve të Ilir Metës dhe Edi Ramës, i kanë bërë apartamente, vila, hotele, konto bankare. Ndonjë cironkë herë pas here prangoset për sy e faqe të publikut por balenat, fokat dhe derrat e korupsionit nuk i gjen asgjë, ata drekojnë e darkojnë me klientelën e tyre të hajdutëve dhe evazionistëve e planifikojnë pushimet e verës në rezortet luksoze të botës. Ndërkohë që shqiptarët zhyten në borxhe për bukën e gojës, për faturat e energjisë dhe për të nxjerë pasaportat e kurbetit.
Kjo është skema.
Rritën taksat dhe tarifat. Rritën aksizat. Dhe çfarë ndodhi: u rritën çmimet. U rrit varfëria. U rit mjerimi dhe papunësia. Nga ana tjetër, po falimenton masivisht biznesi i vogël dhe po tkurret ai i mesëm dhe i madh. Investimet e huaj afër zeros. Kredia për investime të brendshme në pikiatë.
Rritën taksat aksizat dhe tatimet dhe çfarë po ndodh. Të ardhurat bien. Sepse është rritur kontrabanda, evazioni dhe korrupsioni.
Me këto para po vënë pasuri përallore qeveritarët dhe klientët e tyre. Po kapen Institucionet. Po blihen zgjedhjet.
Këto janë betejat e mëdha të ekonomisë dhe demokracisë. Nuk ka ekonomi pa konkurencë të ndershme. Kontrabanda dhe evazioni janë armiqtë e konkurencës së ndershme. Nuk ka rritje pensionesh dhe pagash me hajdutërinë në sistem. Nuk ka zgjedhje të lira pa prerë burimin e parave që hidhen për blerjen e votës. Nuk ka shtet normal me krimin, korrupsionin dhe kontrabandën në sistem.
Ne kemi shpallur luftë frontale me këto fenomene shkatrrimtare dhe nuk do të ndalemi deri në fund. Bashkë me qytetarët shqiptarë, me mbështetjen e miqve dhe parnerëve tanë amerikanë dhe europianë do t’ia dalim t’i mundim. Para se rregjimi i krimit dhe korrupsionit të ulë në gjunjë Shqipërinë.
Për këtë arsye Rama-Meta goditën dhe zhbënë standartet demokratike zgjedhore. Çdo ditë dalin në dritë fakte të reja që u shtohen fakteve dhe shqetësimeve të shprehura tashmë në raportin kritik paraprak të OSBE/ODHIR. Këto janë zgjedhje që morën ndërkombëtarisht damkën e blerjes masive të votës, të blerjes dhe sekuestrimit të kartave të indetitetit, duke u hequr “de fakto” shtetasve të drejtën kushtetetutuese për të zgjedhur.
Këto janë zgjedhje ku numri mesatar i zgjedhësve në bashkitë e fituara mes një mali me pengesa nga opozita është afro 48 mijë për kryetar bashkie, krahasuar me afro 18 mijë për kryetar bashkie si mesatare në bashkitë e fituara nga dyshja Rama-Meta, produkt i qëllimshëm nga qeveria për të siguruar paraprakisht, pa shkuar akoma në zgjedhje, një avantazh elektoral përmes hartës së re të ndarjes administrative, të denoncuar prej nesh si hartë e fitores në tavolinë me salamandra elektorale.
Këto janë zgjedhje në të cilat Rama-Meta braktisën dekriminalizimin dhe shtuan kriminelët në pushtet; në vend të dekriminalizimit të jetës parlamentare, ashtu siç ramë dakord në marrëveshjen e 24 Dhjetorit të vitit të kaluar dhe siç kërkuan me forcë të pazakontë miqtë tanë amerikanë dhe europianë, dyshja shkoi përpara me kokëfortësi drejt kriminalizimit të pushtetit vendor përmes kandidimit të personave me rekorde kriminale për kryetarë bashkish.
Këto janë zgjedhje të kapura që me rezultatin e manipuluar në shumë fragmente të procesit dhe territorit, dhanë për grupe të tëra shoqërore mesazhin e përkeqësimit dhe vrasjes së metejshme të shpresës.
Kjo duket qartë në rekordin e ri të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani në muajin qershor. Plot 5932 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil në këtë vend. Në muajin maj numri i kërkesave ishte 4922 dhe në prill 4794. Sipas të dhënave të fundit publikuar nga Zyra Federale për Azil dhe Migracion, përsa u përket kërkesave për azil, shqiptarët vazhdojnë të renditen të dytët pas Sirisë. Dhe në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit, tendenca ështe në rritje.
