Dyshja Rama-Meta vazhdojnë ta thellojnë rekordin e tyre negativ dhe korruptiv në lidhje me pronarët. Për dy vite ata nuk kthyen asnjë metër tokë dhe ulën me 30 përqind fondin e kompensimit. Me një vendim antiligjor i hoqën Agjensisë së Kthimit të Pronave dhe Kompensimit plot 18,076 hektarë tokë shtetërore në dispozicion të kompensimit fizik të ish pronarëve dhe ia kaloi Ministrisë së Bujqësisë për ta ndarë për oligarkët e pushtetit për 99 vjet me qera të papërfillshme. Ky është një qëndrim i egër kundër ish pronarëve që nuk kanë marrë tokat e të parëve të tyre, por është edhe antiligjor dhe antikushtetues, pasi bie ndesh me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës që detyron shtetin të mos ndajë toka shtetërore për të tretët, derisa të përmbyllet procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave.
Partia Demokratike e dënon me forcë këtë qëndrim antiligjor dhe kundër ish pronarëve dhe i kërkon qeverisë të ndalë luftën ndaj tyre e të angazhohet për përmbushjen e detyrimeve. Edhe përpjekja e egër dhe banditizmat në zgjedhjet e Vorës, përdorimi i cdo mjeti për ta marrë me cdo kusht këtë bashki, ndodhën pasi janë mbi 10,000 hektarë toke e lirë bujqësore, që dyshja Rama-Meta donin ta vidhnin për oligarkët e vet. Ky është bilanci i qeverisë me ish-pronarët pas dy vite qeverisje. Asnjë kthim e asnjë kompensim prone. Dhe sot Rama ka nisur një skemë djallëzore, duke sjellë një ligj që synon kompensimin e pronarëve me vlerën e hartës së vitit 1976. Ky është një qëndrim ekstremisht kundër pronareve, kundër të drejtës themelore të pronës.
Partia Demokratike nuk ka për ta lejuar këtë padrejtësi dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë ligj që ridënon pronarët dhe të sjell ndërmend luftën e klasave dhe përndjekjen e tyre. Ne nuk do lejojmë skemën korruptive dhe klienteliste të Rama-Metes me pronat dhe pronarët.
Deklaratë e drejtuesit të Departamentit për të Përndjekurit Politikë dhe Pronarët, Belind Këlliçi, 18 Korrik 2015