Rama dhe Veliaj, edhe sot vazhdojnë të heshtin për pallatet dhe ndërtimet komerciale që kishin planifikuar këtu në hyrje të Parkut të Liqenit. Sigurisht që pseudokonkursi i shpallur në mënyrë tinzare ishte thjeshtë një vegël klienteliste për të filluar dhe zbatuar planin e betonizimit të sheshit Nënë Tereza, të hyrjes së Parkut të Liqenit të Tiranës, akoma pa marrë postin e kryetarit të bashkisë nga ana e z.Veliaj. Që të gjithëve ju kujtohen gjatë fushatës përgjërimet dhe premtimet për 3 vite moratorium për pezullimin e ndërtimeve, zgjerimin e vijës së gjelbër të Parkut të Tiranës, jo betonizim, ndërtime të cilat do të ishin vetëm në periferi dhe jo në zonat që tashmë kanë intesitet të lartë. Këto premtime kaluan edhe në skajin tjetër kur filloi të premtojë që çdo pronë private do të merrej dhe kthehej në hapësirë të gjelbërt publike.
Ndërkohë kishte muaj që ishte shpallur një konkurs i cili pa dijeninë e publikut kishte propozuar rreth 10 projekte për të betonizuar hyrjen e Parkut të Liqenit të Tiranës. Besoj se sot i kuptojnë të gjithë milionat e hedhura në fushatën e Tiranës. Të gjithë kuptojnë arsyet se pse Partia Socialiste me çdo kusht përpiqej të merrte Bashkinë e Tiranës, thjeshtë për të vazhduar farsën klienteliste, thjeshtë për të vazhduar betonizimin e Tiranës, thjeshtë për të ndjekur një model që ishte për 11 vite.
Nuk besoj që do të jetë e largët dita kur ne do të shohim edhe në Sheshin Skënderbej të njëjtin projekt; betonizim. Betonizim aty ku ka hapësira publike sepse sigurisht që hapësirat private do kthehen në hapësira të gjelbërta. Nuk besoj që do të jetë e largët dita kur ne do të shohim Parkun e Liqenit të Tiranës të betonizuar. Kjo është arsyeja pse u bllokua projekti i rigjallërimit të Sheshit Nënë Tereza sepse nuk u miratuar nga qeveria. Kjo është arsyeja pse shumë projekte të tjera të propozuara nga Bashkia e Tiranës nuk morën jetë sepse kishin shpallur në mënyrë të fshehtë dhe tinzare konkurse për të realizuar të gjithë qëllimet e tyre klienteliste.
Fale presionit të bërë nga opozita dhe presionit të bërë nga shoqëria civile, nga aktivistë të shoqërisë civile dhe zëra të pavararur të medias, vendimi i konkursit u shty për të shtator. Jam e sigurtë që nese ky presion vazhdon atëhere ne do të ndalojmë ndërtimet këtu në hyrje të Parkut të Liqenit të Tiranës. Përfitoj nga rasti ti bëj thirrje kryetarit të ri të Bashkisë z.Erion Veliaj, i cili nuk lë rast pa u shfaqur në televizion, që nuk lë pusetë dhe fëmi rom pa shfrytëzuar për të dalë në televizion, ndërkohë që ditët e fundit e kemi parë që është zhdukur, të dalë e të deklarojë që ai nuk ka për të lejuar që ndërtimet të zënë frymën e Parkut të Liqenit të Tiranës.
Deklaratë për shtyp e deputetes të PD, Jorida Tabaku, 8 Korrik 2015