Nga shifrat e publikuara nga Zyra Federale për Azil dhe Migracion në gjashtë muajt e parë të këtij viti afro 22 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria për të aplikuar për azil vetëm në Gjermani.
Kjo është një dramë kombëtare që vjen dhe thellohet pas zgjedhjeve të 21 qershorit duke u vënë atyre një tjetër njollë si zgjedhje që nuk hapën, por mbyllen perspektiva.
Por, të mos harrojmë për asnjë çast: këto zgjedhje, edhe pse të kapura me njëmijë fije nga qeveria oligarkike, edhe pse të kriminalizuara, dhanë megjithatë një mesazh të madh dhe shumë kuptimplotë për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
Shumica humbi mbi 250 mijë zgjedhës përgjatë dy viteve të para të qeverisjes dhe kjo tendencë vjen duke u thelluar; Partia Demokratike dhe opozita kanë rritur ndjeshëm përqindjen e votave në krahasim me vitin 2013 dhe kjo tendencë vjen duke u thelluar gjithashtu. Ky është mesazhi qendor që kanë mundur të japin zgjedhësit shqiptarë megjithë dhunimin dhe shtetrrethimin e paprecedent të zgjedhjeve nga rregjimi.
Tre janë sfidat e mëdha ekzistenciale, me të cilat ballafaqohet demokracia sot dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë: krimi, korrupsioni dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Partia demokratike, opozita dhe unë personalisht jemi të vendosur për betejat që na presin, duke nisur së pari me dekriminalizimin. Nuk mund të ketë integrim europian të vendit me kriminelë deputetë apo kryetarë bashkish.
Në Komisionin për dekriminalizimin do të riparaqitet brenda korrikut drafti i propozimeve tona për të nxjerrë jashtë institucioneve publike shqiptare dhe për të ndaluar njëherë e përgjithmonë kandididimin e personave me rekorde të tmerrshme kriminale.
Për problemin madhor të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kam kërkuar nga miqtë tanë që në bazë të raporteve fillestare dhe përfundimtare të OSBE-ODHIR dhe Këshillit të Evropës të rikthejmë në vëmendje të institucioneve europiane domosdoshmërinë për të vepruar si në rrafshin legjislativ dhe institucional, edhe në rrafshin politik për të rikthyer standardet zgjedhore që u shkatërruan nga kjo dyshe, nga kjo mazhorancë në 21 Qershor. Askush nuk duhet të ketë më as më të voglin iluzion se në Shqipëri mund të mbahen të tjera zgjedhje pa çmontuar më parë instrumentat e kapjes dhe shkatërrimit të zgjedhjeve të 21 qershorit.
Dhe së treti, për luftën ndaj korrupsionit i cili është i lidhur me krimin dhe me zgjedhjet e kapura, me 150 milion dollarë që i mungojnë doganave dhe tatimeve të shtetit, një pjesë e të cilave padyshim janë përdorur për të blerë masivisht votat në procesin e 21 Qershorit, nuk jemi mjaftuar e nuk do të mjaftohemi të denoncojmë, por do të bejmë gjithçka kemi në dorë për ta atakuar korrupsionin me forcën e ligjit dhe institucioneve të drejtësisë, dhe me forcën e sovranit që është humbesi më i madh nga ky korrupsion.
Këto janë problemet. Këto janë betejat. Të thirrur në këtë betejë janë jo vetëm demokratët dhe opozitarët por të gjithë ata që ndajnë me ne dhe besojnë si ne në vlerat e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të gjithë shqiptarët që pavarësisht bindjeve politike nuk mund e nuk do të pranojnë kurrë inkriminimin e pushtetit. E pra në këtë këndvështrim ne jemi shumica.
Madje shumica dërrmuese. Në parlament le të kumbojë zëri juaj si përfaqësues të kësaj shumice. E le të bëhemi gati që fuqia e zërit të kesaj shumice të oshëtijë në sheshet dhe rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona duke nisur që nga kjo vjeshtë e pa kthim, pa kthim deri në pranverën shqiptare të mposhtjes së oligarkisë dhe regjimit të krimit e korrupsionit dhe rivendosjen e themeleve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar, 15 Korrik 2015